50 vjet pa Fan Nolin

802
Fan Stilian Noli
Theofan Noli (Stilian Mavromati), u lind më 6 janar 1882 në Qytezë(turqisht: İbriktepe), një fshat shqiptar në Trakë, jo shumë larg nga Edreneja dhe vdiq më 13 mars 1965 në SHBA. Si disa fshatra të tjerë të asaj krahine të banuar me shqiptarë, Qyteza kishte ruajtur me kohë gjuhën, doket dhe traditat e të parëve… Në vitin 1900 shkoi në Greqi me qëllim që të nxirrte jetesën dhe të ndiqte fakultetin e filozofisë. Në Athinë u lidh me një shoqëri belge, e cila zotëronte tramvajet me kuaj. Por nuk i eci mbarë, dhe as studimet nuk i kreu. Atëherë u hodh në punë të tjera si kopist, sufler dhe aktor pranë një trupe greke teatrale shëtitëse që shfaqej dhe në skelën e Galatës. Më 1903 shkoi në Egjipt, ku filloi punë si mësues i greqishtes për dy vjet (mars 1903-mars 1905). Kohë kur përkthen në greqisht veprën e Sami Frashërit “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet” që u botua në shtypshkronjën shqipe në Sofje. Në korrik-gusht të 1903, ai nisi të botojë të parat skica letrare në revistën “Numas”. Në prill 1906, me një biletë avulloreje të klasit të dytë, paguar nga bashkatdhetari që kishte njohur në Egjipt Spiro Dine, Fan Noli u nis për në Botën e Re duke kaluar nga Napoli dhe mbërriti në Nju Jork më 10 maj. Atje, botuesi Sotir Peci i dha një punë si zëvendës-redaktor i gazetës së Bostonit “Kombi”, ku punoi deri në maj 1907 dhe ku botoi artikuj me pseudonimin Ali Baba Qyteza. Me nismën e vet Noli thirri një mbledhje të shqiptarëve ortodoksë nga mbarë Nju Englandi, ku delegatët vendosën të themelojnë Kishën Ortodokse Autoqefale (autonome) Shqiptare, me Nolin si klerikun e saj të parë. Më 9 shkurt 1908, në moshën njëzetegjashtëvjeçare, Fan Noli u bë diakon (dhjak) në Bruklin, kurse më 8 mars 1908 Platoni, kryepeshkopi ortodoks rus i Nju Jorkut, e shuguroi si prift ortodoks. Vetëm dy javë më vonë, më 22 mars 1908, Noli i ri krenar mbajti për herë të parë liturgji në gjuhën shqipe, në ‘Knights of Honor Hall’ në Boston. Ky ishte hapi i parë drejt organizimit dhe njohjes zyrtare të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare. Nga shkurti 1909 deri në korrik 1911 Noli botoi gazetën “Dielli”, zëdhënëse e bashkësisë shqiptare të Bostonit. Më 10 gusht 1911 ai u nis për në Evropë, ku ndenji katër muaj dhe kreu shërbesa kishtare në gjuhën shqipe për kolonitë në Kishinjov, Odesë, Bukuresht dhe Sofje. Më 28 prill 1912, bashkë me Faik bej Konicën është ndër themeluesit kryesor të shoqatës pan-shqiptare Vatra (në fillim më 6 janar 1907 shoqatën “Besa-Besë” me sekretar Kol Tromarën, që u shkri me Vatrën) bashkë me organin e saj të shtypit “Dielli” i Bostonit, gjithashtu dhe “Shkopi” i Kajros që lëvizën kundër një artikulli të Mit’hat Frashërit në shtypin e Selanikut. Nga viti 1908 deri më 1912 kryen studimet e larta për arte në Universitetin e Harvardit, të cilat i përfundon mecum laude në Bachelor of Arts. Pas shpalljes së Pavarësisë, Noli përkrahu qeverinë e kryesuar nga Ismail Qemali. Në marsin e vitit 1913 ai mori pjesë, në Kongresin Shqiptar të Triestes, i organizuar nga shoku dhe rivali i tij Faik bej Konica. Në korrik 1913 Fan Noli shkoi për herë të parë në Shqipëri ku mbajti shërbesën e parë kishtare ortodokse në gjuhën shqipe në vend më 10 mars 1914, në prani të princit Vilhelm zu Vid, i cili kishte mbërritur në Durrës vetëm tri ditë më parë me një anije austro-hungareze. Në gusht 1914 Noli qëndroi për një farë kohe në Vienë, por me afrimin e reve të zeza të luftës, u kthye në Shtetet e Bashkuara në maj 1915. Nga 21 dhjetori 1915 deri më 6 korrik 1916, u bë përsëri kryeredaktor i “Diellit” të Bostonit, tashmë gazetë e përditshme. Në korrik 1917 u bë edhe një herë kryetar i Federatës Vatra. Në shtator të vitit 1918 Noli themeloi të përmuajshmen në anglishte The Adriatic Revieë (Revista e Adriatikut), që financohej nga Federata për të përhapur informacion për Shqipërinë dhe për kauzën e saj. Gjashtë muajt e parë revista u botua nga Noli, ndërsa më 1919, këtë detyrë e mori në dorë Kostandin Çekrezi. Me fondet e Vatrës, të mbledhura nën drejtimin e Nolit, u dërguan në Paris, Londër dhe Uashington delegatë shqiptaro-amerikanë për të promovuar njohjen ndërkombëtare të pavarësisë së Shqipërisë. Më 24 mars 1918, Noli u caktua administrator i Kishës Ortodokse Shqiptare në Shtetet e Bashkuara dhe në fillim të korrikut të atij viti mori pjesë në një konferencë për popujt e shtypur në Mount Vernon, Virxhinia, ku u takua me presidentin Udrou Uillson, përkrahës i të drejtave të pakicave në Evropë. Më 27 korrik 1919 Noli u emërua peshkop i Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë, që tashmë ishte dioqezë e pavarur. Një vit më pas, duke pasur parasysh rritjen e figurës së Nolit si udhëheqës politik e fetar i bashkësisë shqiptare dhe si shkrimtar, orator dhe komentator politik i talentuar, ishte e logjikshme që ai të zgjidhej kryetar i delegacionit shqiptar në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë, ku arriti ta anëtarësonte Shqipërinë më 17 dhjetor 1920. Me zgjedhjet e mbajtura më 5 prill 1921 zgjidhet deputet i Kolonisë së Amerikës në legjislaturën e dytë (21 prill 1921 – 30 shtator 1923). Ai shërbeu si ministër i Jashtëm në qeverinë e Xhaferr Ypit, vetëm për pak kohë përpara se të dorëhiqej. Noli ishte kryetar i Partisë Popullore, e majta e asaj kohe, kundrejt Partisë Përparimtare. Përkrah Luigj Gurakuqit dhe Stavro Vinjaut është ndër oratorët më shpotitës të foltores parlamentare. Më 21 nëntor 1923, u shugurua peshkop i Korçës dhe mitropolit i Durrësit në Durrës, ndërsa më 27 dhjetor 1923 zgjidhet deputet i Korçës. Regjimi zogist i rikthyer me të ashtuquajturën Fitoren e Legalitetit më 24 dhjetor, e dënoi atë me vdekje në mungesë. Programi i tij me njëzet pika për modernizimin dhe demokratizimin e Shqipërisë, ndër të cilat edhe reforma agrare, ishte tejet i nxituar e idealist për një vend të prapambetur dhe pa tradita parlamentare. Më vonë Noli i shkroi arsyet e dështimit të tij në një letër që ia drejtonte një mikut të tij anglez “Duke këmbëngulur tek reformat agrare, zgjova zemërimin e aristokracisë çifligare; duke mos i zbatuar reformat, humba mbështetjen e masave fshatare”. Ardhja e një delegacioni rus me në krye Arkady Krakovetsky shqetësoi kancelaritë perëndimore deri në atë pikë, sa të mbështesnin ardhjen e Zogut me anë të 106-112 oficerëve të ish-Ushtrisë Perandorake Ruse. Në nëntor 1927 vizitoi Rusinë si delegat i Ballkanit në Kongresin ‘Miqtë e Bashkimit Sovjetik’ me rastin e dhjetëvjetorit të Revolucionit të Tetorit, dhe më 1930, pasi mori një vizë gjashtëmujore, u kthye në Shtetet e Bashkuara. Me kthimin e tij në Boston, Noli themeloi të përjavshmen “Republika”, vetë emri i së cilës i bënte sfidë të hapur Ahmet Zogut, i cili më 1 shtator 1928 u vetëshpall Zogu I, Mbreti i Shqiptarëve. Me mbarimin e afatit të vizës, gjashtë muaj më vonë, Noli u detyrua të kthehet në Evropë dhe “Republika” mbeti nën drejtimin e Anastas Tashkos, deri sa u mbyll më 1932. Më 1932, me ndihmën e pasuesve të tij, mundi të kthehej nga Gjermania në Shtetet e Bashkuara, ku fitoi edhe lejen për qëndrim të përhershëm. Noli u tërhoq nga jeta politike dhe nga ky moment iu kushtua përsëri detyrave si drejtues i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare. Në dhjetor 1933 u sëmur rëndë dhe nuk ishte në gjendje t’i përballonte shpenzimet trajtimit mjekësor për të cilin kishte aq shumë nevojë, deri sa mori si dhuratë 3000 franga ari nga Shqipëria,- me ndërhyrjen e Faik Konicës tek Ahmet Zogu. Ky gjest arriti pikërisht qëllimin për të cilin ishte nisur: një farë pajtimi midis Nolit dhe Zogut, si dhe një përmirësim të marrëdhënieve shpesh të acaruara të Nolit me Faik Konicën. Në vitin 1935 Noli iu kthye njërit prej pasioneve të tij të hershme – muzikës – dhe në moshën pesëdhjetetrevjeçare u regjistrua në Konservatorin e Muzikës të Nju England, në Boston, nga i cili u diplomua më 1938. Më 12 prill 1937, Nolit iu plotësua ëndrra e madhe për një kishë kombëtare shqiptare kur Patrikana e Stambollit njohu zyrtarisht Kishën Ortodokse Autoqefale Shqiptare. Noli nuk u mjaftua vetëm me detyrat kishtare dhe filloi studimet pasuniversitare në Universitetin e Bostonit, ku mori doktoratën më 1945 me një disertacion për Skënderbeun. Në vitet e para pas Luftës së Dytë Botërore, Noli pati marrëdhënie pak a shumë të mira me regjimin e ri komunist në Tiranë dhe ushtroi ndikimin e vet për ta bindur qeverinë amerikane që ta njihte atë. Më 1953, në moshën shtatëdhjetë e një vjeç, Fan Nolit iu dhurua shuma prej 20 000 dollarësh nga Federata Vatra, me të cilën bleu një shtëpi, në Fort Lauderdale Florida, ku vdiq më 13 mars 1965. Fan Noli është varrosur në Forrest Hill Cemetery, të Bostonit. Kisha Autoqefale që kishte krijuar u bë më vonëKryedioqeza ortodokse shqiptare në Amerikë e Kishës ortodokse në Amerikë.
