Adrenalina e Malësisë së Madhe

638
Nga Ramazan ÇEKA

Elvira i do dhe e respekton publikun, sepse siç thotë ajo, ai është juria më e mirë.
-Natyra e saj energjike e kurajoze, talenti e pasioni për këngën e muzikën, janë faktorët kryesorë që e bënë të njohur emrin e saj

– Gjatë bisedës me të, me buzë në gaz, Elvira tregon gjithashtu se ndjehet e mbështetur nga njerëzit e saj dhe nga shoqëria
Malësia e Madhe është një trevë shumë e mirënjohur historikisht për tradita të shquara, ku mund të veçojmë mikpritjen dhe bujarinë, trimërinë dhe patriotizmin, por dhe pasurinë e madhe të kësaj krahine për vlerat e jashtëzakonshme etnografike dhe folklorike. Malësia Madhe ka nxjerrë poetë popullorë dhe profesionistë, muzikantë popullorë dhe profesionist, por edhe këngëtarë popullorë dhe profesionistë dhe kështu, siç e ka krijuar natyra me bukuri të jashtëzakonshme Malësinë e Madhe, ajo ka qenë gjithmonë një fidanishte e pashtershme e talenteve. Për këtë shkrim unë hyra me shumë dashuri në këtë fidanishte dhe nga filizat e saj përzgjodha një këngëtare të re e të talentuar që quhet Elvira Fjerza. E përzgjodha këtë, sepse ajo ashtu si shumë vajza e djem të kësaj treve, me zërin e saj ruan dhe përçon jo vetëm traditat e zonës, por edhe ato folklorike kombëtare. Këngëtarja e re Elvira Fjerza, me zërin e saj të bukur dhe me interpretimin e ëmbël, përcjell emocion dhe kënaqësi të veçantë që buron nga shpirti i saj, duke përjetuar fuqimisht çdo notë dhe varg të këngës që ajo këndon. Që në hapat e parë të saj ajo u shfaq e veçantë plot talent dhe që me daljen e parë në skenë, në një moshë shumë të re ajo u vlerësua për paraqitjen e saj si një zë premtues dhe me vlera të vërteta artistike, që premtonte se një ditë do të bëhej një këngëtare që do të përfaqësonte me dinjitet krahinën ku kishte lindur. Këngëtarja Elvira Fjerza e nisi “karrierën” e saj që në bankat e shkollës. Ajo në vitin 2012 në një aktivitet të titulluar “Lojëra Popullore”, organizuar në kalanë “Rozafa” në Shkodër, vlerësohet me çmimin e tretë me këngën “Kënga ime bashkon trojet”. Natyra e saj energjike e kurajoze, talenti e pasioni për këngën e muzikën, janë faktorët kryesorë që e bënë të njohur emrin e saj. Siç duket, trashëgimia malësore për të bukurën dhe dashuria për çdo vlerë të saj, kanë qenë një pasuri e madhe shpirtërore që kanë sjellë dhe kanë ndihmuar në formimin e një këngëtareje si Elvira. Ajo sot është në proces të një albumi muzikor me këngë nga repertori i saj, ku në bashkëpunim me autorët e teksteve Qazim Çela, Fran Kodra, Lulash Brigja dhe Ramazan Çeka, si dhe bashkëpunimi i suksesshëm me kompozitorin Luan Dagistani, Vani Rushiti, Ervin Gonxhi Roland Çuka dhe Behar Neli, së shpejti do të prezantohet me albumin e saj të parë. Elvira ka realizuar disa videoklipe të suksesshme dhe vazhdon me intensitet për vazhdimësinë e saj në këtë angazhim, duke qenë gjithmonë kështu e mirëpritur dhe ku mund të veçojmë disa krijime siç janë këngët: “Djalë fantastik”, “Je i mirë, por s’je për mu”, “Vitet shkojnë”, etj. Krahas performancave të saj në gëzime familjare, Elvira është aktivizuar edhe në skenë, në evenimente të ndryshme kulturore dhe artistike si në: Nikaj-Mërtur, Trevën e Dukagjinit, Shkodra Fest, Hite Verore, Sofrat e rrethinave e të tjera aktivitete si këto. Talenti i saj, që tanimë ishte bërë evident, ishte një premisë që ajo të thirrej pa ngurrim në vitin 2015 në skenën e Festivalit Folklorik të Gjirokastrës si këngëtare e Malësisë së Madhe, duke u radhitur përkrah shumë emrave të njohur të folklorit shqiptar, që edhe sot e kësaj dite nuk janë shkëputur nga skena. Performanca e saj në një duet me këngëtarin e mirënjohur të kësaj treve Arben Delaj, titulluar “Mora bjeshkën” në këtë festival u mirëprit dhe u pëlqye, jo vetëm nga publiku, por edhe nga specialistët e shquar të kësaj fushe, të cilët e inkurajuan për të vazhduar rrugën e saj aq premtuese. Ajo këndoi atje si pjesë e grupit folklorik që përfaqësonte Shkodrën, përkrah mjeshtërve të shquar të folklorit si: Pretash Nilaj, Fran Kodra e Ndue Shytani. Padyshim që kjo ngjarje ishte shumë impresionuese për Elvirën, por edhe një hap i vendosur për të ardhmen, të cilën ajo do ta ndiqte me shumë dashuri e pasion. 

Sot Elvira Fierza ndjehet e lumtur, por dhe e emocionuar kur tregon ngrohtësinë që ajo ka ndjerë nga përkrahja e publikut, një fakt ky që ajo e vlerëson dhe e lidh me kërkesat e shumta në evente të ndryshme. Kështu ajo filloi rrugën e saj si këngëtare, duke dhënë koncerte të shpeshta në Kosovë, Gjermani, Belgjikë, Itali etj, tanimë duke u prezantuar me identitetin e saj: Elvira Fjerza.Me shumë emocion ajo tregon për marrëdhëniet e saj artistike me fansat e saj, të cilët shpesh e ndalojnë, e rrethojnë dhe të gjithë së bashku bëhen personazhe të fotove shumë të bukura. Elvira i do dhe i respekton, sepse siç thotë ajo, ata janë juria më e mirë. Gjatë bisedës me të, me buzë në gaz, Elvira tregon gjithashtu se ndjehet e mbështetur nga njerëzit e saj, shoqëria, por kryesisht nga bashkëshorti i saj Erioni. Në këtë kontekst ajo nuk harron të falenderojë për ndihmesën dhe përkrahjen e pakursyer që ka pasur nga prof. Prekë Mrishaj dhe drejtuesi artistik i Qendrës Kulturore “Pjetër Gaci” Bardhyl Hysa. Krahas pasionit për këngën, Elvira ka pasion edhe shkollën. Ajo vazhdon studimet në Fakultetin e Drejtësisë, në Universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër. Ajo është një frekuentuese e rregullt e palestrave të fitnesit, duke qenë kështu kërkuese ndaj vetes, në mënyrë që gjithmonë të paraqitet para publikut e freskët dhe e bukur, si një lule e bjeshkëve të Malësisë. Elvira edhe sot, ashtu si, që në moshë të vogël ka idhujt e saj që lidhen me këngën dhe me respekt përmend emra shumë të njohur të këngës si: Gjyste Vulaj, Afërdita Demaku dhe Elisabeta Marku. “Duartrokitjet e publikut, thotë me shumë kënaqësi Elvira, do të më mbajnë mua në rrugën e këngës. Jetës time artistike ato m’i japin gëzim e vlerësim dhe unë mendoj se ata dhe familja ime do të jenë gjithmonë çelësi i suksesit tim”.