Afërdita Pepkola:Idhujt e mi Vaçe Zela dhe Alida Hisku, këngët e të cilave i këndoja çdo ditë

857
Sigal

INTERVISTA/ Flet këngëtarja  e muzikës së lehtë dhe popullore Afërdita Pepkola “Kanarina e këngës shqiptare”

Një jetë interesante mbushur me surpriza. Kënga erdhi tek ajo natyrshëm dhe plot emocion. Ka pasur idhull Vaçe Zelën dhe Alida Hiskun Dhe pse nga Kukësi, flet një gjuhë të pastër pa dialektizma. Familja e saj u persekutua në mënyrë të padrejtë dhe pse babai i saj ka marrë letër nga Enver Hoxha. Por kalvari i vuajtjeve u shtua kur ajo e sëmurë nuk mori pjesë në Festivalin e Gjirokastrës së vitit 1988, ku pas tij u dënua të shkojë të punojë në NSHN. Në vitin 1990 për herë të parë merr pjesë në një Festival Ndërkombëtar në Maqedoni ku korr sukses. Në vitin 1994 I çel buzëqeshja pasi ajo shkon me një ekip të RTSH dhe Ansamblit të Këngëve dhe Valleve në SHBA. Vendos të mos kthehet. Për të lulëzon një jetë e re.

 -Kur keni filluar të këndoni për herë të parë?

Kam kënduar që në moshë shumë të vogël, që në moshën 5 vjeç në festivali e fëmijëve në Krumën e Hasit, dhe gjithmonë si soliste. Festivalin që ne organizonim si me kopshtin, shkollën fillore apo me tetëvjeçaren. Unë gjithmonë kam kënduar me këto grupe si soliste, herë isha e shoqëruar me fizarmonikë nga mësuesja ime e muzikës Shkurte Mulaj dhe herë e shoqëruar nga grupi i çiftelive. Këngët me çifteli ishin këngë folklorike dhe i kushtoheshin nënës apo traditave që kishim ne apo edhe për dëshmorët.

-Kush të ka zbuluar si talent?

Unë kam pasur idhull Vaçe Zelënn dhe Alida Hiskun. Babai gjithmonë kur ne kishim të  ftuar në shtëpi, thoshte “unë kam një dhuratë për ju” dhe më  vinte të këndoja përpara  tyre. Këndoja gjithmonë këngët e Vaçe Zelës dhe të Alida Hiskut.

E filloja me këngën e Alidës “ Anës e pas anës o” pastaj vazhdoja të këndoja “Valsin e lumturisë” të Vaçe Zelës.

-Ju vetë jeni familje dëshmori?

Unë jam familje dëshmori, pasi gjyshi im Sadri Rexha është dëshmor nga fshati i Pistës së Kukësit. U vra kur po e dërgonin në kampin e përqendrimit në Prishtinë.

Unë nuk kam arritur që ta njoh gjyshin tim, por nga imazhi dhe vepra që ai la dhe nga historinë që fshati ka për familjen e nënës dhe traditat që ka pasur ajo familje, më bën që të ndjehem krenare dhe çdo 5 maj unë ndjehem edhe më shumë krenare  për veprën ai na la. Ky ishte gjyshi nga nëna. Ne kishim vizita gjithmonë në 5 maj dhe shkonim edhe për vizita në familjet e tjera dëshmore. Ishte një shenjë respekti për ta.

-Po në shkollë 8-vjeçare çfarë këndonit?

Ne merrnim mësime muzike nga mësuesja e talentuar Shkurte Mulaj. Këndonim këngë të festivaleve dhe këngë të reja me çifteli.

-Po këngë për Enver Hoxhën keni kënduar?

Mund të them se për Enver Hoxhën jam një nga këngëtarët që kam kënduar më  shumë. Vokali im ishte shumë i madh. Të gjitha këngët që ishin krijuar në atë kohë ishin me përmasa të mëdha si këngë, dhe me shtrirje të mëdha vokale. Jo me shumë dëshirë, por isha e detyruar që t’i këndoja dhe i kam kënduar. Unë mbaj mend që kam kënduar “Enver, o yll, o dritë”, dhe shumë të tjera që nuk më kujtohet emri.