Veprimtaria letrare
-Vepra e parë e Nolit qe drama me tre-akte Israilitë dhe Filistinë, e botuar në Boston 1907. Kjo dramë e shkruar qyshë më -Dy vëllime(Përkthim) Librë e shërbesave të shënta të kishës orthodoxe, Boston 1909, dhe Libre é te krémtevé të mëdha të kishës ortodokse, Boston 1911. 
-Më 1921 doli “Historia e Skënderbeut (Gjergj Kastriotit), mbretit të Shqipërisë 1412-1468”, Boston.
-Në 1947 botoi përpunimin që i bëri George Castrioti Scanderbeg (1405-1468), Nju Jork 1947
-“Bethoveni dhe Revolucioni francez” (Beethoven and the French revolution) në 117 faqe e botuar në Neë York 1947, anglisht.
-Vëllimi me vjersha Albumi u botua më 1948. Brenda viteve 1961-1963 botoi dy vjershat e fundit origjinale dhe disa shqipërime vjershash të poetëve të njohur.
-Përktheu mjaft autor amerikanë dhe europianë të shek. XIX, duke vënë në punë veshin muzikor, mundi të pasqyronte stilin dhe ngjyrat e ritmit të origjinalit
Fan Noli
Anës Lumenjve
Arratisur, syrgjynosur,
Rraskapitur dhe katosur
Po vajtonj pa funt, pa shpresë,
Anës Elbës, anës Spree-së.
Ku e lam’ e ku na mbeti
Vaj-vatani e mjer-mileti
Anës detit i palarë,
Anës dritës i paparë,
Pranë sofrës i pangrënë,
Pranë dijes i panxënë,
Lakuriq dhe i dregosur,
Trup e shpirt i sakatosur?
Se ç’e shëmpnë derbederët,
Mercenarët dhe Bejlerët,
Se ç’e shtypnë jabanxhinjtë
Se ç’e shtrythnë fajdexhinjtë,
Se ç’e pren’ e se ç’e vranë,
Ç’e shkretuan anembanë,
Nënë thundrën e përdhunës
Anës Vjosës, anës Bunës!
Çirem, digjem i vrerosur,
Sakatosur, çarmatosur,
As i gjall’ as i varrosur,
Pres një shenj’ e pres një dritë,
Pres me vjet’ e pres me ditë,
Se ç’u tera, se ç’ u-mpaka,
Se ç’ u-çora, se ç’ u-mplaka,
Lark prej vatrës dhe prej punës,
Anës Rinit, anës Tunës.
Çakërdisur, batërdisur,
Përpëlitur dhe zalisur,
Endërronj pa funt, pa shpresë
Anës Elbës, anës Spree-së.
Dhe një zë vëngon nga lumi,
Më buçet, më zgjon nga gjumi,
Se mileti po gatitet,
Se tirani lebetitet,
Se pëlcet, kërcet furtuna,
Fryhet Vjosa, derdhet Buna,
Skuqet Semani dhe Drini,
Dridhet Beu dhe zengjini,
Se pas vdekjes ndriti jeta,
Dhe kudo gjëmon trumbeta:
Ngrehuni dhe bjeruni,
Korrini dhe shtypini,
Katundar’ e punëtorë,
Që nga Shkodra gjer në Vlorë!
Ky ilaç e ky kushtrim
Më bën djal’ e më bën trim,
Më jep forc’ e më jep shpresë,
Anës Elbë-s, anës Spree-së.
Se pas dimrit vjen një verë
Që do kthehemi një herë
Pranë vatrës, pranë punës,
Anës Vjosës, anës Bunës.
Arratisur, syrgjynosur,
Raskapitur e katosur
Brohorit me bes’ e shpresë
Anës Elbës, anës Spree-së.
Marshi i krishtërimit
Do të vrasim, Jesu, se të kemi Baba,
Do të varrim, Mesi, se të kemi Usta,
Se s’ke dashur as jet’ as martes’ as para:
Kryqësoje, Pilat, në Kalvar, Golgotha.
Dy kusarë të vegjël i zumë në lak.
Kryqësoji këta, se na vothnë fort pak,
Kryqësoje këtë, se s’na vodhi aspak:
Kryqësoje, Pilat, në Kalvar, Golgotha.
Vrajeni, se përunj dhe përmbys pasurinë,
Pasuron, dhe çliron, dhe forcon varfërinë,
Se lëngatën shëron, se ndriçon verbërinë:
Kryqësoje, Pilat, në Kalvar, Golgotha.
Varreni, se me botën, me ne s’shëmbëllen,
Se na ndreq shtrëmbëritë, dhe kurrë sna rren,
Se e do vegjëlin’ e tiran’ e urren:
Kryqësoje, Pilat, në Kalvar, Golgotha.
Vrajeni, se për vete s’kujdeset, s’lëfton,
Dhe të mjerët, të humburit nuk i sfruton,
Dhe për sherr, për vlla-vrasje, për luftë s’punon:
Kryqësoje, Pilat, në Kalvar, Golgotha.
Varreni, posa s’do as të vras’ as të varrë,
As të bënjë të keqen as gjakun t’a marrë,
Dhe katilët me nam na i qan si të marrë:
Kryqësoje, Pilat, në Kalvar, Golgotha.
Vrajeni kryengritësin e Shënjtëruar
Si katil të mallkuar, atë ka kërkuar,
Se kujtoj që pa armë na ka për të zgjuar:
Kryqësoje, Pilat, në Kalvar, Golgotha.
Syrgjyn Vdekur
(Elegji për Luigj Gurakuqin)
Nëno moj, mbaj zi për vllanë,
Me tre plumba na i ranë,
Na e vran’ e na e shanë,
Na i thanë trathëtor.
Se të deshte dhe s’të deshnin,
Se të qante kur të qeshnin,
Se të veshte kur të çveshnin,
Nëno moj, të ra dëshmor.
Nëno moj, vajto, merr malin,
Larot t’a përmbysnë djalin
Që me Ismail Qemalin
Ngriti flamur trimëror.
Nëno moj, m’a qaj në Vlorë
Ku të dha liri, kurorë,
Shpirt i bardhë si dëborë;
Ti s’i dhe as varr për hor.
Nëno moj, ç’është përpjekur
Gojë-mjalt’ e zëmër-hekur,
Syrgjyn-gjall’ e syrgjyn-vdekur,
Ky Vigan Liberator.
Jepni për Nënën
Ç’thot’ ajo e ve e gjorë,
-Mbretëreshë pa kurorë-
Faqe-çjerrur, lesh-lëshuar,
Shpirt e zëmër përvëluar;
Gjysm’ e vdekur: “O Shqiptarë,
Nënës mos ia bëni varrë!”
Mbahu, Nëno, mos kij frikë
Se ke djemtë n’Amerikë.
Qan e lutet Nën’ e mjerë,
Kërkon vatrën edhe nderë,
Do lirinë dhe atdhenë,
Si ç’e pat me Skënderbenë,
Bijt’ e besës thërret pranë.
Kur i thirri dhe s’i vanë?
Mbahu, Nëno, mos kij frikë,
Se ke djemtë n’Amerikë.
Cilët jan’ ata tiranë
Që të pren’ e që të vranë
Që të therrë bij e bija,
Dhe t’u nxi, t’u mbyll shtëpija?
Derthni plumba, o Shqiptarë,
Gjakn’ e Nënës për të marrë,
Mbahu, Nëno, mos kij frikë,
Se ke djemtë n’Amerikë.
Cilët bij të trathëtuan
Dhe të doqnë dhe të shuan
Dhe të lan’, o Shkab’ e ngratë
Pa fole, pa zog, pa shpatë?
Këta qena, o shok’ i mbytni,
Mbushni gjyle që t’i shtypni.
Mbahu, Nëno, mos kij frikë,
Se ke djemtë n’Amerikë.
Sa kërkon e sa të duhen?
Burrat nga detyra s’ndruhen!
Trim i mirë do të japë,
S’kursen jetën as paratë;
Hithni, hithni tok dollarë,
Të mos mbetemi të sharë.
Mbahu, Nëno, mos kij frikë.
Se ke djemtë n’Amerikë.
Do të ndihim pa kursyer
Për ty, Nëna jon’ e vyer,
Që me drit’ e nder të thuresh
Dhe me bijt’ e tu të mburesh.
Cila Nënë lyp paranë?
Cilët bij me shpirt s’i dhanë?
Mbahu, Nëno, mos kij frikë,
Se ke djemtë n’Amerikë.
Armë dhe fishekë mblithni,
Qesen edhe shpirtin hithni:
Për lirin’ e vëndit t’onë,
Sot, se nesër është vonë
Jepni, Nënën të shpëtoni,
Komb e vatra të nderoni.
Mbahu, Nëno, mos kij frikë
Se ke djemtë n’Amerikë.
Marshi i Krishtit
Hosanna o çliro’njës, Mesi, hosanna!
