Agim Dade/ Sejfulla Malëshova, kolosi i kulturës kombëtare

756
Sigal

– Vijon nga numri i kaluar –

Kemi parasysh se Malëshova në atë kohë ishte një emër i madh, për intelektualët shqiptarë pasi ishte pedagogu dhe dekani i universitetit të Moskës dhe ish kuadrit i lartë në qeverinë e Nolit. Por ai ishte dhe anëtar i KOMINTERNI-t. Nga ana tjetër aktiviteti i tij letrar e kishte bërë të famshëm, ashtu siç e bënte të famshëm fakti që ai njihte 14 gjuhë të huaja, nga të cilat në tetë përkthente shkëlqyeshëm. Sujfellai u bë menjëherë kuadër i lartë i Luftës, madje në vitin 1943 u zgjodh anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Frontit Demokratik, Anëtar i Këshillit të Përgjithshëm Nacional Çlirimtar dhe anëtar i Shtabit të përgjithshëm. Ai është një nga liderët kryesore të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare. Njëherësh edhe poet, filozof, përkthyes i shkëlqyer në shumë gjuhë të huaja, dhe që shokët e Luftës dhe të udhëheqjes e thërrisnin me të drejtë profesor. Puna, fjala, shkrimet, vjershat dhe lufta e Sejfulla Malëshovës dallohen nga shokët e shoqet e Luftës. Sa vuri këmbë në Shqipëri u duk puna, pena dhe perspektiva e luftëtarit mendjemprehtë. Në vendimet e këshillit të Përgjithshëm, në rezolutat dhe deklaratat e korrikut 1943 duket puna e Sejfulla Malëshovës. Për të parën herë Lëvizja Nacional Çlirimtare demaskon manovrat e Ballit Kombëtar.

Në konferencën e Labinotit ai goditi politikën e tradhtisë. Shkrimet dhe artikujt e tij janë armë lufte për të gjithë popullin shqiptar që lufton për liri e pavarësi. Këto ndjenja i shpreh në vjershat e tij me emrin Lame Kodra, të cilat i këndon gjithë Shqipëria. Kudo gjenden poezitë dhe këngët e poetit rebel. Sejfulla Malëshova kërkoi që ndaj Ballit të mos bëhej luftë me armë, por të demaskohet për bashkëpunimin me pushtuesit. Në kongresin historik të Përmetit, në mbledhjen e këshillit të Përgjithshëm Antifashist në Berat, Sejfulla Malëshova zë një vend të shquar në vendimet që caktojnë udhën e sigurt të çlirimit kombëtar. “Në ka vjersha që ia vlejnë pushkës për të luftuar armikun ato janë sigurisht vjershat e Lame Kodrës” shkruan një poet anonim. Kudo e ka thirrur detyra në Kongresin e Përmetit, në mbledhjen e këshillit Antifashist në Berat, Sejfulla Malëshova zë një vend të shquar në punën dhe vendimet që caktuan udhën e sigurt të çlirimit kombëtar. Të paktën janë ata bij të këtij populli që kanë dhënë një kontribut aq të çmuar, për ndriçimin, për ndërtimin, për kulturën, për konsolidimin e Shqipërisë së Re. Shkrimet dhe këndvështrimet e Sejfulla Malëshovës për demokracinë shqiptare kanë qenë me shumë vlerë për pushtetin demokratik. Puna e tij në Ministrinë e Kulturës Popullore, fjalimet e tij i çmon shumë populli shqiptar, dhe ai zuri një vend të rëndësishëm në qeverinë demokratike. Shkrimtari, poeti, përkthyesi është një dhe i pandarë me personalitetin politik. Ai ishte anëtar me rëndësi në qeverinë demokratike. Sejfulla Malëshova ishte mishërim i Luftës dhe i përpjekjes për liri e demokraci, përpjekjet që vazhdojnë edhe sot. Dr. Ymer Dishnica thoshte: “Lame Kodra qan e qesh me popullin, këndon e lufton për popullin, shpreson e fiton me popullin, del në dritë me popullin”. Duke qenë në udhëheqje Sejfullai kërkonte që partia Komuniste të ishte një parti moderne, pjesë e së majtës së moderuar evropiane. Në qëndrimin e partisë ndaj forcave të tjera antifashiste Sejfullai kërkoi një luftë të vendosur kundër sektarizmit dhe shfaqjeve terroriste, urdhrave të veçanta për dënime me vdekje pa gjyq etj. “Por këto kritika bien në vesh të shurdhër”- shkruan Dr. Kleanthi Zoto. Ai vazhdon më tej: “Shfaqjet sektare u vunë re ndaj Ballit Kombëtar, Legalitetit dhe aleatëve. Sejfullai kritikoi partinë dhe Enverin në Berat. Ai thoshte që Balli duhet vetëm demaskuar dhe jo luftuar me armë. Sejfullai ishte një model për zhvillimin e ngjarjeve dhe personaliteteve kur ekstremizmi enverian hidhte baltë mbi Konicën, Fishtën etj. Ai e vlerësonte dhe ngrinte lart personalitetin e tyre dhe ky vlerësim bëhej nga një personalitet me kulturë të gjerë, njohës i 14 gjuhëve të huaja, profesorit që u bë dekan në Shën Petersburg mes 150 konkurrentëve dhe mbi të gjitha njeriu me dimensione shkencore dhe humane”- shprehet dr. Kleanthi Zoto.

