74-VJETORI I BRIGADËS SË VI-S “HEROINË E POPULLIT”

738
Nga Sevo Tarifa
Në kujadrin e 74-vjetorit të Brigadës VI Sulmuese “Heroinë e Popullit”
“Dil nëno të shikosh jashtë si lufton Brigad’ e Gjashtë…”
-679 ditë luftë-

Po vjen 74-vjetori i Brigadës VI Sulmuese “Heroinë e Popullit”. Shumë shokë mungojnë: 205 ranë dëshmorë, të tjerë janë ndarë nga jeta pas çlirimit. Por rrojnë vepra dhe lavdia e tyre. Na takon neve, bashkëluftëtarëve që jetojmë dhe pasardhësve, t’i kujtojmë e t’i nderojmë siç e meritojnë. 

Dita u gdhi me këngë
dhe u ngrys në luftë…

Themelet e kësaj Brigade janë katër çetat me famë: “Çerçiz Topulli”, “Hajredin Tremishti”, “Avni Rustemi” dhe “Toto Bolena”, me të cilat më 7 gusht 1943, u krijua batalioni i parë që mori emrin “Asim Zeneli”. Ajo ditë nisi me këngë dhe u ngrys me luftë. Në Nepravishtë u arrestuan kriminelë që kishin vrarë 49 burra dhe dogjën Labovën e Kryqit. U penguan fashistët italianë të hynin në krahinën e Kardhiqit. Lufta u bë në bregun e Shehe, në afërsi të xhadesë. Rrezikoheshin banorët e Humelicës, që u strehuan në Prongji. Në Mashkullorë u bë 11 orë luftë. Fashistët dogjën 23 shtëpi, 18 ahure dhe xhaminë. Mbërritën në Progonat 300 partizanë, ca ballistë ikën. Hynë 50 ballistë të tjerë, por edhe këta u larguan. Luftohej me heroizëm në Cepo e rreth saj. 

“Cepua si Stalingradi
Nisi luftën me furi
Shefqet Peçi si tërmeti
Mbi gjermanët bën kërdi”. 

Brigada e VI Sulmuese përbëhej nga batalionet “Asim Zeneli”, “Abaz Shehu”, “Baba Abaz”, “Naim Frashëri” e Zaho Koka”. Zbritën nga malet në Përmet 912 partizanë. Populli hapi dyert e shtëpive dhe zemrat bujare. Por ai 26 janar 1944 u skuq me gjak. Brigada u ndodh para tre armiqve: Operacionit nazist, dimrit të egër dhe lumenjve të Vjosës e të Drinos. Duhesh luftuar e fituar. Dhe përmetarë e partizanë ishin një. “Shtëpitë” e tyre u bënë llogoret e Luftës. Formimi i brigadës u përgatit, por ceremonia e përurimit nuk u zhvillua. “Përurimi” i saj u bë në tym e në flakë. Fjalën e kishte mauzeri e maliheri, belgjiku e automatiku. Nga qielli aeroplanët armiq. Nga toka, nazistë. Zjarri u kryqëzua. Luftë e ashpër në luginën e Vjosës. Nazistët synojnë Përmetin. Kolona e tyre niset nga Këlcyra. Një grup me 1000 armiq kalojnë natën Çarshovën. Rreth’ qark Përmetit gjermanë. Partizanët luftojnë me heroizëm. Atë ditë u zunë rob 200 ballistë. Nazistët hynë në Përmet pas tri ditësh. E dogjën për të tretën herë qytetin. Kryefjala e Brigadës: “Shqipëria, liria, fitore”! Një oficer anglez shkruante: “Çarku i gjermanëve në Përmet u shkreh me disa ditë vonesë”. Betejat, një varg i gjatë, sulm ditë e sulm natë. Betejat në Lunxhëri, që u çlirua me luftë e gjak. Dhe u këndua: “O lufta në Lunxhëri, do shkruhesh në histori”. Në Erind e në Gjatë ballistët goditen në befasi. U çoroditën. Të ndihmuar nga gjermanët ikën në Gjirokastër. Qytetarët flisnin: “U lumtë çeçove tanë të rinj!”. Me luftë në terren vështirë u kalua Gryka e Këlcyrës dhe Çajupi. Lufta në Qestorat, me 800 gjermanë, deri trup me trup. Mbeti në këngë: “Në Qestorat mu në breg, bajonetë më bajonetë”! Dy ditë përleshje kodër më kodër, shkëmb më shkëmb. Me granata në duar. Nga sulmi në sulm. U vranë më tepër se 60 armiq dhe u plagosën 30 të tjerë. Të rënda ishin edhe humbjet tona: 8 të vrarë e 13 të plagosur. Midis tyre komandanti i batalionit Sadik Buzo. 