Shtroni udhën me lule, dafin’ e hurma,
Brohoritni trumbeta, timpane, zurna,
Thirr e zbras, o gurmas: Hosanna, hosanna!
Kryetrim, që lëfton, triumfon për atdhe,
Shpëtimtar, kryemjek, kryeshenjt, kryefè,
Pasuri, dhe liri, dhe fuqi ti na dhe,
Lum e lum, Galile: Hosarma, hosanna!
0 i bir i Davidit, i Miri Bari
Ti na prin dhe na rrit në luath e vërri
Ti na ruan, na mpron, dhe për ne bëhesh fli,
0 Njeri-Perëndi: Hosanna, hosanna!
Përmbi Dhè, përmi Fron, përmi Qjell u bekofsh,
Përmi djall dhe tiran, përmi Ferr mbretërofsh,
Me pean dhe temjan, dhe këmban’ u këndofsh,
Drit’ e gas, rrofsh e qofsh: Hosanna, hosanna!
0 i fort’ o i urt’ o i ëmbël Jesu,
Plot me bes’ e me shpresë të biem mi gju,
T’adhurojmë me zëmër këtu e tehu,
Gjithëkunt e pa funt: Hosanna, hosanna!
Hosanna, o çlironjës, Mesi, hosanna!
Shtroni udhën me lule, dafin’ e hurma,
Brohoritni trumbeta, timpane, zurna,
Thirr e zbras, o gurmas: Hosanna, hosanna!
Kënga e Salep Sulltanit
Një mexhlis të math na çeli
Pandeli Jano Vangjeli
Me Sulltan-llokum na veli
Si kofini pas të vjeli.
Fyt’ i Floqit po pëllet
Top’ i Krosit po kërcet:
Ç’është ky sheqer-kësmet?
Hallvaxhin’ e pamë mbret!
Dhe rakia vete-vjen
Xhafer Ypi na mbërthen
Dhe për lot na mallëngjen
Rreth konopit me legjen.
Koço Koça, mjek hanxhari,
Nis një valle palikari,
Se me një ferman kusari
Sadrazem u bë firari.
Dhe Feridi faqe ndron,
Die shante, sot lëvdon
Fryn bulçit’ e trumbeton,
Që Katrani zbardhëllon.
Dhe sarhosh Iljas Vrioni
Dehet, siç e do zakoni,
Bërtet: “Rroftë Napoloni!
Kështu tha dhe Ksenofoni!”
Se ç’ u çporr xhumhurieti,
Se ç’u rahatos mileti,
Se Sulltanin prap’ e gjeti,
Se, që kur e humbi, s’fjeti!
Ç’ka sepse i vjetri qe
Madhështor sa një deve
Dhe ky s’bën as për meze!
Rroftë sa jep ylefe.
Se ç’ na u gëzua xhani,
Se ç’na preu Ramazani,
Se ç’ na piu Italjani,
Rroftë pra Salep-Sulltani!
Te ura, te ura
Vraponi, o burra,
Me armë, me topa, me kordh’ e me shpata,
Se dolli kuçedra e errët nga nata,
Se ngriti bajrakun e lyer me gjak
Dhe sulet prej Shijakut në Durrës me vrap.
Kuçedr’e Turqisë,
Hyen’e urisë,
E rrahur nga Greku, nga Serbi e Bullgari
Do gjak të thëthinjë dhe vjen te Shqiptari,
Si gjarpër zvarniset, i sillet përqark,
Me dinin në gojë, me helmin në bark.
Kuçedrën e vrarë
E hasi më parë
Thomsoni në Vlorë, kur vinte prej detit
Me katërqint krahë, lubi’ e Dovletit;
E zuri për gryke, e shtriu përdhe
Nga thonjt’ i rrëmbeu të mjerin Atdhe.
Pastaj për së dyti
Në Durrës e mbyti
Dhe kokën ia shtypi me top nga Kalaja,
Kur hodhi Esadin nga Froni, nga maja,
Nga forca në pluhër, nga bregu në det,
Me grusht prej rrufeje, që ngrin e që tret.
Kuçedra e thyer,
Në turp e përlyer
Përmblidhet e kthehet nga toka në Durrës
Dhe ngrihet m’e fortë, në Gjol, afër Urës.
Shqiptar’i verbuar vërsulet në det,
Shkel Flamur dhe Nënë dhe vllezër po vret.
“Dy herë të theva,
Të shtriva, të ndeva,
Po prapë u ngjalle dhe prapë u ngrite,
Pritmë, the, pritmë!” Dhe prap’ iu vërvite,
Dhe hovin kuçedrës ia preve, po re,
Kalorës i huaj, që vdiqe për ne!
Nga Ura, nga Ura
Po ikni, o burra?
Ju ikni, po hij’ e Kalorësit s’ikën!
Kuçedrës tërbuar ajo i fut frikën,
Se urën e ruan, se Urë’n e mpron
Stihia – Shqiponjë, me qip e me thonj.
Te ura, te Ura,
Vajtoni, o burra,
Thomsonin e ngratë që ju vet’ e vratë,
Që pas nuk i ratë, po vetëm e latë,
Kur shkonte kaluar të vdesë për ne,
Për ju, të mallkuar, që s’doni Atdhe.
Rent or Marathonomak
Rent or rent, rent e u thuaj
Se u çthur ordi e huaj,
Se betejën e fituam
Dhe qytetin e shpëtuam!
Rent, or rent,
Rent, or Marathonomak!
Kap një degë prej dafine
Dhe vërtitesh ndaj Athine,
Nëpër fush’ e brek mi brek
Këmba tokën as t’a prek,
Hip’ e zbrit,
Petrit, Marathonomak!
Ke një plagë, po s’e the,
Djers’ e gjak pikon për-dhè;
Do që ti të jesh i pari,
Për triumfin lajmëtari
Flamur-gjak,
Kuqo, Marathonomak!
T’u tha gryka, po s’të pihet,
T’u mpi këmba, po s’të rrihet,
Se mileti po të pret,
Ankthi zëmrat ua vret,
Vrer e tmerr,
Shpejt, or Marathonomak!
Kurrë kaqë s’dogji djelli
Dhe si plumb s’rëndovi qjelli,
Kurr’ aq ëmbël’ e bukur s’ftoj
Hij’ e lisit edhe kroj;
Turru tej,
Tutje, or Marathonomak!
Vapa mbyt e pluhri nxin
Ferra çjerr e guri grin
Afsha gjoksin përvëlon
Syrin avulli verbon;
Ur’ e prush,
Furr’, or Marathonomak!
Gryka si gjyryk të çfryn
Prej Vullkani flag’ e tym
Se ç’vëngon e se ç’gulçon,
Zëmra brinjët t’i çkallmon
Me tokmak,
Mbahu, or Marathonomak!
Nëna, motra, nusja dalin,
Ngrehin krahët të të ndalin,
Mos, se s’janë veç Najada
Magjistrica dhe Driada;
Lark, or lark,
Lark, or Marathonomak!
Hajde, ja Akropolia,
Ja qyteti e njerëzia
Që të pan’ e që të çquan
Dhe fuqinë t’a rishtuan
Ha dhe pak,
Hajde, or Marathonomak!
Ja, arrive, ua the:
Ç’gas e ç’helm qe kjo myzhde!
“E fituam!”, brohorite
Dhe për tok’ u përpëlite;
Vdiq, or vdiq!
Vdiqe, or Marathonomak!
Rent kudo, dyke bërtitur,
Nëpër shekuj faqe-ndritur,
Se i vogli shtrin viganin
Dhe i shtypuri tiranin,
Veç e tok,
Tok, or Marathonomak!
Hymni i Flamurit
O Flamur gjak, o flamur shkabë,
O vënd e vatr’ o nën’ e babë,
Lagur me lot, djegur me flagë,
Flamur i kuq, flamur i zi.
Fortesë shkëmbi, tmerr tirani,
S’të trëmb Romani, as Venecjani,
As Sërb Dushani, as Turk Sulltani,
Flamur i math për Vegjëli
Flamur që linde Shën Kostandinin,
Pajton Islamn’ e Krishtërimin,
Çpall midis feve vllazërimin,
Flamur bujar për Njerëzi.
Me Skënderben’ u lavdërove
Dhe në furtun’ i funtmi u shove,
Me Malon prapë lart vrapove,
Yll i pavdekur për Liri.
Sa shpesh pastaj përdhè u shtrive
Me zjarr e zi u ndeze, u nxive,
Po çdo mizor me shpat’ e grive,
O fushë-kuq, o shkabë-zi.
Përpjetë prie Shqipërinë,
Përlintj’a shpirtin dhe fuqinë,
Diell për vllanë, yrnek për fqinë
Për botën ëndr’ e qjell i ri.
Kënga e Salep SULLTANIT
Një mexhlis të math na çeli
Pandeli Jano Vangjeli
Me Sulltan-llokum na veli
Si kofini pas të vjeli.
Fyt’ i Floqit po pëllet
Top’ i Krosit po kërcet:
Ç’është ky sheqer-kësmet?
Hallvaxhin’ e pamë mbret!
Dhe rakia vete-vjen
Xhafer Ypi na mbërthen
Dhe për lot na mallëngjen
Rreth konopit me legjen.
Koço Koça, mjek hanxhari,
Nis një valle palikari,
Se me një ferman kusari
Sadrazem u-bë firari.
Dhe Feridi faqe ndron,
Die shante, sot lëvdon
Fryn bulçit’ e trumbeton,
Që Katrani zbardhëllon.
Dhe sarhosh Iljas Vrioni
Dehet, siç e do zakoni,
Bërtet: “Rroftë Napoloni!
Kështu tha dhe Ksenofoni!”
Se ç’ u-çporr xhumhurieti,
Se ç’u-rahatos mileti,
Se Sulltanin prap’ e gjeti,
Se, që kur e humbi, s’fjeti!
Ç’ka sepse i vjetri qe
Madhështor sa një deve
Dhe ky s’bën as për meze!
Rroftë sa jep ylefe.