“Sejfullai ishte rreptësisht kundra vrasjeve pa gjyq dhe prapa shpine, në atentate, në emër të popullit. Ai e vuri përpara përgjegjësisë Enver Hoxhën, i cili pranoi këto gabime, si komisar i Shtabit të Përgjithshëm. Ai kërkoi dhe një herë ndihmë nga shokët, pasi gjithçka ka ardhur si rezultat i pa dijes së tij. Vetë Sejfullai që zotëronte gjithë mbledhjen vendosi që ajo të vazhdonte pas çlirimit në Kongresin e Parë të Partisë. Që këtu filloi përplasja me Enver Hoxhën. Sejfulla Malëshova ishte i pari që kërkonte të kishim një parlament pluralist. Ai mendonte që Luftën e bëmë për të vendosur demokracinë, prandaj duhet të kemi deputetë nga të gjitha shtresat e popullsisë dhe sa më shumë intelektualë nacionalistë. Për qarkun e Shkodrës ai kërkoi të vinin më shumë deputetë katolikë dhe në zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945, Sejfulla Malëshova e realizoi këtë qëllim imediat për Shqipërinë. Ai thoshte që ne nuk mund të ndalojmë ose kundërshtojmë daljen e ndonjë partie të re, qoftë brenda ose jashtë Frontit. Ky ishte thelbi i filozofisë politike të Sejfulla Malëshovës. Si anëtar i udhëheqjes ai kërkoi një punë dhe fushatë të ndershme elektorale. Ai kërkonte që në asamblenë kushtetuese të vinte mendimi intelektual dhe demokratik. Sejfullai i respektonte dhe çmonte intelektualët”, shprehet Dr. Kleanthi Zoto. Sejfulla Malëshova u shpreh hapur pro pluralizmit. Ai u nda prerazi nga udhëheqja e Partisë komuniste dhe Enveri edhe në qëndrimin ndaj forcave të tjera politike. “Ne nuk jemi në kundërshtim për daljen e ndonjë partie brenda ose jashtë frontit.” Ky është thelbi i filozofisë politike të tij e shprehur që në 1945. Si anëtar i udhëheqjes ai kërkonte të bëhej një fushatë e ndershme elektorale të mundohemi të fitojmë besimin e popullit, të interesohemi për punët dhe problemet e tij dhe pastaj të flasim për zgjedhjet. Ai luftoi që në asamblenë Kushtetuese të shkonin edhe nacionalistë. Ai porositi që në qarkun e Shkodrës të viheshin më tepër intelektualë dhe sidomos katolikë. Kjo gjë nuk i pëlqeu Enver Hoxhës dhe menjëherë mbas zgjedhjeve të 2 Dhjetorit 1945, në datë 6 dhjetor bëri mbledhje e Byrosë dhe e kritikoi Sejfullain për liberalizimin dhe oportunizëm. Për këtë veprim ja si shkruan Enver Hoxha: “Sejfulla Malëshova ishte mbrojtës i pikëpamjes që në Asamblenë Kushtetuese të vinin një numër i konsiderueshëm “nacionalistësh” që jo vetëm nuk kishin dhënë prova të mjaftueshme për besnikërinë ndaj popullit, por kishin filluar që në atë kohë të kritikonin gjoja si pjesëtare të frontit. Një pjesë e këtyre deputetëve “nacionalistë” sot ndodhen në burg për veprimtari kundër pushtetit. Vetë Sejfullai si demokrat nuk mund të pajtohej me këtë ekstremizëm, me violencën dhe egërsinë ndaj demokratëve të vërtetë që u burgosën u internuan dhe asgjësuan fizikisht nga gjyqet enveriane.