“Sadik Buza në këmbë
flakën e përtyp me dhëmbë”. 

Nga të plagosurit rëndë ishte Mesaret Karagjozi, që gjashtë ditë mbeti pa ndjenja në pyll, derisa e gjetën fshatarët. Çlirimi i Libohovës. Zjarr nga batalionet “Asim Zeneli” e “Misto Mame” dhe territorialë. Dëshmitare e heshtur kalaja e qytetit. U vranë 40 armiq, u zunë 52 robër. Me luftë u çliruan e Zagoria e Pogoni. U krijua një zonë e lirë. Çlirimi i Rrëzomës së Delvinës. U vranë e u plagosën 25 ballistë, u zunë rob afro 100 të tjerë, u dëgjuan zëra të tyre: “Na vranë”, “Na zunë”! Dhe iknin të shpartalluar. Nga Delvina u nisën 300 gjermanë, por u thyen bashkë me ballistët. U vranë 3 gjermanë. U vra Jashar Luçi. Në afërsi të Senicës plagoset në kokë Ibrahim Miho, tre muaj pa ndjenja, plagë e rëndë, por u ngrit në këmbë dhe përsëri lufton trimërisht! Beteja e Mavrovës. Luftë e rreptë 18 orë. U vranë 80 armiq. Dhanë jetën zëv. komandanti i batalionit Mustafa Asllani, zëvendëskomisari i batalionit Mitat Gjoliku. Partizanët u betuan: “Do ta marrim hakën”. Dhe lindi kënga: 

“ Ju kish rritur nëna për një botë të re
lule mre trima që ratë për atdhe”! 

