8 Marsi – Dita e të gjithëve

693
Nga Safet N.Ramolli
“Gjysma e shenjtë e qenies njerëzore!!!” (Mazini)

“Gruaja është zemra e botës dhe zotëruesja e padukshme e “trëndafilit, lirës dhe harmonisë”, ajo përmbush hapësirën e pakufishme të këngëve tona” (Federiko G. Lorka)
Në kalendarin e popujve të ndryshëm ka mjaft ditë të veçanta, të cilat lidhen me njërin apo tjetrin eveniment të tyre. Por në kalendarin e shumicës së popujve ka edhe ditë të përbashkëta, të cilat edhe pse artikulohen në gjuhë të ndryshme, janë të njëjta në thelb, pra në përmbajtjen e tyre, por janë po gati të njëjta edhe në formë, pra në aparencë. Njëra prej tyre është 8 Marsi. Në kohë të ndryshme në Shqipëri është cilësuar me frazeologjizma të ndryshme si: “Dita e Nënave”, “Dita e Grave”, e të tjera si këto. Por, gjithsesi i pandryshuar ka mbetur thelbi i saj: cilësia e humanizmit që ajo ngërthen e mbart. Ndoshta mund të jetë frazeologjizmi më i gjetur, më i goditur, më i skalitur, më i ndjerë… Është frazeologjizmi, që i referohet gjysmës më të shenjtë të krijesës njerëzore: femrës. Është frazeologjizmi që i shkon aq mirë për shtat gjyshes, nënës, motrës, vajzës, mbesës të secilit apo secilës krijesë njerëzore. Është frazeologjizmi, që cilëson burimin e jetës, gurrën e vijimësisë ë saj, ëmbëlsinë e ndjenjave e të shpirtit; më të mirën, më humanen krijesë, e cila krijon, lind dhe rrit jetë…

“Njerëzimi është një lis me dy degë: burri dhe gruaja”, – ka thënë Mazini, një italian i mençur i shek. XIX. “Një lis nuk mund të jetë kurrsesi me një degë, prandaj edhe lisi shqiptar nuk mund të mbahet në këmbë, të rritet e të lulëzojë vetëm me një degë”, vijon ai. Gjithkush e ka provuar ngrohtësinë e dashurisë së nënës, sjelljen e saj fisnike, ndjesinë e saj të shenjtë hyjnore, sakrificën e saj aq humane… Ai që s’ka nënë i di vlerat e vërteta të saj, ndjen mungesën e frymës së saj shenjtore…

Pra, një krijesë e tillë krejt e veçantë, a nuk e meriton, që në një ditë të vitit nga 365 që ai ka, të jetë më e veçanta, më e privilegjuara, më e respektuara, më e dashura, më e dhembshura, më humania, më e lartësuar, më e përfaqësuara?!!… Gjithsesi një kontribut me vlerë që duhet çmuar! Cila është zanafilla e 8 Marsit?! Kjo datë si “Dita e Grave” i përket vitit 1857, kur gratë me profesion rrobaqepëse në Nju Jork të SHBA-së, u tubuan në një protestë të organizuar kundër shtypjes e shfrytëzimit të egër, që u bëhej atyre dhe fëmijëve në procesin e punës. Në këtë protestë ato kërkonin të trajtoheshin me 8 orë punë në ditë, të kishin kushte më të mira pune, të trajtoheshin me pagë të barabartë për punë të njëjtë me meshkujt e të tjera. Në Evropë 8 Marsi ka hyrë në histori në vitin 1910, kur në kryeqytetin e Danimarkës u mblodhën më se njëqind gra nën drejtimin e Klara Cetkin. Ato përfaqësonin disa shtete të Evropës dhe SHBA-së. Në mbledhje ato vendosën që, në të ardhmen çdo 8 Mars të përkujtohej si Dita Ndërkombëtare e Grave. Kjo lëvizje në Shqipëri ka gjetur jo vetëm jehonë të menjëhershme, por edhe është implementuar konkretisht përmes veprimtarish të ndryshme. Një grua me emrin Parasqevi Kyrias, menjëherë në Korçë krijoi një Shoqëri të Grave. Një analist shqiptar i kohës për këtë event shprehet si më poshtë: “Këtu në jugë, nga sa dihet, e para Shoqëri e Grave u formua në Korçë më 1910 prej Znj. Parasqevi Kyrias. Një gjë për të vënë re: vitin që mu në këmbë të Gjirokastrës po çpërdridhej lufta legjendare e Mashkullorës, po atë vit në Korçë, në folenë patriotike shqiptare më të madhe të Jugës, po ngrihesh flamuri i parë i shqiptarëve, flamur i cili ahere e tëhu, në të gjithë valët e peripecitë e kohës, qëndroi një jetë i pa ulur, për të predikuar përpjekjet kombëtare e për të dhënë shpresa”.