Po kështu u mbajt qëndrim ndaj Sejfullait për problemet ekonomike duke mbrojtur pikëpamjen që ekonomia të ecë në dy forma: pronës private dhe pronës shtetërore. “Ne nuk duhet të trembemi nga prona dhe iniciativa private, madje dhe banka duhet të ndihmojë të ngjallet iniciativa private në tregti dhe industri. Sejfullai ishte kundër shtetëzimeve të kapitalit privat vendas por të shtetëzimit të pronave të kapitalistëve të huaj, që e kishin vënë kapitalin me koncesione të dhëna nga Zogu duke tradhtuar interesat e atdheut. “Në politikën e jashtme Sejfulla Malëshova e shihte të domosdoshme bashkimin e Luftës së popullit tonë me atë të popujve të tjerë antifashistë nën udhëheqjen e Bashkimit Sovjetik, Amerikës dhe Britanisë së Madhe për të mposhtur fashizmin dhe për të çliruar popujt. Ai nuk mbivlerësonte rolin e Rusisë në këtë luftë dhe nuk zvogëlonte rolin e SHBA dhe Britanisë së Madhe siç bënin politikanë të tjerë mediokër, por ai mendonte që shqiptarët për të mbrojtur pavarësinë ndërkombëtare duhet të lidhemi ngushtë me të gjitha forcat demokratike të botës. Shtete perëndimore nuk u shkatërruan ekonomikisht si vendet e lindjes ndaj dhe ndihma e tyre për ekonominë tonë do të ishte më e madhe, por Enveri nuk i njihte parimet e zhvillimit ekonomik dhe nuk vinte në plan të parë ekonominë por të kundërtën, politikën, Enveri ia hodhi poshtë platformën ekonomike Sejfulla Malëshovës. Enveri e dënoi dhe persekutoi Sejfulla Malëshovën në mënyrë më çnjerëzore staliniste” shprehet me indinjatë profesori i nderuar Kristo Frashëri. Sejfulla Malëshova si demokrat i madh kërkonte një trajtim të barabartë midis intelektualëve si të atyre që kishin studiuar në universitetet e perëndimit dhe të atyre që kishin marrë pjesë në Luftë. Ai kërkonte që ata të integroheshin në administratën e re të pushtetit demokratik, të vinin bashkërisht dijet në shërbim të zhvillimit të përgjithshëm të Shqipërisë me qëllim që ajo të dilte nga prapambetja dhe të bëhej e barabartë me vendet evropiane që në atë kohë, e jo të lutemi sot të hymë atje duke ulur krenarinë kombëtare. I nderuar lexues më lejoni që t’ju citoj çfarë shkruan z. Spartak Ngjela shkruan: “ Sejfulla Malëshova pa dyshim ka qenë njeriu më i ditur në lëvizjen komuniste shqiptare.”

“Që në fillim nuk ka qenë pro shtetëzimeve duke dashur një ekonomi që tenton më shumë nga tregu i lirë”. Fjalimi i tij në themelimin e Bankës së Shqipërisë në 1946 e tregon këtë. Ai u drejtohej industrialistëve: “Industrialistë, kjo është Banka juaj, që do t’ju pasurojë ju dhe shoqërinë”, një gjë e rrallë kjo për një komunist. Prandaj ai kishte qenë i pari që donte që politika e re shqiptare të udhëtonte midis dy sistemeve, por ishte e pamundur. Z. Ngjela vazhdon: “Na thoshte Kiço, se të gjithë e prisnim Sejfullanë si shpëtimtar, por veçanërisht Ymer Dishnica (kishin qenë shokë në emigrim në Francë) dhe dy rastet e mundshëm të drejtimit të partisë nga intelektualë të niveleve të larta na u shuan, edhe Qemal Stafa edhe Sejfulla Malëshova. Ka të dhëna që Enver Hoxha është autori kryesor i eliminimit të Sejfulla Malëshovës. Eliminimi i tij la pa lider të gjithë intelektualët e lartë. Enver Hoxha nuk lejonte karrierën intelektuale të mirëfilltë. Ai u thurte intriga, i largonte dhe i eliminonte. Ishte kthyer në një urrejtje dhe hakmarrje të përbindëshme kundër intelektualizmit”. Z. Ngjela së bashku me të atin e tij i provoi mbi kurriz çekanet e diktatorit, por e vërteta është se intelektualët shqiptarë të kohës e, sidomos, ata që kishin luftuar bashkë me Sejfullanë për liri dhe demokraci nuk u ngritën ta mbronin atë nga goditjet e diktatorit, u treguan të paaftë dhe shumë të frikësuar. Pas Sejfullait, ishin të shumtë ata intelektualë që e pësuan, u persekutuan dhe u dënuan.

