Adrian Puka:Arkitektura shqiptare për çdo ditë po bëhet më e larmishme dhe më e konsoliduar

792
Sigal


INTERVISTA/ Flet arkitekti dhe piktori Adrian Puka: Duke parë filmin  “Helena e Trojës”, pikturoja anije me vela  

Këto ditë të fillim shkurtit arkitekti dhe piktori Ardian Puka, sjell ekspozitën e tij të radhës me tablo në telajo me teknikë mikse, rëre, zhavorr, vaj, akrilik etj., si dhe vizatime në letër. Në këtë ekspozitë personale punimet që ofrohen në Muzeun Historik Kombëtar janë të punuara gjatë një periudhe të gjatë kohe, afërsisht 7 vjet qysh nga ekspozita e tij e fundit personale në vitin 2006. Në ekspozitë ka tablo në telajo të përmasave nga 80 x 100 deri 100 x 115, por edhe disa punë në përmasat e mëdha (100 x 180. E veçanta e kësaj ekspozite është se Puka, në tablotë dhe letër ka përdorur gjithashtu në masë të madhe dhe spontane stuko, karbon, lapsa, pastela etj..

 Si e keni titulluar ekspozitën e fundit?

E kisha të  vështirë te gjeja  një  titull  të ekspozitës  apo të punëve,  për  një çast mendova ta quaj “ky  njeriu”  por mund  pak  emocional  dhe  deklamativ.  Përfundimisht  e  lashë në dorë të publikut të vendosë ai  vetë titujt  e  punëve, të tablove.

  Cila është piktura juaj e parë?

Në  shkollën  fillore shkoja  në  rrethet   jashtëshkollore tek ne, rrethet e pionierit.  Në  kohën e lirë, me fëmijët e pallatit  tonë  shkonim   buzë  detit  të  bukur  të  Vlorës  dhe  zhyteshim në  bojërat  dhe  peizazhin  krejt të  veçantë  të  Detit  Jon.

 -Cila gjini e pikturës është më e preferuara, portreti, peizazhi apo abstraksionizmi?

 Përjashtoj  abstraksionizmin,  sepse  me  duket  spekulim  apo  si   një  gjendje  psikologjike  jo  e  shëndetshme  për   njeriun.  Ne  jemi  individë  konkrete,  jetojmë  jete  konkrete,  në  peizazhe  konkrete; abstragimi  është  i  domosdoshëm dhe  tejet i rëndësishëm, ( jo vetëm në art, por  edhe në shkencë, ekonomi, filozofi),  por  ai  nuk duhet  të bëhet qëllim dhe totalitar.

 -Me çfarë bojërash pikturon  me vaj apo akuarel dhe pse?

Aktualisht përdor të  gjitha  llojet e  teknikave që mund  të ofrohen  nga tregu  dhe  jo  vetëm. Në tablotë  e  mia  ka  përzierje të akrilikut,  vajit,  rërës, zhavorrit,  stuko,  qymyr, pastel,  lapsat   etj..

 -Cila ka qenë ekspozita më e mirëpritur nga kritika?

Do  të desha  të  thosha  se  ndoshta kjo e fundit  mund të jetë  me  e pjekur  se të mëparshmet;  por  edhe  ato të punuar  në  tekniken  mikse  mbi  letër (pastel)   janë  mirëpritur  kryesisht  nga  publiku  për  faktin sepse  qëndronin   pak  më  shumë “dekorative’  dhe  më të thjeshta  për t’u  kuptuar.

 -A është shkolla shqiptare e pikturës në ato me nivelin e vendeve të tjera europiane?

Kam  respekt  për  shumë nga  pedagogët e Institutit të Arteve. Dikush  nga  ta  është  edhe  si   një  lloj  ylli  për  punën time.  Mendoj  se,  puna nuk  ecën  më tej  me  vet  artistët e rinj  që duan të futen në rrugën e artit;  na  duhet të pohojmë  se është një  monopat  i vështirë dhe shumë  shpesh i  ‘rrezikshëm”.

  – Veprat (pikturat) artistike të realizmit socialist  a kanë pasur nivel artistik dhe a ka pas vlera ajo periudhë?

Disa prej  tyre nuk mund të  mohohet  se shfaqin  edhe  nivele  artistike.  Tek- tuk  vepra të artistëve  dalin  mbi banalitetin  dhe  klishetë  për  t’u  ngjitur  me  shumë  mundim  deri   në  art.

 – Cilat janë problemet e pikturës sot?

Problemi  me  i  madh  mendoj  se është  niveli  kulturor  i shoqërisë;  shfaqet  pak  e  kultivuar  dhe pak e interesuar  për  artet  dhe  në veçanti për  artet pamore.  Fatkeqësisht sallat e ekspozitave dhe  galerive  janë te  boshatisura,  ndërsa  edukimi shkollor  është  i dobët

Mendimi për arkitekturën shqiptare?

Për çdo ditë po bëhet më e larmishme dhe më e konsoliduar duke ruajtur traditën.