Afërdita Pepkola: “Peng në zemër”, një klip që e kisha peng

799
Ajo këtë verë realizoi për një klip të “Peng në zemër” pas tri kipeve të suksesshëm verën e kaluar që kanë ngjallur shumë interes tek publiku. Ishte një gjë e rrallë realizimi i kaq klipeve për një periudhë 2 mujore, nismë që është e vështirë nga një këngëtar për një kohë kaq të shkurtër. Por ajo rregullin e punës dhe të kënduarit live e ka mësuar në USA, ku ka për më shumë se 20 vjet. Klipi i këtij viti paksa intrigues tashm ëpo përcillet mes fansave të saj si një risi. Ka kënduar që në moshë shumë të vogël, që në moshën 5 vjeç në festivali e fëmijëve në Krumën e Hasit, dhe gjithmonë si soliste, në Festivalet që organizonin si me kopshtin, shkollën fillore apo me tetëvjeçaren, e shoqëruar me fizarmonikë nga mësuesja e muzikës Shkurte Mulaj dhe herë e shoqëruar nga grupi i çiftelive. Këngët me çifteli ishin këngë folklorike dhe i kushtoheshin nënës, traditave apo edhe për dëshmorët. Mund të themi që është një ndër këngëtaret më të kërkuara në Michigan dhe në të gjitha shtet e Amerikës, ku ajo punon dhe jeton. Në repertorin e saj gjen këngë të të gjitha trevave, ndaj dhe suksesi ka qenë i padiskutueshëm. Ajo u formua si këngëtare në Kukës dhe me vonë u konsolidua në Amerikë.
Edhe këtë vit me një klip të ri “Peng në zemër”. Mos vallë jeta juaj është peng?

Jo jeta ime. Kënga nuk më përket vetëm mua, por i përket gjithë të rinjve të rejave, të gjithë njerëzve të dashuruar. E kush nuk ka pengje në zemër. Të gjithë kanë. Për mendimin tim ai që thotë nuk kam asnjë peng në zemër gënjen. Duke lexuar, duke biseduar, duke parë në FB, duke parë filma njerëzit përgjithësisht në dashuri kanë pengje por dhe në synimet që i kanë vënë jetës. Ndaj them se ky kipi është origjinal, është tejet kohor, dhe i përket mars së madhe të njerëzimit. 
Beson se arrite çka dëshiroje?

Në fillim isha skeptike, isha disi e ndrojtur pasi kjo këngë me pak fjalë duhej të përmblidhte gjithë historitë e jetës si në anën vizuale por edhe atë shpirtëror. Por kënga më rrëmbeu. Më rrëmbyen vargjet, muzika dhe ajo u bë pjesë e qenies time.

Si tu duk këtë vit Shqipëria?

Më e bukur se vjet. Me rrugë të reja, të pastërta, me vizime. Pashë një Shqipëri që po ecën drejt Europës. Pashë gjallëri dhe shumë njerëz. 
Cilët ishin klipet e vitit të kaluar dhe si janë mirëpritur?

Unë verën e kaluar, apo më mirë të themi në korrik realizova tre klipe, “Jam më Labe se ti” Popullore jugu, “U bo jeta internet” Popullore Shqipërisë së Mesme, “N’at zaman të asaj furie” shkodrane klasike. Tre këngë që më mbajtën të freskët gjatë gjithë vitit. Por kënga “Jam më Labe se ti” se ti më duket sikur më ngjizi më shumë, pasi ka timbër, forcë, melodi tunduese.

– Cilat janë këngëtarët tuaj të pëlqyer dhe më të suksesshëm të vegjëlisë?

Në vegjëli unë kam pasur idhull Vaçe Zelën dhe Alida Hiskun. Babai gjithmonë kur ne kishim të ftuar në shtëpi, thoshte “unë kam një dhuratë për ju” dhe më vinte të këndoja përpara tyre. Këndoja gjithmonë këngët e Vaçe Zelës dhe të Alida Hiskut.

E filloja me këngën e Alidës “ Anës e pas anës o” pastaj vazhdoja të këndoja “Valsin e lumturisë” të Vaçe Zelës.
-Flasim për vitet e shkollës 8-vjeçare (në atë sistem) çfarë këngësh këndonit?

