70-vjetori – Pedagogjikja e Peshkopisë, tempulli i dijes

1261
Sigal

Halil Rama

Studiuesi Xhavit Lashi shkruan historinë e arsimit në Dibër: Nga shkolla e parë shqipe në qytetin e Dibrës më 1888; Internati i Dibrës më 1923 dhe i Kastriotit më 1925, Unikja më 1945, Pedagogjikja më 27 shtator 1948 e deri tek filiali i Universitetit të Durrësit në qytetin e Peshkopisë. Shtatëdhjetë vjet më parë, më 27 shtator 1948, në qytetin verilindor të Peshkopisë u hap e para shkollë pedagogjike, e cila për vetë “produktin” e saj (qindra personalitete, deri ministra, gjuhëtarë e profesorë, poetë e shkrimtarë, artistë, diplomatë e gazetarë), me të drejtë njihet si “Universiteti i Dibrës”. Një bilanc mbresëlënës për faktin se ajo nxori rreth 2200 kuadro, djem e vajza, që çuan dritën e diturisë dhe kulturën në gjithë krahinat e fshatrat e zonës verilindore të Shqipërisë. Pikërisht në vigjilje të 70-vjetorit të krijimit, njëri nga ish-nxënësit e shkëlqyer të saj, historiani Xhavit Lashi botoi monografinë “Shkolla Pedagogjike e Peshkopisë”. Kjo është dhurata më e mirë që studiuesi kuksian u bën sot në këtë ditë feste jubilare ish- mësuesve e nxënësve të kësaj shkolle. Autori sjell fakte interesante që plotësojnë historikun e zhvillimit të arsimit: Nga shkolla e parë shqipe në qytetin e Dibrës më 1888; Internati i Dibrës më 1923 dhe i Kastriotit më 1925, Unikja më 1945, Pedagogjikja më 27 shtator 1948 e deri tek filiali i Universitetit të Durrësit në qytetin e Peshkopisë.

PAK HISTORI

Mësojmë nga kjo monografi hapjen e të parës shkollë shqipe në qytetin e Dibrës, më 1888 nga patrioti Said Najdeni, vetëm një vit pas hapjes së shkollës së parë shqipe në Korçë. Më tej, mbështetur në burime arkivore në libër gjejmë ngritjen e dy Internateve në Dibër e Kosovë, sipas Shkresës së Ministrisë së Arsimit nr.366, datë 8 shkurt 1923. Internati “Dibra” u vendos së pari në shtëpinë e Shehat Shehut në Qafë të Pazarit, të marrë me qira dhe në vitin 1925. Ky Internat kaloi në Kastriot të Dibrës. Meritë për këtë kanë drejtorët e nderuar: Haki Sharofi, Ferid Jegeni, Sali Morina, Ahmet Imami, Ferid Imami, Ramadan Sejdini e Rifat Spahiu, si dhe mësuesit: Qemal Drita, Zejnel Zajmi, Ramazan Sefedini, Hafuz Fetah Ajdini, Abdulla Çanga, Muharrem Musa, Refik Shpuza, Fehti Dizdari, Faik Pajuni, Beqir Spahiu, Hydajet Ceka, Shyqyri Daiu, etj. Jo pa qëllim, autori sjell një listë me emra personalitetesh të përmasave kombëtare që dhanë ndihmesën e tyre në drejtim e në mësimdhënie, për të vijuar me nxënësit që kanë mësuar në Internatin “Dibra”, ndër të cilët dëshmorët e atdheut; Nazmi Rushiti, Demir Gashi e Tofik Çanga, si dhe personalitetet e mëvonshme të arsimit në Dibër: Selim Alliu, Adem Shehu, Xhavit Hysa, Fehmi Plaku, Haki Alush Kumanova, Munir Shehu etj. Është pikërisht kjo plejadë që do kontribuonte më vonë, pas çlirimit në hapjen e shkollës Unike të Peshkopisë, më 1945 dhe tre vjet më vonë edhe të Pedagogjikes, më 28 shtator 1948. Ky libër që duhet konsideruar si kontributor i çmuar i autorit Xhavit Lashi në letërsinë dokumentare, që në pesë kapitujt e tij sjell një lëndë të pasur me të dhëna për Dibrën e Peshkopinë, Shkollën Pedagogjike dhe rrethanat e hapjes së saj, drejtorët e stafin pedagogjik ndër vite, kujtime nga shkolla, ku një vend të veçantë zënë ish- pedagogjikasit kuksianë në Peshkopi si dhe takimet me rastin e përvjetorëve të shkollës.

Pedagogjikja në jubileun e saj të 70-të

Ish-mësues dhe nxënës të Shkollës Pedagogjike të Peshkopisë, nga Dibra, Kruja, Mati, Kukësi e Tropoja festojnë sot 70-vjetorin e krijimit të saj. Një jubile i lavdishëm ky, që sjell në kujtesën e tyre 28 shtatorin e vitit 1948 kur Shkolla Pedagogjike e nisi rrugën e saj më 21 nxënës: 13 nga rrethi i Dibrës, 5 nga rrethi i Kukësit dhe 2 nga rrethi i Elbasanit. Në vitet në vazhdim u rrit numri i nxënësve, duke u pranuar në të me bursë si konviktorë ata që vinin nga rrethet e Verilindjes. Asnjë mësues nuk ishte vendas. Mësuesit u emëruan nga Ministria e Arsimit. Studjuesi Xhavit Lashi, në librin e tij, ndër të tjera nënvizon se “Prej Shkollës Pedagogjike Peshkopi, kanë dalë kuadro që kanë bërë emër të mirë në shkallë rrethesh e në shkallë vendi. Nga bankat e shkollës janë përgatitur jo vetëm mësues e pedagogë të aftë, por dhe kuadro të tjerë që kanë punuar me përkushtim e kompetencë në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, shkencës e politikës. Prej tyre ka shkencëtarë, profesorë, diplomatë, juristë, artistë, sportistë, gazetarë, drejtues të organeve të pushtetit, të partisë dhe të ekonomisë”. Në këtë mori emrash autori ndër të tjerë evidenton ish pedagogjikasit e Peshkopisë (deputetë, diplomatë, profesorë e doktorë shkencash, gjuhëtarë, fizikantë, biologë, shkrimtarë, ushtarakë, artistë, sportistë etj)si: Xhelil Gjoni, Tefta Cami, Lumturie Rexha, Femi Abdiu, Safet Zhulali, Shefqet Hoxha, Sulejman Tomçini, Abdi Baleta, Maxhun Peka, Kamber Faruku, Nuri Abdiu, Shaban Sinani, Muharrem Dezhgiu, Xhafer Martini, Lutfi Hanku, Naim Plaku, Sali Onuzi, Musa Riçku, Liri Rasha….Këta, si dhe dhjetra emra të tjerë të spikatur që u përgatitën nga ky tempull i dijes vijnë të profilizuar në opinionet, kujtimet esetë e disa bashkëpunëtorëve të autorit Lashi, i cili ka spikatur në përzgjedhjen, redaktimin dhe përfshirjen e tyre në këtë monografi dinjitoze, duke plotësuar kështu historikun e Shkollës Pedagogjike të Peshkopisë si vatër e ndritur e dijes për gjithë zonën verilindore të vendit.