Se ç’ na u-gëzua xhani,
Se ç’na preu Ramazani,
Se ç’ na piu Italjani,
Rroftë pra Salep-Sulltani
Krenari
Ç’deshe ti, mor, në Kalvar,
0 qyqar, o Kirenar!
Del me poçen për sehir,
Ndrit me Kryqin si martir.
Rent nëpër kallaballëk,
Se ç’po ngjan s’merr vesh as gëk,
Je i pir’ e s’mban dot anë
Për çlironjës a tiranë.
Nëpër pluhër dhe shamatë
Turren burrat, çirren gratë
Turm’ e ndezur, e tërbuar,
Krishtin për të kryqësuar.
“Mir’ e gjeti, the, sarafi,
Se ashtu ia desh qylafi,
Se po çvishte vegjëlinë
Me uzurën dhe vergjinë”.
Po kur pe që u-gënjeve,
Kryqësimin s’e pëlqeve.
Kirenar, se ç’the një fjalë:
“Mos e vrisni këtë djalë!
Daleni, the, mor aman-ni,
Oratorin mos e ngani,
Si politikan flet n’erë.
Po s’e bën më tjatër herë!”
Fare bukur e fillove
Po më kot i këshillove,
Se katilët s’të sajdisnin,
Si pjanik të qesëndisnin.
Dhe kur pe këto havaze
Një dolli me verë zbraze
Për të mbytur mallëngjimin,
Për të shuar hidhërimin.
Po dollia të tronditi
Dhe mi Krishtin të vërviti,
Të tre Kryqet i përfshive
Dhe për-dhe të gjith’i shtrive.
Ç’ngjau pasandaj s’kuptove
Kryqin gjer sa e zaptove
Dhe si Krisht u-kapardise
Dhe në djers’ u-batërdise.
Ç’vete shtrëmbër në Kalvar
0 qyqar, o Kirenar!
Se ç’përmbysesh, kamçikohesh,
Rrihesh, ngrihesh, çdehesh, zgjohesh.
Krishtin me habi pyet:
“Nga më krisi ky tërmet?
Pse pa faj po më mundojnë,
Kryqn’ e huaj ç’m’a ngarkojnë?”
Krishti po të ngushëllon,
Dhe durim të këshillon:
“Mos kij dert, se u-bekove,
Me dolli lavdi fitove!
Mos kij dert, mor Kirenar,
Ta bën këngën një Shqiptar!”
“Po ku është Shqipëria?”
“Tek ndes vetë Perëndia!”
Bëj gajret, mor Kirenar,
Drejt përpjetë në Kalvar!
Për paradën që bën ti
Çdo besnik të ka zili
Zgjidhni e merrni….
A të duhen luftëtarë? 
Dhe arratinë armiku të marrë? 
A do botës t’i vësh zjarrë? 
Merr nja dhjetë kosovarë.
A do male me dëborë 
Trima të fortë e malësorë 
Fort bujarë e burrërorë 
Shko në Kukës, i ke në dorë
A të duhen sharlatanë, 
Që lëpin në çdo sahanë, 
Që të përcajnë vatanë, 
Ke sa të duash tropojanë
A do njerëz për aheng, 
Për tryeza e për kuvend, 
Burra e gra kërcejnë me loder 
Këta i gjen veç ne Shkodër.
Njerëz të zgjuar, me lezet 
Që i gjen në çdo anë, 
Që të bëjnë muhabet 
Këta janë mjeshtrit dibranë,
A të duhen budallenj 
Ca gomerë e ca kopukë 
Hajdut, kaçak e batakçinjë 
Shko e merri mu në Pukë
A do trima sejmenë? 
Kapardisur kudo vënë, 
Gjumi pa i zënë t’mos flenë, 
Për tre mirditore bëj benë.
Këta matjane burra të zotë, 
Qe dikur kanë bërë barot, 
Se i njeh gjithë vendi mbar,
Nuk bëjnë tjetër veç për xhandar
A te duhen gënjeshtarë? 
Matrapaz e kokë thare? 
Kripen ta shesin për farë, 
Merr krutanë dhe je i larë.
10 
Do dembelë për Stamboll? 
Mos u lodh e mos hiç hall, 
Të rreshtosh nja tri tabor, 
Tiranasit t’i zgjedhish me dorë.
11 
Po qejflinj a të duhen? 
Qe me jevga dinë te kruhen, 
Zonja qe pjellin çdo vit, 
Veç Elbasani i rrit.
12 
Në do burra llafazanë 
Qe çudisin gjithë dynjanë 
Qe rrinë tërë ditën rrugës 
Nga këto gjen plot në Durrës
13 
Po kërkove kokë palare 
Kryengritës dhe gomarë 
Qe punët të shkojnë vaj 
Shko e merri në Kavajë
14 
Kërkon hoxhë e kërkon prift, 
Mos bridh e mos u ngjit 
Se si këta qe bëjnë mëkat 
I gjet vetëm ne Berat
15 
A do urtë njerëzit të rrinë, 
Nën komande të kesh ushtrinë, 
në tabjate të kesh njerëzinë 
Merre të gjithë Labërinë!
16 
Do për pune, një korçar? 
I ke bujq e ustallarë, 
Me gra bashke e hapin varre 
Krah e kokë s’u ka te share.
17 
Do budallenj që veç hanë? 
Me dy këmbë do hajvanë? 
Pasuri që s’din të vënë 
Merr shëtit gjithë Myzeqenë.
18 
A do të ruash florinë? 
Katandinë e shtëpinë? 
Me dy qofte mbush sininë, 
Ec e merre Gjirokastrinë.
19 
A do të hash e te besh qejf? 
Sofra e shtruar si për mbret, 
Pastërti e për hyzmet, 
Të tillë gjen veç ne Përmet.
20 
Do ministra kolonjarë? 
Se mbahen burra për “mend”, 
Duan kudo te jenë të parë, 
Ne mexhlis e në kuvend.
21 
Hall i madh me Skraparllinj 
Ka rrezik të hash dhe dru, 
Dy ministra le të rrinë, 
Se na duhen dhe pa tru.
22 
Ore te gjore, harruam Vlorën! 
Se kjo pune lahet me gjak, 
Dy shirita e një medalje, 
Kësaj pune i vënë kapak.
FAN NOLI DHE LUIGJ GURAKUQI
Nga Frank Shkreli
(Kumtesë në përkujtimin e 50-vjetorit të ndarjes nga kjo jetë e 
Fan Nolit, organizuar nga VATRA, 13 Mars, 2015, në New York) 
Z. Kryetar! Së pari dëshiroj tu falënderoj ju dhe Komisionin përgatitës për ftesën që më bëtë për të marrë pjesë në këtë takim përkujtimor me rastin e 50-vjetorit të vdekjes së Fan Nolit. Unë, në atë temën – duke mos qenë studiues i Nolit, as akademik dhe as historian, por pikërisht nga pikëpamja e një publicisti të thjeshtë – u përpoqa ta shënoja këtë përvjetor me një shkrim modest para nja 10 ditësh, për arsye të respektit që kam për të, por edhe me shpresën se do të ketë kujtime të tjera me rastin e këtij përvjetori, prandaj u përgëzoj që kini organizuar këtë takim përkujtimor. Unë nuk kam arritur ta njihja personalisht Fan Nolin, ndonëse emigrova në këtë vend 5 vjet pasi ndërroi jetë ai, por gjatë viteve kam pas fatin ta njihja atë nëpërmjet disa njerëzve të cilët e kishin njohur mirë Nolin.
Një prej tyre, ishte Louis Prifti, një ish-koleg imi në Zërin e Amerikës, i cili gjatë karrierës së tij tek VOA kishte mbuluar shumë prej aktiviteteve të Nolit dhe kishte marrë një numër intervistash prej tij. L. Prifti – ishte një thesar mbi jetën dhe veprimtarinë e Nolit, nga i cili kam mësuar shumë për këtë patriot. Përveç kësaj, Fan Nolin e simpatizojmë më shumë edhe për arsye se ai është i yni, si shumë prej nesh, bir i diasporës, i cili pjesën dërmuese të jetës e kaloi jashtë trojeve shqiptare. Ndante pra një fat si të gjithë ne, që pjesën më të madhe të jetës tonë jemi duke e kaluar në mërgim. Veprimtaria e Fan Nolit ishte e shumanshme dhe roli i tij i mrekullueshëm. Sepse Noli, siç ka thënë një bashkëkohës i tij Baba Rexhebi i Teqesë Bektashiane në Detroit, “Ishte një prijës i denjë në fushën shpirtërore, kulturore dhe kombëtare.” Ndërsa folësit e tjerë prekën fushë të ndryshme nga veprimtaria e Nolit, si dhe prirjet e tija të rralla krijuese poliedrike, unë deshta që ndër të tjera, të përmend, shkurtimisht, lidhjet e tija të veçanta me Luigj Gurakuqin dhe rolin e tyre të përbashkët në mbrojtje të interesave të kombit – ashtuqë të kujtojmë edhe Gurakuqin, pasi 2 marsi i këtij viti shënoi 90-vjetorin e vrasjes së mikut dhe bashkëpunëtorit të ngushtë të Fan Nolit. Është me vend që t’i kujtojmë këta shqiptarë të mëdhenj që s’janë më – ndonëse nganjëherë të harruar – ata janë të pranishëm me veprat dhe me trashëgiminë e tyre, me idealet e tyre të shenjta, me shembëllat e tyre dhe me përpjekjet dhe rolin e tyre prej titanësh, që ata luajtën për t’a bërë Shqipërinë dhe shqiptarët ashtu siç janë sot, megjithese besoj se do të dëshironin Shqipërinë, Kosovën dhe shqiptarët kudo — më mirë se ç’janë sot. Këta dy përvjetorë shndrisin me germa të mëdha ari historinë e shqiptarëve, sepse Noli dhe Gurakuqi – veçmas dhe së bashku – luajtën role të mëdha në fatin e kombit shqiptar. Në të vërtetë, ishin aq bashkëpunëtorë të ngushtë sa që Noli, në elegjinë kushtuar Gurakuqit pas vrasjes së tij, e quan Gurakuqin, “vëlla”, “Gojë mjaltë dhe zemër hekur”: “Sa më mirë e kam njohur”, do të thoshte Noli për Gurakuqin“, aq më tepër kam qenë i shtrënguar ta respektoj.” Noli do ta bënte Gurakqin Ministër të Financave në qeverinë e tij dhe si këshilltar të ngushtë e merr Gurakuqin me vete pjesë e delegacionit shqiptar në mbledhjen e Lidhjes së Kombeve në Gjenevë, në shtator të vitit 1924. Fillimisht ata morën pjesë në punimet e komisioneve të ndryshme, ku folën të dy në emër të qeverisë shqiptare, por ishte fjalimi i Fan Nolit në sesionin plenar të Lidhjes së Kombeve ai që do të tërhiqte vëmendjen më të madhe ndërkombëtare. “Peshkopi, Kryeministër Fan Noli i Shqipërisë i bëri delegatët e Lidhjes së Kombeve të mbeten gojëhapur, kur u mbajti një nga fjalët që bëri bujë dhe pa dyshim një nga fjalët më piktoreske”, do të shkruante në atë kohë gazeta amerikane Nju Jork Tajms. Suksesi i Fan Nolit në mbrojtjen e Shqipërisë dhe të Shqiptarëve në Konferencën e Lidhjes së Kombeve në Gjenevë, e vërtetoi dhe e ngriti atë në një nivel diplomati të rangut botëror dhe e bëri Nolin si njërin prej udhëheqësve më të dalluar të jetës politikës dhe diplomatike shqiptare, ndoshta i të gjitha kohërave, ndërkohë që nga Shtetet e Bashkuara ai shërbeu si një zëdhënës dhe përfaqësues i denjë i të të drejtave të Shqiptarëve kudo. Në këtë përvjetor të vdekjes së tij, kujtojmë pra një burrështeti dhe diplomatin shqiptar i cili me veprat e tija kombëtare atdhedashëse, në vazhdimësi dhe në përjetësi, nderon kombin shqiptar. Sipas një komenti të gazetës britanike, Manchester Guardian të vitit 1924, sot kujtojmë “një burrë me të cilin do krenohej çdo vend, një diplomat i përkryer, një ekspert i politikës ndërkombëtare, një debatues i aftë, i cili la një përshtypje mbresëlënëse në Gjenevë. Ai, me një mjeshtëri të pazakontë, i mundi kundërshtarët e tij ballkanikë, gjithmonë duke u qeshur”, shkruante gazeta britanike. 