Babanë e kam pasur komunist dhe  jo nga ata komunistë që kanë shkaktuar terror dhe masakruar familje. Babai im quhej Ali Pepkola. Kishte mbaruar Universitetin për biokimi dhe ka mësuar breza me radhë në tetëvjeçare dhe në shkollën e mesme “Skëndërbeu” Krumë, dhe njihej si një nga talentet dhe mësuesit më të shquar në atë kohë për vet kopshtin zoologjik që krijoi në zonën e Hasit në Krumë. Ai edhe është dekoruar nga Enveri në atë kohë, për veprën e tij që la në  Has, pra për kopshtin zoologjik. Ishte i vetmi në Republikë që ndërtoi në zonë rurale një kopsht zoologjik. Me daljen e tij në pension çdo gjë u shkatërrua. Unë mbaj mend kur isha fëmijë se në kabinetin e tij biologjik që ishte në katin e dytë  gjendeshin të gjitha kafshët nënujore të balsamosura.

Ai ka pasur edhe shqiponjë të gjallë në kabinet që e ushqente vetë, ka pasur edhe  shumë kafshë të tjera të gjalla dhe kujdesej vetëm ai për to. Në kopshtin zoologjik që kishte jashtë, kishte një shatërvan të bukur dhe aty kishte të gjitha llojet e peshqve ku në  Shqipëri nuk i kishte asnjëri në atë kohë. Ai i kishte krijuar ato dhe i mirëmbante me shumë dashuri. Ai krijoi të gjitha familjet e pulave të cilat kishin kotecet e tyre. Kushdo i huaj që vinte në Krumë, përfaqësuesi do ta  sillte  tek kabineti i tij, tek klasa e tij dhe kopshti zoologjik që kishte ndërtuar ai.

-A kishte marrë ndonjë vlerësim ai në atë kohë?

Ne ishim të persekutuar dhe na çuan në  Has. Ishte viti 1967, kur unë kam qenë e  porsalindur. Ne më përpara ishim në Shtanë të Kukësit. Atë vit që ishte viti kundër zakoneve prapanike dhe kundër fejesave në djep. Vajza e xhaxhait tim mori atë që deshi dhe  përmbysi një fejesë që ishte në djep dhe për këtë u masakrua e gjithë familja. I ati i saj u burgos, babai im u internua si mësues në Krumë. Kjo duhej lavdëruar në atë kohë, por regjimi ishte i tillë dhe u keqkuptua. U server e kundërta. I ati dhe e ëma u burgosën dhe ne u internuam në Krumë. Babai me atë talent që kishte u mundua që të mbijetonte edhe pse i mbikëqyrur nga sigurimi. Para se të dilte në pension ai ka marrë letër nga Enveri për këtë punë të pazakontë dhe të paarritshme. Në fund të letrës shkruhej:  I juaji Enver.

Ne atë letër e ruajmë në familje, jo sepse erdhi nga i madhi por se ai u vlerësua vetëm njëherë në jetë. Kjo letër mund të ketë ardhur rreth viteve 1983. Pas kësaj letre nuk erdhi më asnjë  vlerësim. Kjo letër krijoi shumë vështirësi dhe xhelozi. Edhe në aktivitetet e  ndryshme të shkollës që bëheshin babai nuk ftohej më si më parë në vitet  e  pensionit.

-Ju si e vazhduat rrugën e këngës?

Babai im ka qenë ai që më ka shtyrë dhe më thoshte se “unë dua të të shikoj ty në Konservator”. Në familjen tonë vinin shumë miq nga rrethe të tjera të vendit dhe një nga ato netë unë këndoja për kënaqësinë e të ftuarve në shtëpi. Njëherë qëlloi të ishte mysafir Andrea Dhimo, një shok i babait oficer nga Tirana dhe i thotë babait se çfarë do të bëni me Afërditën. Me dëshirën e prindërve unë shkova në konkurs në Kukës për muzikë dhe fitova konkursin. Ishte viti 1981. Nga konkursi që fitova për muzikë ku konkurruan  70 veta, por me degë të ndryshme, unë zgjodha kanton. Pra do shkonim në Shkodër për konkurrim kur vetëm Kukësi kishte 70 vetë që do konkurronin për muzikë.  Në Shkodër kam mbresa të pashlyeshme.  Juria ishte shumë serioze. Ajo përbëhej nga Zef Çoba, Ferid Bala, Florinda Gjergji. Si sot e kujtoj ku unë kam kënduar një këngë të Vitore Rushës. E pashë që më pëlqyen. Përgjigjen e mora më 24 gusht dhe letra më erdhi në komunën e Krumës se aty e kërkova unë të më vinte n.q.s do ta meritoja. Ishte viti 1981.

Si u ndjeve në Shkodër?

