Adonis FILIPI/ Festivali ‘Skampa” dhe detyrat e teatrit europian

599
Sigal

Festivali i qytetit të Elbasanit, një kryqëzim ndërkulturor i cili bashkon aspektet e diversitetit të kulturave

*regjisor

 Ndërrimi i shekujve nuk shënoi vetëm një ndryshim thelbësor kohor, por mbi te gjitha ishte  ngjarje qe provokoi realisht vizione e koncepte te reja. Shfaqja e një moshe të re përbente  esencialisht dhe prezencën e një shprese te re. “Madhështia” e Europës së lashtë kishte filluar të bjerë, duke afruar më shume hapësirë drejt një sensi te ri, mishërim i nevojës për një dimension te ri te ekzistencës sonë humane. Nën këtë dekor inspirues, mori rrugë i pari miting ndërkombëtar teatror i realizuar ndonjë here në Shqipëri, Skampa 99-te.

Festivali në rolin e dialogut ndërkulturor.

Teatri shqiptar, gjysmë shekulli pas rënies së perdes së hekurt vinte nga një prej diktaturave më te egra në rajon e më gjerë. Si një teatër i organizuar dhe i kuruar nga shteti, kish krijuar  artistë me prestigji dhe audiencën e tij, por ndërkohë ai shpaloste një gjendje tejet tradicionale te aplikimit të formave teatrore, i dominuar kryesisht nga teatri i fjalës, një teatër me përfundime sociale, që materializon dhe jep substancë, mesazh skenik. Historia e gjysmës se shekullit te kaluar, e teatrit perëndimor dhe vazhdimësia e shekullit XXI, i kishin provuar tashmë botës një fytyrë të re të teatrit, një teatër inteligjent që i bënte thirrje shqisave më tepër se sa mendjes. Ishte ky realitet i ri që parashtroi kërkesën emergjente të ndërtimit të urave të dialogut ndërkulturor, që do të adresonte artistët shqiptare për sprova dhe aplikime drejt mjeteve të reja shprehëse, për të krijuar një integrim sa më të natyrshëm me rrjedhat bashkëkohore që zotërojnë aktualisht teatrin në Ballkan, në Evropë dhe në botë. Ta shohësh teatrin me mundësinë e të shprehurit përmes formave, përmes krejt asaj që është, lëvizje, tingull, ngjyrë, plastikë etj, d.m.th ti kthesh destinacionin e origjinës, t’ia japësh pamjen e vet religjioze dhe metafizike. “Format e reja” do të quhej edicioni i parë i këtij festivali, në konsekuencë me synimin e tij për të qenë një festival i kërkimit estetik teatror, i shkëmbimit të eksperiencave dhe ideve në kontekstin e zhvillimeve bashkëkohore të teatrit Europian e më gjerë. Trupa e Sarajevës me “Trëndafil në tatuazh”, nga  T Williams, do të ngrejë siparin e takimi mbresëlënës për formën artistike 16 vite më parë. 14 performanca nga Holanda, Kosova, Maqedonia etj, në një manifestim të madh solidariteti ndërkulturor. E gjithë  kjo si një zgjim i papritur nga një kllapi magjistarësh. Shqipëria sapo kish dalë nga kaosi social i 1997. Dhe qyteti i Elbasanit, si qytet i traditës, dijes dhe kulturës, afronte skenën e tij për ti bere thirrje koshiencës shpirtërore shqiptare për tu zgjuar dhe për të  hedhur vështrimin drejt së ardhmes, përmes mitingut ndërkombëtar teatror ‘Skampa 99”. Të paharrueshme gjithashtu do të ngelen produksionet bashkëkohore shqiptare të Teatrit “Migjeni” me “Vizita e fundit”,  teatrit “Skampa” me “Mësuesi” nga Ionesko etj. Për të vazhduar mandej me dhjetëra e dhjetëra performanca mbresëlënëse, për kërkimin estetik dhe emocionet e përcjella si kompania “Oaz” me “Vita brevis”, apo  kompania sllovene “Museum” me “Gjethe kajsie” e deri tek kompania “Puzle” nga Kosova e edicionit të 16te  me “Një lloj Alaske” të Harold  Pinterit, performancë kjo e shfaqur ne rrethinat e kombinatit metalurgjik. Festivali është përherë një sfide e vazhdueshme, duke e konsideruar teatrin një shërbesë përditësuese terapeutike tempulli, për njerëzit e qytetërimit aktual, për njerëzit që lëvizin me ritmin e shpejte të jetës së përditshme duke kombinuar emocionet dhe mendimet për meritat e tyre. Ky teatër ku përgatiten mjedise është njëkohësisht dhe trashëgimi e përbashkët, ku çdo komb mund të prezantohet, të zhvillojë dhe të lulëzojë kulturën e vet kombëtare dhe kontribuojë në kulturat e tjera. Nën këtë kontekst festivali ‘Skampa”, qyteti i Elbasanit, i parë si një kryqëzim ndërkulturor i cili bashkon aspektet të diversitetit të kulturave nga vende të ndryshme nga e gjithë bota, duke ndarë e zhvilluar me publikun,  dialogun multi kulturor, hap horizonte të reja për audiencën duke shprehur ndjenjat dhe idetë e shumta. Konteksti i këtij festivali, si një teatër në kërkim të formave të reja bashkëkohore,  përmes diversitetit të alternativave është ne kërkim të vazhdueshëm dhe apelon gjithashtu për zgjerimin e audiencave, ku gjithsekush mund të identifikojë vetveten. Mbi  60 000 spektatore, artdashës të gjeneratave te ndryshme, kryesisht te rinj, studentë në vite,  përbejnë audiencën e festivalit. Mbi 180 trupa teatrore, të përfaqësuara nga diversiteti i alternativave, kanë performuar jo vetëm në sallat e mbyllura të teatrit, por dhe në mjedise të hapura jo konvencionale në kalanë e qytetit, në mjediset universitare dhe më gjerë. Mbi 2500 artistë të shquar përgjatë 16 edicioneve, aktorë, regjisorë, kritikë e specialistë nga vende të ndryshme të botës si Shqipëria, vendet e Ballkanit, Italia, Gjermania, Anglia, Rusia, Holanda, Polonia, Belgjika apo edhe USA e Argjentina etj, kane prezantuar prurjet dhe praktikat bashkëkohore të teatrit, duke kontribuuar njëkohësisht ne zvogëlimin e barrierave kulturore dhe e parë në kontekstin e marrëdhënies që teatri, festivalet, krijojnë me mjedisin qytetar, ato kthehen në shërbim të rivitalizimit të vlerat të tij, të rritjes së dialogut ndërkulturor në zbulimin e përvojave historike, kulturore dhe artistike për ti ndarë me botën.

