Abuzimet e bankave, si mund të ankohen qytetarët

758
Ankesë ndaj bankave, qytetarët mund t’i drejtohen BSH-së
Banka e Shqipërisë, në raportin e mbikëqyrjes, thekson si prioritet kryesor mbrojtjen e konsumatorit dhe të klientelës bankare
Banka e Shqipërisë, në raportin e fundit të mbikëqyrjes, thekson si prioritet kryesor mbrojtjen e konsumatorit dhe të klientelës bankare. Raporti citon se, segmenti “individë/persona fizikë” kanë çdo herë mundësinë e ankimit pranë Bankës së Shqipërisë, për institucionin financiar, bankë ose jobankë, të licencuar në lidhje me çështjet e pazgjidhura mes palëve (klient-bankë). Ankesa në Bankën e Shqipërisë mund të adresohet drejtpërdrejt nga klienti ose mund të jetë një ankesë e përfaqësuar nga një palë e tretë (avokat/studio ligjore).

Sipas BSH-së, Departamenti i Mbikëqyrjes si rregull, me marrjen në administrim të ankesës koordinon me Departamentin Juridik (nëse ky është rasti) dhe më tej kryen një investigim të problematikës duke kërkuar informacion më të plotë dhe të detajuar nga institucioni që është subjekt i ankesës. Në çdo rast një shkresë-përgjigje i adresohet klientit ku shprehet edhe qëndrimi i Bankës së Shqipërisë për çështjen në fjalë, citon BSH-ja. Segmenti “individë/persona fizikë” vlerësohet si pjesa më e ekspozuar dhe e pambrojtur e klientelës në kushtet kur mundësitë (organizative, financiare, ligjore), njohuritë dhe kultura e të kuptuarit të çështjeve komplekse që lidhen me produktet, shërbimet bankare dhe financiare janë më të kufizuara se segmenti i personave juridikë. Ndaj dhe BSH-ja po rrit transparencën dhe komunikimin me qytetarët për të përmirësuar ecurinë e standardet e punës në industrinë bankare.

Gjatë viteve të fundit janë të shumta rastet e ankesave të qytetarëve për marrëdhënien e tyre me bankat. Qytetarët ankohen për mungesën e transparencës dhe informacionit nga ana e bankës, si dhe për kontrata që shpeshherë hartohen në dëm të klientëve. Në veçanti, qytetarët janë ankuar për ndryshime të njëanshme të normave të interesit, si dhe për tarifa shtesë të vendosura nga bankat për shërbime të ndryshme. 

Më shtrenjtë të marrësh një kredi, interesat rriten ndjeshëm
Muaji maj nuk ka qenë i mbarë për të gjithë ata që kanë dashur të marrin një kredi në bankë. Përveçse huaja për ekonominë ka shënuar rënie, ajo ka qenë edhe më e shtrenjtë. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, interesi mesatar i kredive të reja të dhëna në lekë në maj u rrit në 7.27%, nga 5.25% që kishte qenë muajin e mëparshëm. Ndikimin kryesor në këtë shtrenjtim të kostos së kredisë e kanë dhënë huatë afatshkurtra, ku ato deri në 6 muaj u shtrenjtuan me një pikë përqindjeje (nga 6.55 në 7.66) dhe nga 6 muaj deri në një vit ishin 1.6 pikë përqindje më të larta (nga 3.895 në 5.51%). Edhe huatë mbi 5 vjet, që përdoren kryesisht për investime, arritën në 7.9%, nga gati 6% që ishin muajin e mëparshëm. E kundërta ka qenë tendenca për kreditë në euro, të cilat ishin më të lira në maj. Ndërsa në prill, për herë të parë kosto e kredisë në lekë u barazua me atë në euro, në rreth 5.2% të dyja, tashmë huatë në monedhën e përbashkët janë më të lira. Në maj, sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, interesi mesatar i kredisë në euro zbriti në 4.7%. Maji ka qenë negativ edhe për kredinë e dhënë në ekonomi, sidomos për bizneset. Stoku i kredisë për ekonominë zbriti në maj në 554 miliardë lekë, me një rënie prej 854 milionë lekë në krahasim me muajin e kaluar.

Pse ra kredia
Rënia mujore ka ardhur nga kredia për sektorët jofinanciarë në valutë, që është reduktuar me 3.9 miliardë lekë, duke dhënë ndikimin e vetëm në trendin rënës të huasë. Ndërkohë kredia në lekë për këtë sektor është rritur me 1.3 miliardë lekë. Në rritje gjatë muajit maj ishte kredia për individë, si në lekë dhe në valutë, që u zgjerua me gati 1.8 miliardë lekë. Në total, në krahasim me fundin e vitit të kaluar, huaja për ekonominë ka rënë me 3.1 miliardë lekë, ose 0.6%, duke treguar për një ngërç të investimeve në ekonomi, teksa huaja për biznesin ka rënë me gati 8 miliardë lekë gjatë të njëjtës periudhë.
Sigal