U nisa gjithë ëndrra dhe gëzim. Në hyrje të shkollës “Prenk Jakova” më priste Shefi i Katedrës së kantos Ferit Bala. Kur konkurrova ai më tha se nga gjithë konkurrentët e Kukësit ti do jesh ajo që do të shkosh e para në Shkodër, se  ke një vokal të shkëlqyer. Aty nuk do të harroj mësuesen  e   shtrenjtë Violeta Kanani ose Gashi. Në shkollë sekondare kisha fizarmonikën dhe pianon, ndërsa pianon e kisha  primare. Kam mbaruar për kanto soprano dramatike. Në shkollë kemi punuar pjesë të ndryshme klasike. Kemi punuar shumë edhe  jaret shkodrane. Tek jaret shkodrane jo çdo vokal mund të  përshtatet. Unë e gjeta veten aty dhe  kam përparuar me shumë sukses në shkollë.

-Gjatë shkollës morët pjesë në ndonjë konkurs?

Në vitin e tretë të shkollës së mesme, kur ne punoheshim si  soprano dramatike më vjen një ofertë që të marr pjesë në festivalin kombëtar të pionierëve. Një kompozitor i njohur shkodran shkroi në nota me një tonalitet shumë të lartë këngën  “Shoqes nga Prishtina”, dhe nuk gjendej asnjë pionier që të kapte shtrirjen e këngës. Në këtë kohë Shefi i Kantos, Ferit Bala i thotë kompozitorit se do të gjej një pionier me trup të  vogël, por me zë të fortë që do ta kapë këngën. Në fakt unë nuk isha pioniere, por nga trupi ashtu dukesha.

Ku ju emëruan mbas përfundimit të shkollës?

Mbas përfundimit të shkollës unë shkova në shtëpi në  Has në Krumë dhe kam filluar si mësuese muzike në shkollën tetëvjeçare të  Krumës. Kjo ishte për pak muaj. Unë për pak kohë sa ndenja atje i mësova fëmijëve të këndojnë me 4 zëra. U dhashë diçka të re te ajo shkollë, se unë i mësova fëmijëve të lexojnë solfezh. Unë me ata fëmijë kam dhënë dy koncerte për shkollën që i shoqëroja vetë me  fizarmonikë.

Më vonë pastaj vjen urdhri nga Komiteti, nga shoku Muharrem Mezini se duhej të shkoja në Estradën Profesioniste të Kukësit, dhe nëse unë nuk do të pranoja, unë do të ndëshkohesha dhe do të punoja  në fshatin më të largët të Hasit që quhej Cahan që ishte në kufi. Urdhri ishte edhe i padëshiruar edhe nga familja, për të mos humbur profesionin u detyrova të shkoj atje dhe përveç si këngëtare unë pashë se kisha aftësi edhe si aktore humori që u zbulua nga regjisori Bilbil Hereni i cili ka punuar shumë me mua, sepse unë u emërova si aktore humori në Estradë dhe kur në fakt duhej të isha emëruar si këngëtare profesioniste. Jam mirëpritur shumë mirë nga publiku i Kukësit dhe i Hasit dhe i gjithë Shqipërisë. Mund të përmend këtu edhe  partnerin tim Gëzim Bilali si aktor humori në Kukës me shumë vlera. Kam mësuar shumë nga ai njeri. Ne arritëm të krijonim bashkëpunim me estradën e Tiranës dhe bënim koncerte të përbashkëta. Asnjë rreth nuk mund ta bënte me estradën e Tiranës atë. Gjithmonë kam pasur përkrahje dhe stimulim nga publiku dhe asnjëherë e përkrahur nga pushteti, kam qenë shumë korrekte edhe me jetën time private. Çdo gjë ka qenë si donte, çfarë thoshte dhe kur donte Partia. Unë gjithmonë e kam vlerësuar më shumë karakterin dhe pastaj për talentin. Në estradën e Kukësit kam shkuar në vitin 1986 dhe kam ndenjur aty 8 vjet me radhë. Këto 8 vite kam qenë këngëtare profesioniste dhe si aktore humori dhe kam marrë  pjesë në të gjitha aktivitete që organizonte Shtëpia e Kulturës së Kukësit pa marrë  parasysh festivalet folklorike dhe ndërkombëtare.

Po në aktivitet ndërkombëtare a ke marrë pjesë?