Lëvizja e grave shqiptare vazhdoi pas vitit 1920, kur krijohet Shteti i Ri Shqiptar pas Kongresit Kombëtar të Lushnjës (janar 1920, S.R). Janë disa evente që hedhin dritë për këtë çështje, midis të cilave do të veçonim edhe faktin që, gratë shqiptare gjenden faktikisht të tubuara në organizatën e tyre. Dokumente historike me mjaft interes pasqyrojnë Lëvizjen Femërore në Shqipëri, por gjithsesi edhe përmes një bashkëpunimi me gra jo shqiptare. Kështu, vetëm pas më pak se shtatë muajsh nga lindja e Shtetit të Ri Shqiptar, konkretisht më 8 gusht 1920, në Gjirokastër pat ardhur një Grua amerikane me emrin Kennedy. Ajo mblodhi mjaft gra dhe i informoi ato për gjendjen aktuale të femrës shqiptare si dhe për nevojën e lartësimit të tyre në të ardhmen në vendin që i takon në shoqëri. Të njëjtin veprim e kishte bërë pak më herët edhe në Korçë.

Po këtë vit, në Vlorë, është një grua, por tashmë shqiptare, e cila ka hyrë në histori me emrin mjaft të njohur “Marigoja e Flamurit”, e cila botonte edhe një gazetë me emrin “Shpresa e Kombit”. Ngjyra e letrës ishte ajo e trëndafilit. Por analistët, nisur nga emri dhe ngjyra, artikulojnë edhe sa vijon: “Një titull që na thotë se ç’kemi qenë dhe ç’jemi akoma: “Shpresë Kombëtare. Detyrë e të gjithëve, Shtet, Komb, detyrë edhe e jona, që të bëhemi nesër: realitet Kombëtare”. Pas katër vjetësh, në korrik 1924, miratohet Shoqëria “Përmirësimi”, organizatë tërësisht femërore kjo, e cila në maj 1929 integrohet në Shoqërinë “Gruaja Shqiptare”, e cila atë mot ishte formuar edhe me një status të veçantë. Po në këtë kohë miratohen ligje që favorizojnë femrën shqiptare të zërë vendin e merituar në shoqëri. Për herë të parë femra shqiptare fiton të drejtën e divorcit, ashtu si në familje do të trajtohej me të drejta të barabarta me bashkëshortin. Pati edhe ligje të tjera për emancipimin e femrës, që nga ato të paraqitjes së jashtme me veshje të përshtatshme, të pjesëmarrjes në jetën kulturore të vendit, por edhe në politikë.