“Një prelat shqiptar, i krishterë, kërkonte një Shqipni të lirë dhe hynte dorëzanë se ndjeksat e tri besimeve do të jetojshin në harmoni të plotë vullnetesh e qëllimesh. Pranija e Tij ishte një përgnjeshtrim i akuzave të anmiqvet”, do të shkruante Ernest Koliqi me rastin e vdekjes së Nolit, duke thënë se armiqtë e kombit shqiptar, “Nuk e pritshin aty në atë mbledhje (të Lidhjes së Kombeve) atë plotni argumentash historikë e gjeografikë të paraqitun me stil të naltë, që dëshmonte pregatitje të jashtzakonshme kulturore. Si mos me e pranue një shtet që nxirrte njerzë me gjithë ato veti të rralla?”, pyeste Ernest Koliqi në shkrimin e tij në revistën Shëjzat me rastin e vdekjes së Fan Nolit në mars të vitit 1965. Pjesëmarrja aktive në punimet e Lidhjes së Kombeve në Gjenevë në vitin 1924 nga përfaqsuesit shqiptarë Fan Noli dhe Luigj Gurakuqi mund të konsiderohet si përpjekja e parë shqiptare, në një nivel të tillë ndërkombëtar, për t’ia bashkuar vendin e tyre të izoluar dhe të harruar Europës dhe vlerave universale të njeriut. Nolit e Gurakuqit, në të vërtetë, iu bashkuan pak më vonë edhe Bajram Curri dhe Hasan Prishtina, të cilët shkuan në Gjenevë për të protestuar para Lidhjes së Kombeve duke kërkuar drejtësi për popullin shqiptar të Kosovës, që shovinistët serbë donin ta zhduknin nga faqja e dheut. Për shumë vite Bajram Curri e Hasan Prishtina mbanin mbi shpatullat e tyre vuajtjet dhe dhimbjet e një populli i cili nuk kërkonte asgjë më tepër veçse të jetonte i lirë në trojet e veta autoktone. Nuk ua merrte mendja të shkretëve se pjesëmarrja në atë sesion të Lidhjes së Kombeve në Gjenevë më 1924, do të ishte e fundit për të gjithë këta rilindës të kombit si përfaqësues të Shqipërisë dhe shqiptarëve në atë nivel të diplomacisë ndërkombëtare. Prandaj, me rastin e këtyre përvjetoreve për Luigj Gurakuqin dhe Fan Nolin, nuk mund të harrojmë as 90-vjetorin e vdekjes së Bajram Currit, gjithashtu në mars të vitit 1925. Në një kohë kur Shqipëria sot është anëtare e NATO-s dhe vend kandidat për anëtare në Bashkimin Europian dhe kur Kosova është shtet i pavarur dhe kurë shqiptarët janë më të lirë se kurrë – duhet të kujtojmë se ishin pikërisht këta burra të cilët ndërtuan urat e para drejtë Europës dhe perëndimit. Porta e Europës ishte e mbyllur atëherë për shqiptarët, për arsye se të huajt nuk i donin shqiptarët. Por Fan Noli, Luigj Gurakqi, Bajram Curri dhe Hasan Prishtina — si individë dhe si grup — ishin të qartë dhe të vendosur mbi interesat afatgjata të kombit të vet, se bazuar në traditën, vlerat dhe në kulturën e kombit, Shqiptarët ishin dhe janë pjesë e Europës. Në një shkrim të Ernest Koliqit në të cilin thotë se edhe ai vet ishte një “nëpunës i vogël por besnik në Qeverinë e kryesueme prej Fan Nolit më 1924”, thekson tiparet e këtyre burrave sipas Nolit, duke u shprehur se “Në Luigj Gurakuqin, Fan Noli njofti burrninë që rrjedh nga vetitë shqiptare, trashigue nga të Parët dhe të zhdrituna shkëlqimisht në rrezet e nji kulture së gjanë. Në Bajram Currin njofti e përlavdoi instinktet e shëndosha burrnore që me gjarpënim vetimash e shungllim bubullimash shfaqen papritmas në përpjekje për ideal, pa dalë nga vijat e urtisë dhe pa u shkoq nga trashigimi stërgjyshnuer i nderit e i drejtësisë.” 
Sot, 25 vjet pas shembjes së komunizmit, aspiratat e kombit shqiptar për hapjen e portës së Europës nuk po realizohen – me gjithë fjalët e mira. Kjo kryesisht për arsye të një politike përçarëse dhe korruptive, si dhe të mungesës së mirëfilltë të një dialogu politik, anë e mbanë trojeve shqiptare në Ballkan, për një bashkërendim të një politike mbarë kombëtare, në mbështetje të interesave të përgjithshme strategjike, afat-shkurtra dhe afta-gjata të kombit. Duke marrë parasysh gjendjen aktuale politike në trojet shqiptare, është vështirë të mos vihet në dyshim sinqeriteti dhe gatishmëria e kësaj klase politike shqiptare, për të ndjekur shembullin e këtyre rilindësve. A duan këta politikanë të sotëm ta çojnë trenin shqiptar drejtë vlerave universale, drejtë Europës, në ato shina dhe mbi ato ura që ndërtuan me aq mund e sakrifica, Noli dhe Gurakuqi me bashkëkohësit e tyre. Ndryshe nga sot, Luigj Gurakuqi dhe Fan Noli ndiqnin një politikë parimore konsekuente diplomatike në favor të interesave të kombit shqiptar. Shqiptarët në fillim të shekullit të kaluar e kishin punën shumë ngushtë, me shumë armiq të cilët ishin të vendosur të copëtonin vendin – por pa shumë miq – në krahasim me situatën e sotme, kur kombi shqiptar radhitë si miq e përkrahës vendet më të zhvilluara perëndimore. Por, me gjithë sfidat e kohës, fatbardhësisht Shqipëria mbijetoi, falë veprimtarisë, sakrificave, atdhedashurisë dhe patriotizmit pa interesa personale- të burrave si Noli, Gurakuqi e Bajram Curri – të cilët mbronin para botës interesat e vërteta të kombit. Këta i përkisnin një brezi viganësh të Rilindjes së vërtetë të kombit shqiptar, të cilët shkrinë jetën për idealet e kombit. Ishte ky një brez pra patriotësh shqiptarë, i cili synonte me çdo kusht dhe pa kompromis sigurimin e të drejtave të shqiptarëve në trojet e veta, por njëkohësisht ishin të gatshëm të merrnin përsipër edhe angazhimin e tyre për përvetësimin dhe zbatimin e vlerave të përbashkëta, të standardeve dhe vlerave universale të kombeve të zhvilluara. Ata ishin të gatshëm ta bënin këtë si një përgjegjësi dhe obligim, jo vetëm kombëtar, por edhe personal. Shënimi i 50-vjetorit të vdekjes së Fan Nolit natyrisht bëhet për të kujtuar jetën dhe veprimtarinë e njerëzve të mëdhenj të kombit siç ishte ai, por duhet gjithashtu të shërbej për brezat e sotëm të politikanëve, në duart e të cilëve është sot fati i kombit — si një rast i mirë për të mësuar diçka nga jeta dhe veprimtaria e tyre, e rolit të tyre altruist, madje edhe nga gabimet e tyre, megjithëse ata jetuan dhe vepruan nën rrethana shumë më të vështira se sot dhe në krahasim me arritjet e tyre të metat dhe gabimet ishin të vogla. Trashëgimia e tyre, në këtë rast trashëgimia dhe roli i Fan Nolit, është monumental në historinë e shqiptarëve. Aktiviteti i tij ishte gjithpërfshirës! 