Unë kam përfaqësuar Shqipërinë në vitin 1990 në  festivalin Ballkanik me një këngë folklorike “Veç tek unë mbaj mend”. Ky është zhvilluar në Maqedoni në Ohër dhe kam  pasur shumë fjalë të mira.   Kënga ishte solo e pashoqëruar nga asnjë instrument. Të këndosh një këngë solo nga fillimi deri në fund duhet të kesh një vesh shumë  absolut. Të krijosh një emocion pa orkestër,  mendoj se është diçka shumë e madhe. Në Ohër vinin shtete nga e gjithë Ballkani dhe një nga ata  ishte edhe  Shqipëria që përfaqësohej nga Kukësi. Këtu dua të lavdëroj dhe  Mersat Hoxhën që ishte koreograf i valleve të Kukësit. Kishte shumë këngë nga Kukësi, ku kënga ime ishte një këngë kurbeti që vajza ia këndon të dashurit që është në kurbet. Ndërsa kompozitor dhe dirigjent në Kukës kemi pasur të mirënjohurin Alfred Kaçinarin.

-Po kur ka vdekur Enver Hoxha ku keni qenë?

Kam qenë në vitin e fundit të shkollës së mesme në Shkodër. Na mblodhën të  gjithë konviktorët në konvikt edhe ishte qesharake ku mundoheshin të përcillnin dhimbje me zor. Nuk e përjetova vdekjen e tij. Në Shkodër kishte kohë që nën zë flitej kundër Enver Hoxhës dhe pse ishim të izoluar.

-Po babai juaj çfarë mendimi ka pasur për Enver Hoxhën duke pasur parasysh se mori një medalje dhe një letër prej tij?

Ai i besonte të gjitha atyre që ai shkruante. Të lexosh veprat e tij janë vërtetë për t’i besuar, por me shkatërrimin dhe me ndryshimin e sistemit çdo gjë u kuptua. Në shtëpinë tonë ne kemi pasur një bibliotekë shumë të madhe dhe babai i kishte të gjitha veprat e Enverit, pasi lexonte shumë.

 Po në Festivalin e Gjirokastrës s’ke marrë pjesë?

Nuk kam mbresa atë mira për festivalin e Gjirokastrës sepse unë  u persekutova atëherë. Ishte Festivali i vitit 1988. Unë kisha 8 numra si soliste në festivalin e Gjirokastrës. Ai festival është drejtuar nga  drejtori i muzikës i asaj në Kukës kohe Binak Elezi. Një njeri me vese dhe monist. Për arsye shëndetësore unë i kërkova atyre që të shoqërohesha nga një pjesëtar i familjes dhe shteti nuk më lejoi. Unë u shtrova në spital dhe ata kishin shkuar në Gjirokastër pa mua që kisha pjesët dërrmuese të këngëve. Kukësi në atë Festival nuk doli mirë.  Menjëherë sa janë kthyer nga Gjirokastra Drejtori  i Shtëpisë së Kulturës i asaj kohe mblodhi këshillin dhe vendosi që Afërdita duhet të dënohet 6 muaj  punë prodhuese në NSHN sepse nuk erdhi në Gjirokastër dhe nuk morëm çmim. Ishte më i rëndësishëm çmimi se  shëndeti i njeriut. Vendimi u mor nga Kryetari i Komitetit  Muharrem Mezini.

Shkove në NSHN?

Po! Por u ndjeva me shumë fat, sepse drejtor i NSHN-së i asaj kohe ishte Ramadan Cena, ai ka qenë në shkollë të lartë me babanë tim dhe më thotë se “vajza e kujt je”, i them se “jam e Ali Pepkolës”. “Atëherë paraqitu çdo ditë këtu dhe ti do të marrësh karakteristikën sikur ke punuar në NSHN”. Ndërkohë unë isha e detyruar të  merrja pjesë në çdo aktivitet që bënte Estrada dhe  pse shkoja në NSHN. Në një moshë 20-vjeçare jam persekutuar në shpirt.

Në atë kohë kam kënduar me orkestrën e Isuf Myzyrit në Elbasan që kishte në repertor muzikë të përpunuar. Alfons Balliçi që ishte  kompozitor në Elbasan, u tha shokëve se si kishte mundësi që ky zë të vinte nga Kukësi. Kënga doli me shumë sukses dhe mora çmim të dytë në Elbasan. Kënga që mori çmimin e parë ishte “Rrjedh me këngë e ligjërime”.

  -Deri në çfarë viti vazhdove në Estradën e Kukësit dhe si shkuat në Amerikë?