Pas amerikanes Kennedy, në vijim të një pune të filluar më 1910, Parasqevi Kyrias, i përkushtohet përsëri me mjaft obligim organizimit të gruas shqiptare në një Shoqatë të vetën, me synim veç të tjerash edhe “… që të formojmë ndërgjegjen e saj mbi rolin që është thirrur të lozë si faktor përparimi e qytetërimi”, sikurse shprehet tekstualisht ajo. Paskëtaj, deri në pranverë të vitit 1939, kur Shqipëria u pushtua fillimisht nga Italia dhe më vonë edhe nga Gjermania, Gruaja Shqiptare rezulton të ketë qenë e organizuar në shoqatë të vetën me shtrirje në të gjithë territorin shqiptar. Misioni i saj, të paktën në aparencë, ka qenë i përcaktuar mjaft qartë. Për misionin e saj, përposh të tjerash, nënvizohet nga një personalitet i kohës edhe se “… Gruaja Shqiptare është ftuar të dalë nga rrethi tepër i ngushtë familjar për t’u përpjekur ajo vetë, e lirë dhe e përkrahur nga Shteti, për një jetë më të denjë e njerëzore në shoqërinë shqiptare”.Megjithatë, mendimi edhe i specialistëve të huaj është se: “Para Luftës II Botërore Gruaja në Shqipëri kishte statusin e qytetarit të kategorisë së dytë dhe i nënshtrohej dallimit shoqëror e ekonomik”. Por 8 Marsi është trajtuar edhe gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare për çlirimin e vendit nga pushtuesit e huaj. Kështu p.sh. më 8 Mars 1942, edhe pse në kushte të vështira, vetë gratë të tubuara në grupe të vogla, e përkujtuan këtë event. Në këtë kohë u krijua edhe Organizata e Gruas Antifashiste Shqiptare. Në formacionet partizane femra shqiptare përfaqësohet denjësisht me rreth 6.000 pjesëmarrëse aktive, duke vepruar përkrah meshkujve me të njëjtën trimëri, dinjitet dhe heroizëm. Ajo në këtë periudhë ka edhe heroinat apo dëshmoret e veta, të rëna në fushëbetejat kundër pushtuesve, me idealin dhe shpresën e mirë për një Shqipëri të lirë dhe demokratike. Veteranët Mesarete Ymeri (Karagjozi) dhe Naxhi Zhupa, sjellin në vëmendjen e lexuesit, se vetëm në Brigadën VIII Sulmuese, gjatë Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, ishin inkuadruar 73 partizane, mes të cilave Ilha Ҫami, Zyrha Zhuzhuni dhe Ylvije Canaj, ishin fare të reja, prandaj edhe thirreshin partizane-pioniere. Shtatë shoqe partizane dhanë jetën e tyre rinore, duke luftuar në vijën e parë të luftimeve, midis të cilave ishin Inajete Karalliu, Trëndafile Denaj (Abazi), Sose Hysi, Male Xheladin Banaj, Nervo Selim Berdaj etj. Ishin 13 partizane që u plagosën, por po përmendim vetëm disa nga ato: Zonja Rushani, Kano Ҫarçani (Saliaj), Mesarete Ymeri (Karagjozi), Lajle Goxhi, Benda Xhelili, Selvije Jaho (Isaraj etj., ndërkohë që Marie Brisku dhe Merushe Sadikaj u plagosën më 25 janar 1945 në Ulbi të Malit të Zi, duke mbetur invalide përjetë. Në të pastajmen, pas çlirimit të vendit gruaja shqiptare ka qenë e organizuar në organizatën “Bashkimi i Grave të Shqipërisë”, organizatë që ka dhënë kontribut të çmuar në forcimin e familjes shqiptare si dhe të mirërritjes dhe edukimit të fëmijëve. Janë po analistë kompetentë të huaj, që shprehen edhe sa vijon: “Pas Luftës së Dytë Botërore dallimet e hapura u zhdukën dhe të drejtat e gruas u shprehën me anën e ligjeve të veçanta, të cilat i garantonin asaj të drejtën e punës, të sigurimit shoqëror, të shërbimit shëndetësor dhe të arsimimit”. Pa shkuar më thellë në histori, në vitin 1990 gratë përbënin 47% të forcës punëtore; 30% të deputetëve të Kuvendit Popullor; 40,7% të anëtarëve të Këshillave Popullore dhe 30% të gjyqtarëve. Në vitin 2010, në saje edhe të kushteve që ka vënë Evropa, kur kanë kaluar disa vite në përpjekje për t’u integruar në komunitetin demokratik evropian, që