Beteja e Margllëçit. Luftë e pabarabartë: 500 partizanë me 1000 gjermanë e 500 ballistë! Armiqtë me bukë të bardhë, ne pa bukë. Ata në beton, ne në tokën mëmë, fitimtarë. Na u vranë 25 shokë. Po haka u mor: Atje lanë kockat 60 gjermanë e ballistë. Margëlliçi legjendë. Kalaja u përgjak. Betejë me katër Heronj të Popullit: Mustafa Matohiti, Meleq Gostinishti, Lefter Talo, DinoKalenja. Sulm në Fterrë, në kalanë e Borshit. Gjermanët u rrethuan. u detyruan të tërhiqen në Sarandë, u vranë 13 prej tyre. Një varg luftimesh gjatë dy operacioneve armike të Dimrit e të Qershorit: në Malin e Bardhë e në Shënvasi. Thyhen sulme të armikut në malin e Galishtit e në të Gostilës, vriten 50 gjermanë. Luftime në rrugën Vranisht-Kallarat-Kuç. Vriten e plagosen 40 armiq. Nazistët hakmerren. Në Nivicë-Bubar e Shenvasi mbi 50 fshatarë vihen për të ndrequr rrugët. Në fund i pushkatuan, të tjerë i internuan. Beteja në Dukaj të Tepelenës. Sulm i paprerë tek “Shkëmbi i prerë”. Armiqtë asgjësohen. Fshati çlirohet. U vranë 8 oficerë gjermanë, 35 xhandarë e 5 ballistë U kapën robër: 4 gjermanë, 4 italianë; 59 xhandarë, 17 ballistë. Robërit i kaluan gjyqit partizan, u gjykuan e u dënuan. Disa u lanë të lirë të shkonin në shtëpitë e tyre. Ranë 11 dëshmorë, midis të cilëve Heroi i Popullit, Mitro Xhani (Balena). Beteja në Labinot: Përleshje në rrugën automobilistike. Në mësymje deri 4000 gjermanë. U vranë 120 prej tyre u plagosën 150 të. Ranë dëshmorë zëvendëskomandanti i batalionit të tretë Balil Peçi, komandanti i kompanisë Lufto Çani, 8 të tjerë. Midis të plagosurve rëndë Arf Bizhga, varri i të cilit u bë gati, por ai shpëtoi! Në vazhdim Brigada vepron në rrethina të Tiranës: Asgjëson posta armike, godit patrulla xhandarësh e pozicione gjermane. Bashkë me njësi guerile partizanë hyjnë në kryeqytet, sulmojnë vendqëndrime naziste. Brigada marshon drejt Veriut, kalon në Mirditë. Krahinë e vështirë, si nga ana politike pasi aty vepronin krerë të reaksionit; nga ana gjeografike, terreni i njohur për mercenarët, partizanët e shkelnin për herë të parë. Nga ana ushtarake armiku ishte në pozicione të forta. U zhvilluan luftimesh në grupe të vogla. Udhërrëfyes të partizanëve fshatarët patriotë mirditas, në krye Bardhok Biba e Ndrec Ndue Gjoka. Nga Qerreti në Iballë, ku ishin 300 mercenarë të armatosur mirë. Veprimet e tyre kryheshin në koordinim me forcat gjermane. Kërcënimit me letër të Kol Bib Mirakës që “deri nesër në mëngjes forcat partizane të largohen nga zona dhe brenda javës të largohen nga tërë Puka, ndryshe…”, iu përgjigj trimërisht komandanti i Brigadës Jaho Gjoliku “Ndryshe, çfarë? Ne u japim vetëm gjysmë sahat kohë, sa të këputni qafën me gjithë zuzarë e firaunë të Kol Bajgës. Zhdukuni! Shporruni!”- Dhe ata dy burra trupgjatë që sollën letrën ikën në panik. Nënë Shote Puka doli partizane, u rreshtua në Brigadë e, pas çlirimit rrojti 107 vjeç. Beteja në Shupal, me 300 gjermanë e reaksionarë. U vranë 65 prej tyre, u plagosën me dhjetëra të tjerë, u kapën rob 85 armiq. Brigada VI kaloi Drinin e do të çlironte Shalë e Shosh, Nikaj-Mërkur, përmes Dukagjinit për të dalë në veri të Shkodrës, për të goditur forcat gjermane në tërheqje drejt Podgoricës. Marshim tepër i vështirë, Populli i malësisë i mirëpriste partizanët. Partizanen Ifi Shajko e veshën me çorape të leshta me lule të nuses! Në Kolgecaj, një plak, kur pa një partizan zbathur, hoqi opingat e tij ia dha e i tha: ”S’më duhen gja, plak jam e s’kam ku me dal në mal. Në behar ngrohët ka me ba e dal pa to”! Në luftime ra Çelo Sinani, të cilit iu kënduan: 

“Dhe dy ditë vinte liria
duhej mbrojtur istikami
barrikadë trupi tija
barrikadë Çelo Sinani”. 
Përtej kufijve