Edhe Bedri Spahiu guxoi ta kritikojë Enver Hoxhën, por e pësoi me disa vite burg, ndërsa familja me internim. Pas viteve ’90 intelektualët filluan të vlerësojnë figurën e Sejfulla Malëshovës. Me rastin e 110 vjetorit të Lindjes të Sejfulla Malëshovës, bashkia e Fierit i ngriti një bust në shenjë nderimi dhe përkujtimi për këtë patriot të madh. U mbajtën fjalime nga personalitete të kulturës dhe të qeverisë. Ndër ta, z. Margelaj tha: “Jemi mbledhur këtu sot për të kujtuar Sejfulla Malëshovën, një nga luftëtarët dhe poetët më të shquar të periudhës të Pavarësisë dhe Luftës Nacional Çlirimtare. Jemi mbledhur për të larë një borxh. Atë që nuk mundëm ta bënim më 11 qershor 1971 kur mbylli sytë në varfëri dhe vetmi. Të gjithë ndjejmë një lloj fajësie dhe keqardhjeje që nuk patëm guximin dhe trimërinë e Sejfulla Malëshovës për t’iu kundërvënë asaj të keqe satanike siç iu kundërvu ai. Na vjen keq që nuk mundëm ta mbrojmë këtë njeri e poet të nderuar me të cilin u soll aq keq e egër makina e pamëshirshme e dhunës shtetërore”. Meritojnë nderim të gjithë ata miq e shokë që bëjnë vlerësime të tilla, qoftë edhe pas kaq kohe. Në kujtimet e tij, z. Nexhmi Ballka që kishte miqësi që në emigracion me Sejfulla Malëshovën shkruan: “Ishte e dhimbshme të mendoje që Sejfulla Malëshova të shiste në një dyqan të Fierit samarë kafshësh, litarë, patkonj etj dhe merrte një rrogë 350 lekë në muaj. Ishte e dhimbshme të mendoje se miku i Nolit dhe të Konicës, njeriu i tri diplomave dhe i shumë gjuhëve të huaja, pedagogu dhe dekani i Fakultetit të Filozofisë në Moskë, ish ministri i Kulturës dhe Kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të artistëve të trajtohej kaq keq. Sikur të mos mjaftonin vetëm këto ai ishte edhe njeriu i vënë në shënjestër si njeri “heretik”. Ky epitet i padrejtë bënte që njerëzit të trembeshin dhe mos ta takonin, t’i largoheshin nga frika se mos i shikonte njeriu i sigurimit. Po kishte edhe ndonjë intelektual që e merrte guximin ta takonte Sejfullanë e pafat. Siç kam lexuar dhe krijova një respekt të madh për prof Skënder Luarasin që e takonte atë në Fier, edhe pse e dinte që Sejfulla Malëshova survejohej në çdo çast. Ky gjest njerëzor e fisnik ia lehtësonte sadopak brengën Sejfullait të madh. Ishte koha kur Mehmet Shehu kryeministër i vendit shkoi në mbledhjen e OKB në New York të SHBA dhe me porosi të Enver Hoxhës takoi Fan Nolin dhe e ftoi të vinte në Shqipëri për vizitë. Noli iu përgjigj:

