Adriana Koreta: Shqipëria, vendi im ideal për të jetuar, ajo pjesë e zemrës që nuk vdes kurrë

1537
Sigal

Është një ndër këngëtaret më të preferuara të muzikës popullore e kudogjendur në dasma dhe gëzime, në koncerte të ndryshme anembanë botës, si në Amerikë, Kanada, Australi, Angli, Shqipëri dhe në të gjithë Diasporën. E kemi fjalën për këngëtaren simpatike Adriana Koreta. Adriana, edhe pse ka ikur shumë e vogël nga Shqipëria e ka jetuar në Greqi, më pas ka emigruar drejt Londrës karrierën e saj nuk e ka ndalur për asnjë sekondë. Në një intervistë për gazetën “Telegraf”, Koreta na tregon vështirësitë që ka pasur kur ka emigruar rrugën e vështirë të muzikës si dhe planet për të ardhmen. Adriana gjithashtu na tregon dhe disa detaje nga jeta e saj private.

Adriana, si ju lindi dëshira për muzikën ?

Në fakt, muzikën e kam mikeshë të përhershme, pothuaj të trashëguar. Që kur isha fëmijë këndoja gjithnjë dhe gjithandej; si në shkollë, në shtëpi dhe, sigurisht ëndërroja dhe dëshiroja që të bëhesha një këngëtare e njohur.

Pas kaq vite jetë artistike, sa klipe numëroni në arkivin tuaj?

Unë numëroj disa klipe, nuk di ta them fiks me numër të saktë, por di që shifra kalon mbi 20 klipe. Por ajo që dua t’ju them është se të gjitha klipet e mia, pa përjashtim, janë pritur mjaft mirë nga publiku dhe për këtë jam e kënaqur.

Ju njiheni si këngëtare Jugu, pasi këngët tuaj ruajnë pikërisht koloritin muzikor të Shqipërisë jugut keni menduar ndonjëherë të ndryshoni rrymë muzikore?

Është e vërtetë që unë njihem si këngëtare popullore jugu, pasi jam dhe vetë andej, pra nga Vlora. Por unë i këndoj të gjitha zhanret e tjera të muzikës, mesa mundem dhe me mënyrën më të mirë të mundshme.

Sa të vështirë e keni pasur për të ecur në rrugën e muzikës në fillimet tuaja?

Unë them se çdo gjë që nis në fillim ka vështirësi, kështu dhe unë kur kam filluar të këndoj për herë të parë kam pasur vështirësitë e mia, por me shumë punë ia kam dalë. Pastaj, nuk ka punë pa lodhje, por kur lodhja shpërblehet me rezultate dhe cilësi është kënaqësi, them unë. Por tani u bënë vite që unë merrem me muzikë dhe i kam kaluar vështirësitë më të mëdha dhe them se tani jam në rrugën e duhur.

Brenda impenjimeve muzikore, cilat janë planet tuaja më të afërta në kohë?

Kam shumë plane të afërta, së shpejti del dhe kënga dhe klipi im i ri, që shpresoj t’i pëlqejë publikut. Por nuk do ta le me kaq, gjatë kësaj vere, për të gjithë adhuruesit e muzikës sime do të kem shumë surpriza.

Nëse për arsye nga më të ndryshme do ta linit muzikën, çfarë do të bënte Adriana?

Unë s’e mendoj kurrë ta lë muzikën, pasi është dashuria ime më e madhe, por ndoshta s’e di mund të më lërë ajo mua, edhe pse nuk besoj se kjo gjë ka shanse të ndodhë (Qesh ).

Thonë që labet janë shumë kokëforta ju si e tillë do të na zbuloni, sa e vërtetë është kjo?

Unë nuk jam tip kokëfortë, pasi nuk kam pasur rastin ndoshta edhe ta tregoj. Sa për faktin që jam labe, kjo përkatësi as nuk më ka penguar e as më ka ndihmuar ndonjëherë, prandaj ndoshta kam zgjedhur të jem elastike.

Nëse do të duhej të zgjidhnit midis Londrës, Athinës, Amerikës, dhe Vlorës si vendin tuaj të preferuar për të jetuar ku do të qëndronit?

Pa diskutim, që për të jetuar nuk do doja kurrë të lëvizja nga vendi im, por kushtet e vështira më detyruan që të emigroja që në moshë të vogël, edhe pse në një farë mënyre jam munduar që të mos i humb kurrë marrëdhëniet me vendin tim dhe pikërisht për këtë gjë më pëlqen të këndoj shqip, një pjesë e zemrës, ajo e lidhur me vendlindjen time, nuk vdes kurrë. Shqipëria do të ishte vendi im ideal për të jetuar, pasi ajo është pjesa e zemrës që nuk vdes kurrë.

Si e mban mend daljen tënde të parë?

Më kujtohet dhe mjaftë mirë madje më kujtohet si tani ishte shumë emocionuese dhe tani që po e kujtoj më vjen pak për të qeshur jam ngjitur në skenë me taka dhe zbrita pa to (Qesh).

Cili është ushqimi juaj i preferuar?

Ushqimi im i preferuar është sushi dhe fasulet.

Do donit të ndanit me fansat momentin tuaj më të vështirë e të na tregoni si e superuat?

Momenti më i vështirë ka qenë kur nuk kam mbajtur dot emocionet. Jemi njerëz dhe ndjenja të tilla si malli, mirënjohja, entuziazmi i publikut të prek, por artistit i duhet të mbledhë veten dhe të vazhdojë të këndojë.

Duke kaluar tek shijet personale, cila është veshja e preferuar e Adrianës?

Zakonisht veshja ime e preferuar është sportive, por ç‘të bëj,… duke qenë se profesioni ynë kërkon edhe stil, jam e detyruar të vishem me lloje të ndryshme veshjesh.

A mund të na besoni çmendurinë më e madhe që keni bërë?

Deri tani s‘kam bërë ndonjë çmenduri, jam gocë e qetë.

Parapëlqeni të ecni me plane afatshkurtra apo afatgjata ?

Ëndërroj plane afatgjata, po zakonisht bëjë plane afatshkurtra.

A ka ndonjë Princ të kaltër rreth Adrianës?

Princ i kaltër s’ka dalë akoma nga kështjella e tij e madhe, por do shkoj vetë ti bëjë serenatë. (Qesh), jo ende.

Dhe pse është ende shpejt unë do isha kureshtare të dija se ku do të jetë Adriana për Festat e Fundvitit ?

Mendoj se për Festat e Fundvitit do të jem e ftuar nga komuniteti i USA nga Albanian Entertainment LLC me president Hysen Elmaza.

Intervistoi, Era Çela