Me çlirimin e Shkodrës dhe gjithë Shqipërisë më 29 Nëntor 1944, pushka partizane nuk pushoi. Me urdhër të Komandantit të Përgjithshëm Enver Hoxha, Divizionet V e VI Sulmues marshuan përtej kufijve shtetërorë. Më 29 nëntor Brigada kalon lumin Cem. Pritet ngrohtë në Hot e Grudë. Ngrihet flamuri kuqezi nga banorët, ulen në gjunjë dhe e puthin. Emocione. Komisari i Brigadës Haki Toska mban një fjalim të zjarrtë. Beteja në Bioçe. 3 dhjetor, tri ditë luftë. Dimër i acartë. Kudo dëborë. Gjermanët ndodheshin në majë mali. Një kompani i sulmon. Armiku nuk tërhiqet. Dy aeroplanë nazistë godasin partizanët. Nga fusha e Podgoricës rreh artileria e tyre. Sulmon e gjithë Brigada. Shpartallohet garnizoni armik. Një grup nazistësh po i afroheshin mitraljerit trim Musa Tahiri. E vranë befasisht. E rrëmbeu mitralozin Seit Lesko dhe qëllon mbi armikun. Sharrësi gjerman e vrau edhe këtë. U ngrit në këmbë Astrit Karagjozi dhe tha: “Pas meje!” Pas tij u sul përpara me mitraloz në dorë italiani Mario Indebroti. Qëllonte me automatik Mukades Hoxha, por plagoset rëndë. Drejt saj vërsulen gjermanët. Vrapon komandanti i batalionit, me dy korrierë. Hedh 3-4 granada, vret njërin prej tyre, të tjerët tërhiqen. Mukadesi nuk ra në dorë të armikut. Gjermanët u mundën, vriten rreth 30 e plagosen shumë të tjerë. Në Leva Rjekës të Verushës. 20 dhjetor, sulmojnë në befasi batalioni i parë dhe i pestë. Gjermanët nuk e prisnin në atë të ftohtë dhe rrinin ne çadra e ngroheshin rreth sobave. Kur nisi sulmi partizan shumica e nazistëve nuk arrinin dot në pozicionet e tyre dhe u asgjësuan. U vranë më shumë se 200 prej tyre. Këtu ra dëshmore Bukurie Bazo, së cilës iu këndua: 

“Në Verushë e n’ ato maja
Lule lulja Bukuri
Shoqe të zuri mortaja”. 

4 janar 1945. Ditë me shi e borë. Marshimi nisi nga burimet e lumit Tara. Betejë e përgjakshme. Në një skicë letrare ndër të tjera shkruhet: 

“Folna dy fjalë, o lumë, ke rrjedhur në shekuj…Thuaj sa herë nëpër vite je skuqur nga gjaku…Në këtë lumë e luginën e lumit Lim, armiku la 500 të vrarë dhe 50 kamionë të shkatërruar. Luftë në male mbuluar me akuj e borë. Luftë me urinë duke ngrënë një herë në 24 orë, zbathur e zhveshur. Intendenca nuk kishte këpucë dhe ata prisnin kapotat dhe lidhnin këmbët. Partizanët ndaheshin nga jeta në borë me pushkë në dorë. Brigada VI Sulmuese, gjithë Divizioni V e VI i ndoqën forcat hitleriane me luftë heroike në Mal të Zi e deri në Bosnjën Jugore, si dhe me veprime luftarake në Kosovë e Maqedoni. Efektivi i Brigadës VI arriti në 1700 luftëtarë. Rruga e saj është pëllëmbë e gjak. Bëri 3700 kilometra udhë nëpër qafa e male, humnera e gërxhe, në shtigje të pashkelura, ditën e natën. Rrugë e gjakosur nga 205 dëshmorë dhe 540 të plagosur. 308 ditë luftë në Shqipëri dhe 371 ditë të tjera luftë në ish Jugosllavi. Brigada çliroi 8 qytete e 32 krahina. Trimat e saj partizanë vranë 3500 armiq, zunë 1947 robër dhe plagosën 5000 të tjerë. Shembulli i komunistëve, i heronjve dhe i dëshmorëve, burim i madh frymëzimi. Trimëria e 110 shoqeve dhe e 60 pionierëve partizanë, i bënte partizanët dy herë trima. Meritë të veçantë kanë komandantët e komisarët Tahir Kadarea, Mustafa Matohiti, Haki Tosla, Jaho Gjoliku e të tjerë drejtues në vazhdim, shumë nga të cilët ranë në lulen e rinisë. Dhjetë pjesëmarrës të brigadës dhe vetë Brigada merituan titullin e lartë “Heroinë e Popullit.”
Sigal