“Mua më keni atje në fushat e Myzeqesë ku është Lame Kodra. Lironi Lamen dhe tek ai jam unë”. Dhe në fakt Noli nuk erdhi. Ai ishte i indinjuar dhe shumë i brengosur për gjendjen e Sejfullait dhe demokracisë në Shqipëri, por nuk kishte mundësi të ndihmonte. Shqipëria ishte e izoluar. Sejfulla Malëshova bënte kujdes dhe nuk u fliste të njohurve që të mos iu sillte telashe me njerëzit e sigurimit, e tillë gjendje ishte krijuar. Sejfullai ishte shumë i veçantë. Ai i parashikonte gjërat dhe fatin e tij. Ai e parashikoi se çfarë do t’i ndodhte dhe nuk krijoi familje, pavarësisht propozimeve për t’u martuar me motrën e Enverit (për të zbutur marrëdhëniet me të). Ai thoshte që nuk donte ta bënte fatkeqe familjen e tij, se e dinte që do t’i persekutonte diktatura. Ai nuk mund të rrinte i qetë dhe të bëhej konformist me të keqen. Ai nuk i duronte dogmatikët dhe padrejtësitë, ai luftoi tërë jetën e tij për lirinë, drejtësinë, mendimin dhe fjalën e lirë, që njerëzit të punonin dhe të gëzonin e jetonin të lirë në demokracinë e vërtetë të ndërtonte një Shqipëri të begatë që njerëzit të jetonin të lumtur. Ai dashurinë për atdheun dhe popullin e tij e ka shprehur në vjershat e tij të pakrahasuara kushtrimi për atdheun, për popullin për t’i dalë zot fateve të veta. Ai, la Moskën, Parisin dhe Romën ku mund të jetonte në luks, në vila dhe pallate dhe u kthye si atdhetar, se e donte Shqipërinë të barabartë pa çifligje dhe pallate (e shprehur te vjersha: “Si e dua Shqipërinë”). Vjershat e tij ngritën peshë zemrat e rinisë shqiptare, sepse ato ishin të zjarrta dhe me zemër poeti revolucionar. Prandaj edhe populli i këndoi dhe i këndon me dashuri. Kontributi i tij ishte i madh, i çmuar dhe populli e deshi atë, Sejfullanë si udhëheqës politik dhe Lame Kodrën, si poetin rebel me zë bilbili, me pushkë e flamur në dorë. Ky atdhetar i madh, ky kalorës i historisë dhe demokracisë, ky kolos i kulturës kombëtare provoi një hakmarrje çnjerëzore e të përbindshme. Ai u la të vdiste si të ishte një kriminel. Pa i dhënë ndihmë njeri, edhe pse ai bërtiste nga dhimbjet shumë të forta dhe kërkonte ndihmë njerëzore. Më pas komshinjtë kërkuan ta ndihmonin, por polici kishte marrë urdhër të mos lejonte njeri t’i vinte pranë e t’i jepte ndihmë njerëzore. Po kush e dha atë urdhër kriminal e çnjerëzor? Polici e shefi i tij jo, por më të mëdhenjtë në pushtet, po. Dhe më pas hipokrizia e tyre për ta çuar në spital në momentet e fundit të jetës! Kur e panë në atë gjendje të rëndë mjekët e futën në sallën e operacionit për t’i dhënë ndihmën e Hipokratit, i vunë maskën e narkozës dhe oksigjen. Ai zgjati dorën dhe e hoqën maskën duke thënë se është tepër vonë. Nuk kaluan shumë çaste kur ai dha frymën e fundit pa pasur të afërmit pranë. Më 11 Qershor 1971 në Fier u përcoll në varreza nga motra e sëmurë Zenepja, dy punëtorët e komunales me karrocën dhe tre hijet e sigurimit që nuk iu ndanë për 24 vite me radhë. Sejfulla Malëshova mbetet i gjallë në kujtesën e popullit shqiptar për punë vetëmohuese që Shqipëria e shqiptarët të gëzojnë pavarësinë, demokracinë dhe përparimin shoqëror. Ai ishte dhe mbeti kalorësi i madh i lirisë dhe historisë së popullit shqiptar. Ishte një kolos i kulturës kombëtare, ishte dhe mbeti një patriot i madh i kombit shqiptar. Ai mbetet i pavdekshëm në ndërgjegjen e kombit shqiptar. Ne, të afërmit e Sejfulla Malëshovës ndihemi edhe më krenarë për këtë figurë të madhërishme të popullit tonë. Kemi besim se Komisioni Shtetëror për festimin e përvjetorëve të Pavarësisë dhe ai i vlerësimit të figurave madhore të patriotëve të kombit, do t’i japë vendin e nderit patriotit të madh të kombit shqiptar, Sejfulla Malëshovës.