Ne merrnim mësime muzike nga mësuesja e talentuar Shkurte Mulaj. Këndonim këngë të festivaleve dhe këngë të reja me çifteli. Por edhe për Enver Hoxhën. 
Mund të them se për Enver Hoxhën jam një nga këngëtarët që kam kënduar më shumë. Vokali im ishte shumë i madh. Të gjitha këngët që ishin krijuar në atë kohë ishin me përmasa të mëdha si këngë, dhe me shtrirje të mëdha vokale. Jo me shumë dëshirë, por isha e detyruar që t’i këndoja dhe i kam kënduar. Unë mbaj mend që kam kënduar “Enver, o yll, o dritë”, dhe shumë të tjera që nuk më kujtohet emri. Babanë e kam pasur komunist dhe jo nga ata komunistë që kanë shkaktuar terror dhe masakruar familje. Babai im quhej Ali Pepkola. Kishte mbaruar Universitetin për biokimi dhe ka mësuar breza me radhë në tetëvjeçare dhe në shkollën e mesme “Skëndërbeu” Krumë, dhe njihej si një nga talentet dhe mësuesit më të shquar në atë kohë për vet kopshtin zoologjik që krijoi në zonën e Hasit në Krumë. Ai edhe është dekoruar nga Enveri në atë kohë, për veprën e tij që la në Has, pra për kopshtin zoologjik. Ishte i vetmi në Republikë që ndërtoi në zonë rurale një kopsht zoologjik. Me daljen e tij në pension çdo gjë u shkatërrua. Unë mbaj mend kur isha fëmijë se në kabinetin e tij biologjik që ishte në katin e dytë gjendeshin të gjitha kafshët nënujore të balsamosura.
Ai ka pasur edhe shqiponjë të gjallë në kabinet që e ushqente vetë, ka pasur edhe shumë kafshë të tjera të gjalla dhe kujdesej vetëm ai për to. Në kopshtin zoologjik që kishte jashtë, kishte një shatërvan të bukur dhe aty kishte të gjitha llojet e peshqve ku në Shqipëri nuk i kishte asnjëri në atë kohë. Ai i kishte krijuar ato dhe i mirëmbante me shumë dashuri. Ai krijoi të gjitha familjet e pulave të cilat kishin kotecet e tyre. Kushdo i huaj që vinte në Krumë, përfaqësuesi do ta sillte tek kabineti i tij, tek klasa e tij dhe kopshti zoologjik që kishte ndërtuar ai.
-Rruga e këngës shumë e vështirë si e vazhduat këtë rrugë?

Kënga ka qenë dhe mbetet bashkudhëtarja ime dhe në momentet më të vështira. Babai im ka qenë ai që më ka shtyrë dhe më thoshte se “unë dua të të shikoj ty në Konservator”. Në familjen tonë vinin shumë miq nga rrethe të tjera të vendit dhe një nga ato net unë këndoja për kënaqësinë e të ftuarve në shtëpi. Njëherë qëlloi të ishte mysafir Andrea Dhimo, një shok i babait oficer nga Tirana dhe i thotë babait se çfarë do të bëni me Afërditën. Me dëshirën e prindërve unë shkova në konkurs në Kukës për muzikë dhe fitova konkursin. Ishte viti 1981. Nga konkursi që fitova për muzikë ku konkurruan 70 veta, por me degë të ndryshme, unë zgjodha kanton. Pra do shkonim në Shkodër për konkurrim kur vetëm Kukësi kishte 70 vetë që do konkurronin për muzikë. Në Shkodër kam mbresa të pashlyeshme. Juria ishte shumë serioze. Ajo përbëhej nga Zef Çoba, Ferid Bala, Florinda Gjergji. Si sot e kujtoj ku unë kam kënduar një këngë të Vitore Rushës. E pashë që më pëlqyen. Përgjigjen e mora më 24 gusht dhe letra më erdhi në komunën e Krumës se aty e kërkova unë të më vinte n.q.s do ta meritoja. Ishte viti 1981.
Shkodra djep i këngës, si je ndjerë në Shkodër?

Eh, Shkodra. Mos e fol. U nisa gjithë ëndrra dhe gëzim. Në hyrje të shkollës “Prenk Jakova” më priste Shefi i Katedrës së kantos Ferit Bala. Kur konkurrova ai më tha se nga gjithë konkurrentët e Kukësit ti do jesh ajo që do të shkosh e para në Shkodër, se ke një vokal të shkëlqyer. Aty nuk do të harroj mësuesen e shtrenjtë Violeta Kanani ose Gashi. Në shkollë sekondare kisha fizarmonikën dhe pianon, ndërsa pianon e kisha primare. Kam mbaruar për kanto soprano dramatike. Në shkollë kemi punuar pjesë të ndryshme klasike. Kemi punuar shumë edhe jaret shkodrane. Tek jaret shkodrane jo çdo vokal mund të përshtatet. Unë e gjeta veten aty dhe kam përparuar me shumë sukses në shkollë. Në vitin e tretë të shkollës së mesme, kur ne drejtoheshim si soprano dramatike më vjen një ofertë që të marr pjesë në festivalin kombëtar të pionierëve. Një kompozitor i njohur shkodran shkroi në nota me një tonalitet shumë të lartë këngën “Shoqes nga Prishtina”, dhe nuk gjendej asnjë pionier që të kapte shtrirjen e këngës. Në këtë kohë Shefi i Kantos, Ferit Bala i thotë kompozitorit se do të gjej një pionier me trup të vogël, por me zë të fortë që do ta kapë këngën. Në fakt unë nuk isha pioniere, por nga trupi ashtu dukesha.
Sigal