Festivali si një institucion i hapur

Kur bëhet fjalë për një problematikë të mprehtë dhe ide të fuqishme, teatri kurrë nuk mund ta realizojnë misionin e tij pa një formë magjepsëse, të cilat duhet ti përgjigjen stadeve të zhvillimit kulturor dhe estetik. Prandaj arti i teatrit është përherë i hapur në diskutim me diversitetin, alternativat dhe me mundësinë që i afrohen për ndryshime të mëtejshme. Kriza e dramatizimit të gjuhës teatrore e pasqyron më së miri këtë dukuri permanente të teatrit përmes kërkimit estetik, maturimit te tij drejt universalitetit të vlerave. Festivali kurrë nuk ka reshtur së fokusuari në ato tematika që përcjellin prirjet bashkëkohore te teatrit. Përgjatë edicioneve të tij i “Tolerance”, “Provokacion”, “Teatër i diversitetit”, “Përtej kufijve”, “Arkitektura e ndjenjës” e deri ne edicionin e fundit “Brenda/Jashtë”,  ka afruar  larmi stilesh, performancash e vizionesh, produksione qe godasin stereotipin skenik, që tejkalojnë kufijtë e teatrit dhe shprehen të hapur ndaj arteve të tjera. E parë nga lartësia e 16 edicioneve “Skampa” është një udhëtim dinamike dhe i suksesshëm, pa marrë parasysh të gjitha problemet, shqetësimet e ngritura në lidhje me atë çka ka shoqëruar vitet e fundit, limitimin e mbështetjes financiare. Gjithsesi, me vazhdimësinë e tij dhe konsekuencën artistike, pasurinë programore, “Skampa” është një histori e investim e kthyer në një vlerë vokative të traditës së re shqiptare, një mundësi fleksible e promovimit të kulturës kombëtare ne botë, përmes teatrit. Me programin e gjerë të ngjarjeve shoqëruese, Skampa ka shërbyer si platformë ndër-kulturore për takime shumë-gjuhësore, polemikash dhe diskutimesh, mbi çështjet më të ngutshme teatrit me artistë, krijues dhe studentë nga Akademia e Arteve, studentë të letërsisë të Universitetit “A Xhuvani”, Elbasan, si dhe gazetarë që mbulojnë rubrikat teatrore në median e shkruar dhe atë elektronike .

Work-shopet, seminaret apo konferencat, përcjellin larmi trajnimesh nga eksperimentimet e teatrit fizik, lëvizjes, të praktikave menaxheriale, apo kritikes teatrore me artistë e specialistë të ftuar në festival. E tillë ishte dhe “atelieja e shkrimit te ri dhe teatri postdramatik” që u mbajt nga dramaturgu i shquar kosovar, J Neziraj, përgjatë festivalit të fundit. Ne kemi besuar gjithmonë dhe do të vazhdojmë të kemi besim në vlerat e Festivalit, për shkak se ai është vendi ku duhen kërkuar arsyet për mbijetesën e Skampës, pas gjithë këtyre viteve.

 Sot në Muzeun Historik Kombëtar çelet Ekspozita fotografike për Kongresin e Lushnjës

Në Kuadrin e 95-vjetorit të Kongresit të Lushnjës, në sallën kryesore të Muzeut Historik Kombëtar do të hapet një ekspozitë interesante me fotografi, me objekte dhe figura historike nga punimet e këtij Kongresi. Kjo ekspozitë është e para që çelet në kuadër të kësaj ngjarjeje kaq të rëndësishme në historinë e Shqipërisë. Ekspozita do të hapet sot në ora 10-00 dhe do të qëndrojë e hapur për tre ditë me radhë. Në këtë ekspozitë fotot që do të paraqiten shumica bëhen publike ëpr herë të parë.