Por, siç shkruante Ernest Koliqi me rastin e vdekjes së Nolit, asgjë tjetër mos të kishte bërë Fan Noli për atdheun e vet, kur për hir të zotësisë së Emzot Nolit, Shqipëria u pranua si anëtare e Lidhjes së Kombeve, kur Shqipëria siguroi të drejtat e veta dhe doli faqebardhë – kjo vepër e tija në vetvete meriton mirënjohjen e përjetshme të të gjithë shqiptarëve. Më shumë se asnjëherë më parë, kombi shqiptar ka nevojë sot për Fan Nola, Luigj Gurakuqa dhe Bajram Curra. Brezi i sotëm i shqiptarëve nuk mund të thotë se nuk ka shembuj për tu ndjekur! Nëqoftëse ka vullnet, ja shembujt e burrnisë, të nderit, të atdhedashurisë, të pajtimit e të harmonisë, por edhe të kulturës perëndimore, të cilët gjithë jetën e tyre – me gjithë rrethanat e vështira nën të cilat jetuan – ata u munduan gjithmonë të sjellin ujin në mulli të atdheut të vet. I madh mbetet Fan Noli, 50-vjet pas vdekjes! I përjetshëm qoftë kujtimi i tij! U falëmnderit! Frank Shkreli
Mesazhi i Atë Arthur Liolin, 
Kryekancelarit të Kishës së 
Nolit, ne kujtim te 50 vjetorit 
te vdekjes se Nolit
(Lexuar nga Pastor fr. Nathan Preston nga Kisha Ortodokse St. 
I nderuar Dr. Gjon Bucaj, kryetar i Federatës Pan Shqiptare e Amerikës-Vatra)
Në këtë 50 vjetor i përkujtimit të mbështetëm Fan Stilian Nolin, i cili vdiq në 13 Mars 1965, ju lutem pranoni përshëndetjet tona të thella për ju dhe për të gjithë kolegët tuaj të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës – Vatra. Ju keni zgjedhur të përkujtoni Atë më 13 Mars – Dita e saktë, e 50 vjetorit të kalimit të tij në amshim. VATRA, me këtë rast mbledh që të reflektojnë dhe për të dëgjuar nga kontributet e shquar që Fan Noli kishte bërë për të rritur njohuritë dhe imazhin e trashëgimisë sonë të përbashkët. Fan Noli ka shërbyer si një nga themeluesit më me famë të Vatrës. Kështu, ne qëndrojmë në nderim, mirënjohje dhe admirim të trashëgimisë së jashtëzakonëshme që ai bëri në fusha të tilla të ndryshme si fe, letërsisë, historisë, gazetarisë, shkrimit, muzikës, poezisë dhe artit, e mynyrës të qeverisjes. Në shumë mënyra, ai u bë si një “Njeriu për të gjitha kohërat.” Si e tillë, me anë të jetës së tij të jashtëzakonshme dhe punëve të jashtëzakonshëm ai vazhdon të shërbejë si një mishërim i të gjithëve, që njerëzit tanë të gjejnë vlerat dhe të mbajnë ato si të shenjtë. Në të vërtetë, me trashëgiminë e tij, Ai është bërë një Icon i Identitetit Shqiptar Kombëtar dhe një model frymëzues, për brezat që vijnë, për ta kujtuar Atë si: Ikon i Kombit. Më tej, për të u mbledhur gjatë muajit mars ne na mundëson që të kujtojmë dhe nderojnë Atë me përulësi. Vdekja e Tij ishte në muajin mars, muaj kur ai u shugurua si prifti i parë shqiptar ortodoks për të filluar misionin e Tij, ambicioz gjatë tërë jetës. Në mars, Ai i prej se kur la Atdheun, kishte themeluar kishën e tij të parë shqiptare në Boston . Dhe ishte marsi i pesëdhjetë vjetëve më parë kur Ai ka hyrë në përjetësi. Ju lutem me këtë rast pranoni urimet më të përzemërta për VATREN dhe të gjithë bashkatdhetarët të nderuar, dhe për të rikujtuar trashëgiminë pavdekshëm e ofruar për ne dhe për njerëzimin nga Fan Stilian Noli. Mundet që kujtesa e Tij ngaherë të jetë e përjetshëme. I perjetshem qofte kujtimi i Tij! Me shumë mirënjohje dhe lutje, Very Rev Arthur E. Liolin –
* Mesazhi i dërguar në Seminarin Përkujtimor të VATRËS për 50 vjetorin e ndarjes së Nolit nga Jeta.
Skënder Luarasi përgatiti për botim monografi për të tre kolosë të kombit shqiptar. Arriti të botonte ‘Ismail Qemalin’ (1962) dhe ‘Isa Boletinin’(1970) por ‘Fan Nolin’ jo!
Noli, figura faustiane e popullit shqiptar 
Nga Skënder LURASI

Kombi shqiptar përkujton 50-vjetorin e ndarjes nga jeta të personalitetit të shquar Fan S.Noli (06. 01. 1882-13.03. 1965) që në veprimtarinë e tij atdhetare, klerikale, kulturore e letrare u njoh dhe bashkëpunoi edhe me Petro Nini Luarasin dhe bijtë e tij Dhimitrin dhe Skënderin. Në kryeveprën e Gëtes, “Fausti”, shqipëruesi Skënder Luarasi shkroi: “Ky përkthim i blatohet Fan Stilian Nolit, figurës faustiane të popullit shqiptar” duke argumentuar se “gjithë jetën e tij ai kërkoi të vërtetën dhe rrojti, punoi e luftoi për ta gjetuar atë. Përpjekja e Nolit identifikohet me përpjekjen e Faustit”. Në këtë rast jubilar po publikojmë disa fragmente nga kujtimet e Skënder Luarasit për udhëheqësin dhe mikun e tij të adhuruar Fan S.Noli.
Ismail Qemali, Isa Boletini e Fan Noli
Muaji janar i fali mëmëdheut tonë tre nga më të mëdhenjtë rilindës që patën fatin e bardhë të rrojnë sa ta shohin Shqipërinë të lirë e të pavarur dhe punën e tyre patriotike të kurorëzuar me sukses. Këta janë Ismail Qemali, i cili e blatoi emrin e tij përjetësisht në faqen e parë të Historisë së Shqipërisë së Re; Isa Boletini, i cili me luftën e tij për çlirimin prej zgjedhës turke e bëri emrin e Shqipërisë të dëgjohej me respekt nga gjithë bota dhe Fan S.Noli, i cili u bë një nga shprehësit më të fuqishëm të mendimit të rilindësve tanë dhe i dëshirave më përparimtare të popullit shqiptar.
Dy nga këta bij të nderuar të kombit tonë, Ismail Qemalin dhe Fan Nolin, kam pasur fatin e madh t’i shoh për së afërmi dhe t’u dëgjoj këshillat atdhetare që më kanë ndihmuar edhe mua në çaste të vështira të jetës… Kur në restorantin e hotelit ‘Liria’ në Manastir, ndër delegatët e Kongresit të Dytë të Manastirit, Dervish Hima fliste me fjalë lavdërimi për Ismail Qemalin, Hysni Curri për Isa Boletinin dhe Petro Nini Luarasi për Fan Nolin, unë nëntë vjeçari që sapo pata dalë nga spitali dhe babai atje më shpinte për drekë, harroja të haja edhe bakllavanë tek mbaja vesh e shihja me sytë e mendjes viganët Ismail Qemali, Isa Boletini dhe Fan Noli tek suleshin drejt atdheut shqiptar që t’i jepnin dorën Nënës Shqipëri, ta çlironin prej robërisë… Të tre shqiptarët e mëdhenj vdiqën në mërgim: Isa Boletini vdiq 52 vjeç, më 23 janar 1916, i vrarë në Podgoricë me tradhti. Ismail Qemali vdiq 75 vjeç më 24 janar 1919, i tradhtuar në Peruxhia. Fan Noli vdiq 82 vjeç, larg atdheut, i dërrmuar nga mundimet e 41 vjetëve në arrati. Ai është ndërlidhësi i dy epokave kombëtare. (Shënim: Skënder Luarasi përgatiti për botim monografi për të tre këta kolosë të kombit shqiptar. Arriti të botonte ‘Ismail Qemalin’ (1962) dhe ‘Isa Boletinin’(1970) por ‘Fan Noli’ jo! Në regjistrin e arkivit të Institutit të Histori-Gjuhësisë gjendet shënimi se S.Luarasi dorëzoi një material mbi 100 faqe për Fan Nolin, që ‘nuk gjendet’?!)
Masakra e Negovanit dhe Fan Noli
Më 12 shkurt 1905 ndodhi masakra e Negovanit dhe therja e Papa Kristo Harallambit pikëlloi gjithë atdhetarët shqiptarë. Vetë malet buçitën:’Merrni gjaknë!’ Porse gjaku i të parit prift shqiptar nuk shpaguhej as me gjak të dhespotëve të kishës bizantine, ndaj duhej një kryqëzatë kombëtare kundër terrorit të klerit shovinist dhe tiranisë së sulltanit të Stambollit. Këtë kryqëzatë e nisi Fan S. Noli, njëzetvjeçar, kur më 8 mars 1908 veshi rason e Papa Kristo Negovanit. Dorëzimi prift i Fan Nolit ndodhi në Nju Jork, porse lajmi i gëzuar u përhap me shpejtësi rrufeje nëpër gjithë Shqipërinë. Fytyra e patriotit nga Qyteza e Edrenesë u publikua dhe shpejt u bë ndër më të njohurat, më të dashurat e më të nderuarat e Rilindjes shqiptare.