gruaja të përfaqësohet në institucionet qendrore dhe të tjera në masën 30%, kemi një përfaqësim mjaft dinjitoz. Në këtë hark kohor të paktën dy gra kanë qenë kryetare të Kuvendit të Shqipërisë, një tjetër ka qenë Prokurore e Përgjithshme, një Kryetare e Gjykatës së Lartë; katër të tjera kanë qenë në pozicionin e ministres, disa të tjera kanë qenë deputete, dhe mjaft të tjera në detyra shtetërore me rëndësi. Por, gjithsesi, gjithçka e pamjaftueshme për vendin që zë dhe rolin që luan femra shqiptare në veprimtarinë e përditshme të vendit. Në kushtet e shoqërisë pluraliste gruaja shqiptare është e integruar në organizata të ndryshme. Por, sërish analistë të besueshëm pohojnë edhe sa vijon. Pas vitit 1990 dallimet midis burrit dhe gruas u bënë më të thella. Kështu, më shumë se gjysma e të papunëve të regjistruar zyrtarisht në 1996 ishin gra, por edhe rrogat e atyre që punonin, zakonisht në fusha të tilla si mjekësia, arsimi, ishin shumë të uëlta, në disa raste edhe poshtë nivelit të minimumit jetik. Posë kësaj, përfaqësimi i gruas në parlament, në qeveri, në administratën vendore, në organizata joqeveritare dhe në parti e grupe politike, ishte larg rekomandimeve të Evropës. Përpara zgjedhjeve parlamentare në vitin 1996 kishte vetëm tetë gra në këtë institucion, vetëm një grua kishte nderin të ishte anëtare e qeverisë; mes dymbëdhjetë anëtarëve të Gjykatës së Kasacionit vetëm dy ishin gra, ndërkohë në Gjykatën Kushtetuese vetëm një ishte femër. Në vitin 2003 deputete janë nëntë femra, dy janë anëtare të qeverisë, dy zëvendësministre, dy të tjera janë në pozicionin e nënkryetares së Kuvendit, ndërsa dhjetëra të tjera përfaqësohen në organet e pushtetit vendor. Është rritur numri dhe pesha e grave në sistemin arsimor dhe shëndetësor, por edhe në administrim-biznes. Edhe në të pastajmen, me gjithë rekomandimet e BE-së, që femra të përfaqësohet denjësisht në veprimtarinë e vendit, ajo në asnjë rast dhe hark kohor nuk ka arritur minimumin prej 30% të përfaqësimit në organet e zgjedhura dhe ato të emëruara. Ky rekomandim i Evropës, nga politika shqiptare artikulohet shpesh për efekte politike, por asnjëherë nuk është bërë realitet. Megjithatë, duhet pohuar se pas zgjedhjeve të përgjithshme në vitin 2013, është hedhur një hap i dukshëm për realizimin e rekomandimit për zbatimin e barazisë gjinore si në fushën politike ashtu edhe në atë administrative. Janë zgjedhur në Kuvendin e Shqipërisë dhjetëra femra, shtatë femra janë pjesë e kabinetit qeveritar, (integrimi, marrëdhëniet me parlamentin, ekonomia, mbrojtja, arsimi, rregullimi i territorit dhe kultura), një është nënkryetare e Kuvendit të Shqipërisë, katër të tjera janë zgjedhur kryetare të bashkisë (Shkodër, Gjirokastër, Gramsh dhe Përrenjas), dy kanë qenë drejtuese të doganave dhe tatimeve, dhjetëra të tjera janë pjesë e sistemit të drejtësisë, me dhjetëra janë në pozicionin e zëvendësministres apo drejtore të institucioneve të rëndësishme, ndërkohë disa dhjetëra janë biznesmene të suksesshme, ashtu si është rritur dukshëm numri i femrave që kanë fituar me meritë tituj dhe grada shkencore. Ndonjë femër shqiptare i ka kaluar kufijtë e përfaqësimit duke u bërë pjesë e institucioneve të BE-së dhe e diplomacisë shqiptare. Krejt natyrshëm, perspektiva e femrës shqiptare është më e qartë dhe më bindëse në kahen pozitive. Kjo më së shumti si rrjedhojë e ndërgjegjësimit dhe përpjekjeve të vetë atyre për të zënë vendin e duhur në shkallaren e shoqërisë shqiptare, por edhe të rritjes së përgjegjësimit të klasës politike, për t’i dhënë “gjysmës së shenjtë “ të popullsisë vendin krejt të merituar.
Sigal