Me estradën e Kukësit vazhdova deri në vitin 1993. Në Amerikë unë erdha me një grup të Ansamblit të shtetit, me disa drejtues të televizionit shqiptar si Qemal Sakajeva, etj. Ansambli bëri një konkurs për një këngë. Do realizohej një film dokumentar për Xho Diogardin senator amerikan me  origjinë shqiptare që jeton në Nju York. Qëllimi i asaj vizite ishte realizimi I filmit dokumentar dhe unë do të këndoja në atë film. Na nxorën vizat për Amerikë nga RTSH. Kur shkuam aty filmi nuk u realizua. Si di arsyet. Por di që Ansambli kishte lidhur një kontratë me Studio Kosova.

Si tu duk Amerika?

Nuk dua të flas për këtë. U shokova. Më mirë se sa e kisha parë në filma. Një ëndërr. Një parajsë. Një mbretëri.  Që në aerodrom e vendosa se nuk do të kthehesha më në Shqipëri sikur dhe të vdisja. S’kish’ më kthim mbrapa.

Si fillove punë?

U lidha me studio Kosovën. Ata më adresuan tek një lokal që kishin kontratë. Kam punuar 6 muaj. Kisha goxha rrogë si fillim. Kam punuar me Nikollë Nikprelaj dhe në dhjetor erdhi Gëzim Nika dhe kam punuar me Gëzimin deri në qershor të vitit 1994 në atë lokal. Vokali im u përshtat  shumë me Gëzimin.

-Çfarë epiteti iu vu këngës dhe timbrit tuaj të zërit?

Unë punoja në një lokal me dy kate. Mbaroja një repertor në një kat dhe zbrisja  në katin poshtë me repertorin tjetër. Kam pasur fat, se kam kënduar me saksofonistin më të mirë në Botë që është bullgar dhe quhet Juri. Kam punuar me disa  orkestrantë të Ansamblit të Shtetit. Me një orkestër  shumë profesionale. Me një orkestër të tillë hapësirat e mia ishin të pafundme. Kam arritur të këndoj edhe  “Bareshën” para publikut. Një nga këto netët u organizua një festival i vogël me të  gjithë këngëtarët që ndodheshin aty nga Shqipëria dhe nga Kosova si:Shqipe Kastrati, Merita Halili, Gëzim Nika, Morena Reka, Parashqevi Simaku dhe një nga ata  kam qenë edhe unë. Unë u vlerësova shumë atë natë dhe u cilësova si “Kanarina e këngës shqiptare” ku bukuria dhe hijeshia e së cilës dhe me freskinë e zërit ishin në unitet. “Baresha” që këndova atë natë, ishte një këngë që mbolli emocion, gëzim, atmosferë. Nuk e prisja. Mora një vlerësim që e dëshiroja shumë. Tashmë ishte viti 1994. Kur shkova në Mishigen në Detroit unë  jam përkrahur shumë nga malësorët e  Mbishkodrës për talentin që kisha. Më ftonin nëpër dasma, nëpër koncerte dhe Afërdita ishte e pranishme gjithandej.

-Në drejtim  të këngës, mendoni se keni arritur çdo gjë në Amerikë?

Jo. Kënga është e pafundme. Unë tashmë po përgatis albumin tim të dytë. Albumin e parë e bëra në vitin 1994. E di pse e bëra? Pasi një ditë në një lokal ku isha me familjen për qejf vjen një shqiptar dhe më jep një kasetë me këngët e mia. Pra kasetë me emrin tim. Më tha kushton 10 dollarë. Ja mora duke qeshur. Kur i dëgjova pashë se cilësia e zërit ishte shumë e dobët, pasi ata  i incizonin direkt nga lokali. Urgjent 6 nga ato këngë i bëra disk, pra album. Shkova në një studio amerikane dhe për 40 minuta incizova këngët me një shok tim që më shoqëronte. Doli kaseta dhe unë fitova goxha me kasetën. Me atë fitim që nxora nga kaseta, arrita të sjell familjen në Amerikë, djalin dhe të krijoj një jetë më të mirë për familjen që kisha në Has…

 Po pjesëtarët e tjerë të familjes, pra motrat dhe vëllezërit a kanë kënduar?

 Në familjen tonë pothuaj të gjithë këndonim, por unë në Festivalet e Pionerëve dhe mbas mbarimit të shkollës këndoja duet me vëllain tim të madh Xhevit Pepkola

Në Amerikë kam motrën që quhet Florida Pepkola, ka mbaruar shkollën e muzikës për flaut dhe këndonte në Estradën e Kukësit dhe këndojmë bashkë në Amerikë në aktivitete të ndryshme,,,,,,,