Mbresa nga Fan Noli
Fan Nolin e kam parë me sytë e ballit dhe dëgjuar për të parën herë, nja katër vjet më vonë, në një miting kombëtar të thirrur nga shoqëria shqiptare ‘Vatra’ në Boston Mass. Aty mori fjalën ndër të huajt edhe George Fred Williams, personalitet impozant, i cili më 1914 humbi postin e ambasadorit amerikan në Athinë se pati protestuar për masakrat e ushtrisë greke në Toskëri. Një pesëmbëdhjetëvjeçar si unë në atë kohë, që akoma s’ka as përvojën, as kulturën e duhur për të çmuar vlerat morale dhe mendore të njerëzve të shquar, impresionohet përgjithësisht prej së jashtmes së një personaliteti. Fan Noli, emrin dhe famën e të cilit e kishin njohur gjithë patriotët shqiptarë që më 1908, qe disi shtatshkurtër. Kur e mori fjalën në atë miting, unë në fillim pësova një farë zhgënjimi sepse prisja të shoh diçka madhështore në të. Veçse në atë trup mesatar po të lidhur fort mirë, të binte në sy tipari i tij imperativ, sidomos kur fliste.
Dhe si fliste Fan Noli?
Me ne të rinjtë nga mosha që e vizitonim në qendrën e ‘Vatrës’’ për të nxënë prej udhëheqësit rolin dhe vrullin e asaj shoqërie, Fan Noli fliste me zërin e një prindi të dashur e të mirë, ashtu si fliste me punëtorët, veprimtarët e sinqertë, sidomos me anëtarët e shoqërisë panshqiptare ‘’Vatra’’. Me kokëfortët, me ata që as shohin, as dëgjojnë, Fan Nolit i pëlqente si për sport, ta amelzonte bisedën me lloj-lloj bulmesa të ironisë së tij të njohur. Porse kundër armiqve të tij politikë Fan Noli derdhte sarkazmin e tij therëse. Këtë mënyrë të foluri do t’ia kenë ndjerë fort edhe përfaqësuesit e shteteve fqinj armiq të vendit tonë, asaj dite dhjetori 1920, kur i detyroi të njihnin edhe Shqipërinë anëtare të Lidhjes së Kombeve, por edhe katër vjet më vonë, pikërisht në atë shoqëri kombesh, kur si në pasqyrë u tregoi politikanëve të fuqive të mëdha se ç’fytyrë kishin.
Fan Noli qe i fortë në fjalën e tij kur e kapte zemërimi ndaj shkelësve të parimeve të tij socialiste. Nga jeta patriarkale e ngushtë Fan Noli u shkëput shpejt dhe me vetëdije kapërceu nacionalizmin borgjez duke u bërë përfaqësuesi më i shquar në Shqipëri për idealin e lartë internacionalist. Fan Noli e nisi karrierën e tij si aktor dhe si i tillë kish një forcë retorike që e gjeje në bashkatdhetarin e tij Aleksandër Moisiu. Por unë këtu s’kam qëllim të tregoj për zotësinë që natyra dhe shkolla i patën dhuruar Fan Nolit. Gjeninë e tij si shkrimtar dhe njeri të artit e të kulturës ia kanë shpallur botës autorë me famë universale si Bernard Shou dhe Tomas Man dhe sa e sa profesorë, kompozitorë, biografë, historianë nga më të përmendurit në Amerikë e në Europë. 
Takime me Fan Nolin
Unë dua të përmend këtu disa reminishenca që më kanë mbetur nga takimet e mia me këtë atdhetar, jo vetëm të madh por edhe të dashur e të mirë. Përveç nga vizitat në grup që i bënim ne studentët Fan Nolit, në qendrën e ‘’Vatrës’’, u poqëm në Shqipëri më 1921 kur ai qe rikthyer nga Gjenova dhe në shoqëri të shumë personaliteteve të kohës po ecte në rrugën e Kalasë ndërsa unë po kaloja në drejtim të kundërt. Më vuri re, e përshëndeta, më dha dorën, të cilën ia putha me respekt. Më tha: ’’ Shyqyr mirë q’u poqëm në Shqipëri!’’ Më pyeti për familjen dhe u ndamë.
(I mjeri imzot Fan Noli! Erdhi në Shqipëri që t’i shërbente Atdheut siç i pati shërbyer përjashta. Po kush iu bë për shok? Nga një situatë e tillë do të lindte proverbi shqip: ‘Po re me qena, ngrihesh me pleshta’. Ironia historike është e tmerrshme për këtë intelektual të dorës së parë. Rrethanat e shëmtuara e bënë të sillet edhe në mënyrë ‘jo të pëlqyer’ dhe nën influencën e mendjemëdhenjve dhe të sharlatanëve nisi të flasë dhe shkroi edhe gjëra që e dëmtuan. Marrim për shembull himnin tallës që i bëri Ahmet Zogut. Ia dhuroi armën e tij malokut, shpatën me dy presa, me të cilën ai e goditi: ‘Imzot, e dinja që ishe poet, po jo edhe bejtexhi!’). Më 1923 u takuam në Vjenë. Ne, nja pesë studentë, e vizituam në hotelin ‘Hamerlin’. Na pyeti si vinim në mësime. Dhe kur dikush ia paraqiti Qemal Butkën si student të shkëlqyer, Fan Noli u shpreh: ‘Ah, që beharin nuk e sjell një lule!’ dhe na këshilloi të studionim më mirë dhe të interesoheshim më shumë për hallet e popullit që na mbante me bursë…
Malli për trojet kombëtare
Fan Noli zhuritej nga malli për trojet kombëtare.
Vjeshtën e motit 1923, ai e grishi Halil Nesimin nga Qyteza, të cilin e pati njohur më parë në ShBA, ta shoqëronte gjatë udhëtimit elektoral Tiranë- Korçë-Kolonjë-Përmet-Gjirokastër. E pyeti Halilin në Korçë: Ku është Qyteza. ‘Do ta shohësh kur të arrijmë Qafën e Qarrit’ iu përgjigj Halili. Dhe kur arriti Qafën e Qarrit: ‘Ku është Qyteza?’ e pyeti Fan Noli përsëri.
‘Do ta shohësh kur të arrijmë Qafën e dytë të Qarrit’-iu përgjegj Halili duke ia shtuar edhe më kureshtjen. Dhe kur arrinë Qafën e Dytë të Qarrit dhe Halili i tha shoferit të qëndronte automobilin dhe zbritën jashtë: ‘Ç’bukuri të rrallë që po më shohin sytë!’ klithi Fan Noli duke soditur atë qark të rrethuar malesh që prej Gramozit e gjer përtej Vjosës e Dhëmbelit… Pa Starjen e Shahin Kolonjës, në fletoren e të cilit ‘Drita’ pati shkruar që në rininë e vet artikuj patriotikë me pseudonimin ‘Ali Baba Qyteza’; Rehovën e At Naum Cerës me të cilin kishin bashkëpunuar në Amerikë; më poshtë Vodicën e Atë Paisit me të cilin do të bashkëpunonte më vonë për të themeluar kishën autoqefale në Shqipëri. Lark mbi shtatë bregoret në mes t’atij qarku, Halili i tregoi mëhallën e fshatit të Petro Nini Luarasit, (i cili sikundër e thotë Fan Noli në letrën e tij 12.12.59 ”më gatiti udhën këtu” në ShBA). ”Po ku është Qyteza’?”-pyeti Fan Noli me dëshirë ta shihte sa më parë. Dhe Halili filloi t’i numërojë fshatrat n’anën e djathtë të asaj krahine të dëgjuar për burra trima dhe patriotë që ia kanë zbardhur faqen atdheut. I tregoi Vithkuqin e Naim Bredhasit, Rehovën e Bajazitit që u vra në Orman Çiflig, në mes të pesë djemve korçarë, në luftë kundër hordhive turke më 17 korrik 1911 dhe Selenicën e Shefko Ilikos, me të cilin Fan Noli pati punuar bashkë në zyrat e faderatës panshqiptare Vatra. Fan Noli dëgjonte; por befas i drejtoi sytë nga mali që quhet ”i zi” prej ngjyrës që i japin kreshtat dhe mërmëriti për vete:”Ç’formë fisnike i ka falur Natyra”. Dhe pastaj me zë të lartë:”Qyteza-ku është Qyteza!”. Dhe Halili: ‘Ai fshat më poshtë, n’anën juglindore të Malit të Zi, përkrah Selenicës, është Qyteza’. ‘Sa vend i bukur! Sa vend i dashur!’ thirri Fan Noli ngadalë e me theks të fortë, të gëzuar. Pastaj si i rrëmbyer nga një vegim i largët, vazhdoi: ‘Lil, kur ta kemi shpallur Shqipërinë Republikë, do të ndërtojmë atje një kasolle dhe në behar do të vij të kaloj pushimet!’. Për fat të keq jo Qytezën, kurrë, por as Shqipërinë nuk e pa më pas dhjetorit 1924, kur u detyrua tok me anëtarët e qeverisë demokratike të largohet nga Tirana! Fan Noli e deshi Shqipërinë me mall të madh, sikur të ishin mpiksur në zemrën e tij malli i gjithë atyre paraardhësve të tij që shekuj më parë e kishin lënë Qytezën, vatrën e katërgjyshërve dhe kishin vdekur në Ibrik-Tepe pa arritur të shihnin mëmëdhenë e moçëm.
Lamtumirë Shqipëri
Atë ditë të zezë, kur do të linte Vlorën për në Bari, mblodhi rreth tij edhe vullnetarët e bandës ‘Vatr’’ që vetë i kishte nisur nga Bostoni për të përcjellë luftëtarët shqiptarë triumfalisht në Tepelenë, Korçë e Vlorë dhe u tha: ’Vëllezër e shokë, ju duhet të qëndroni në Atdhe sepse populli ka nevojë për kulturë, për art, për muzikë. Këtë mund dhe duhet t’ia jepni ju këtij populli. Prandaj qëndroni në atdhe, duke punuar për këtë qëllim’. E përmenda këtë ngjarje sepse edhe vetë u gjenda në një situatë të ngjashme kur qeveria monarkike më preu bursën në Austri. Në qershor 1928, në Vjenë, roja personale e tij më shpuri afër parkut Schënbrun, ku u takova me Fan Nolin. I shfaqa pesimizmin që më kishte kapur dhe se do i shkruaja tim vëllai, Dhimitrit, të më siguronte pasaportën dhe navllon për në Amerikë.‘Kjo tregon dobësi prej teje’, më tha. ‘Duhet të kini parasysh mbi të gjitha interesin e vendit, si yt atë’. Në bisedë e sipër ra fjala për babanë tim (Petro Nini Luarasin) dhe m’u zotua se do të më tregonte ç’mbante mend për të. Kur u ktheva pas pushimeve në Vjenë, roja personale e tij më dorëzoi letrën me adresë Timmandorf, data 21.7.28.
Korrespondenca me Fan Nolin
Kur vuaja në kampet e përqendrimit në Francë, im vëlla Dhimitri më dërgonte nga Amerika të fala nga Imzot Fan Noli. Më 1945, isha në Marsejë duke pritur riatdhesimin tim, kur im vëlla më dërgoi me anën e bankës së Bordeaux-it njëqind dollarë, me shënimin që të prisja të më vinte pasaporta për të vajtur në ShBA. Vetë Fan Noli qe interesuar për të vajtur atje dhe të punoja me të. Por sapo mora vizën nxitova të kthehem në atdhe. Avisën e bankës ia dhashë Vasil Gërmenjit që t’ia kthente bankës me shënimin’’ikur në Shqipëri’’ dhe t’i shkruante tim vëllai… Më 21 tetor 1948, nga Bostoni më dërgoi një letër në të cilën më shkruante: ’Ju falëmnderit për vjershat e Migjenit të cilat i këndova me interes të thellë.’. Më 1 dhjetor 1959 Imzot Noli më dërgoi ‘Albumin’ me shënimin: ‘Prof. Skënder Luarasit, Për kujtim miqësie’.
Njëmbëdhjetë ditë më vonë, më 12 dhjetor 1959, më ngushëlloi me fjalë atërore për fatkeqësinë që më gjeti: ‘Mësova me hidhërim të thellë që ju paska lënë shëndenë shoqja. Vetë shëndoshë! Ju rruashin fëmija!’. 12/12/59. Dhe në anën e sipërme të letrës, shtesën: ‘Ditën e Indipendencës fola mbi babanë tuaj Petron që më gatiti udhën këtu.’. Përmes këtyre fjalëve njoha më mirë zemrën e madhe të Fan Nolit. Më 20 mars 1960 i shkrova një letër ku i shkruaja për çastin e zbulimit të monumentit të Skënderbeut në Krujë, kur më pushtoi malli për këngëtarin e heroit kombëtar.
‘I nderuar e i dashur Imzot Noli. Në mes të zisë sime e të fëmijëvet pa nënë, mora letrën Tuaj dhe ndjeva në pikëllim e sipër sa e madhe qenka fuqia e ngushëllimit. Ju, i dashur dhe i respektuar Atë Noli, me simathinë që më rrëfyet për vdekjen e sime shoqe po edhe me dashurinë që shprehni në të njëjtën letër për babanë tim, më dërguat prej shpirtit Tuaj të madh, që nga mërgimi, dy rreze drite, të cilat ma çuarrë mjergullën, më shtuan jetën e ma prunë zemrën m’afër njerëzimit. Sa e sa herë, kur lexonja bashkë me të mjerën Olgë ndonjë veprën Tuaj, qoftë edhe vetëm shënimin për vëllanë e saj Migjenin, ajo psherëtinte, e si me vete, thosh për Ju: ‘Ç’fatkeqësi për letrarët e rinj shqiptarë që nuk u ndodhët pranë t’i këshillonit e ti ndihmonit në ngritjen e kulturës sonë së re!’. Unë vetë në punën mësimore timen ose në përkthimet që më duheshin në shkollë nuk do të kisha bërë dot asnjë çap përpara në lulishten e letravet botërore po të mos ecnja n’udhën e mbarë që na patët sheshuar Ju, i adhuruari Imzot Noli. Shumë nga miqt e mi të rinj, që nuk Ju njohin veç se nga idealet Tuaj me të cilët janë ushqyer, kur u tregova për letrën Tuaj sa s’deshën të ma rrëmbenin duke thënë: ‘A do të kemi fatin ta njohim edhe ne, ta shohim për së gjalli!’
Në Krujë, në çastin kur u zbulua monumenti i Skënderbeut, më pushtoi malli për Ju, Këngëtar i Kreshnikut tonë. Skulptori Janaq Paço më dorëzoi dy fotografira të monumentit që t’Jua dorëzonj Juve, tok me lutjen që të kini mirësinë t’ia ndërroni me dy Tuajat, një në profil e tjetrën ballas. Unë s’po Ju lutem të më dërgoni një mua, shumë i dashur dhe i nderuar Imzot Noli, me shpresë se unë, bashkë me brezin e ri që Ju don dhe Ju adhuron, do të kem fatin t’Ju shoh prapë n’atdhenë tonë të rilindur, në lulëzim e sipër, n’altarin e të cilit Ju jini shtyllë themelore.
I adhuruar Imzot Noli. Nga një ndjenjë që më diktonte distancë ndaj Jush, druanj se nuk e kam plotësuar detyrën, duke mos Ju përgjigjur për sa herë që Ju më kini kujtuar. Po gjithmonë Ju kam patur në zemër me ndjenja të thella dashurije dhe adhurimi dhe mbetem plot dëshirë që t’Ju kujtoj kështu për jetë.
Skënder Luarasi
20 mars 1960
NGA KORESPODENCA
Letra që mora më 16 korrik 1960 qe shkruar anglisht dhe e daktilografuar, gjë që tregonte se ia kishte diktuar sekretares, kurse Fan Noli nuk qe mirë me shëndet. (Fan Noli u plevitos më 1933. Shkak kryesor që sëmundja s’i ndalej ish se gjatë kohës që qëndroi në Europë pas largimit nga Shqipëria, vojti keq, trupin e kish të lodhur nga puna, nga mjerimet e mërgimit dhe vobekësia. Nga ana tjetër Noli s’i jepte rast trupit të shëndoshej se punonte ditë e natë, duke shikuar libra, vjersha e përkthime të ndryshme, vojti nga anemia, reumatizmi s’iu nda fare, vojti nga diabeti deri sa e zuri kanceri.)
Tek letra, e përkthyer shqip, shkruhej:
I dashur Zoti Luarasi
Ju falem nderit për letrën tuaj të marsit ‘60, për kartëpostalen e mbyllur në të që paraqet përmendoren heroike të Skënderbeut punuar prej Janaq Paços dhe për pullat që përkujtojnë babanë tuaj. Nën dy zarfe të veçantë do të merrni një kopje të librit tim botuar së fundi ‘Përvjetori i pesëdhjetë i kishës’ dhe një sërë gjashtë fotografish. Lutem ia dorëzoni të gjitha këto mikut tonë, skulptorit Janaq Paço. Shpresoj se do të gjejë ç’i duhet në fotografitë me fytyrë të plotë, tri të katërta dhe në profil. Kur të ketë mbaruar me punën e tij, ju mund t’i ndani fotot në mes tuaj. Lutem, thuajini zotit Paço që unë e vlerësoj shumë nderimin që të shoh të punuar bustin tim nga një artist aq i çquar. Duhet të kërkoj ndjesë për vonesën time në përgjigjen e letrës suaj.
Jam mbytur në punë. Shpresoj të jesh mirë. Me të fala të sinqerta për ju. Mbetem juaji me besë Fan S.Noli”.
Libri i përmendur në këtë letër nuk më ra në dorë, një letër në të cilën më kërkonte një kopje të librit ‘Mallkimi i shkronjave shqipe’ greqisht-shqip prej Petro Nini Luarasit, më humbi. 
Nuk kishte mot që të mos merrja nga Fan Noli një letër ose kartëpostale me urim: Me falënderime dhe urime prej zemre…Gëzuar vitin e ri me të gjitha të mirat…’
Në letrën e fundit që mora me rastin e përvjetorit të lindjes së Shekspirit (të cilën ia huajta dikujt për studim dhe ma humbi) më shkruante se sa i mbytur në punë që ishte.
Noli-gjigant intelektual
Noli qe i gjithanshëm: I thellë dhe i gjerë në mendime, enciklopedist nga dituria, ‘rebel’ që nga vogëlia dhe gjigant intelektual. Ai është një nga letrarët më të shquar: 42 volume anglisht e shqip, origjinale dhe përkthime me brendi fetare, historike, biografike, letrare, muzikore, teatrale, oratorike, politike. Dallohej për durim shembullor në punë: një herë Fan Noli qe duke përkthyer ‘Skënderbenë e Longfellos’ në shqip. Ora vajti 12 dhe nëpunësit e lajmëruan për drekë. ‘Kam punë’ u tha. Kishte ngelur në rimën e vargun që fjalë për fjalë thuhet: Lidheni në hekura
Këtë shkronjës me libra dhe tru
Nuk dimë sa variante shkarraviti, por më në fund thirri: ‘Eureka!’
”Lidhmani”- tha, ” me litar”
Shkronjësin me kallamar.”
Dhe çakërqejf mes shokëve që prisnin u nis për drekë.
Askush tjetër nga patriotët tanë nuk i shërbeu atdheut më gjatë e popullit më besnikërisht, e nxori nga mesjeta e zezë dhe e pruri në pragun e socializmit.
Noli mbi të gjitha ishte atdhetar shqiptar.
Petro Kreshpani që për një kohë të gjatë kishte shërbyer në kishën e Bostonit si pitrop dhe e njihte nga afër Fan Nolin thotë se ai ‘’e përdori edhe kishën tonë në Amerikë si vend për të mbajtur gjallë shqiptarizmën. Feja e tij ishte një: atdhedashuria. Pra Noli mbi të gjitha ishte shqiptar.’’
Ai u përpoq me mish e me shpirt që Peshkopata e Kishës Ortodokse të Shqiptarëve në SHBA të varej nga Sinodhi i Shenjtë i Shqipërisë.
Një dokument kuptimplotë
Albanian Orthodoxe Church in Amerika
Boston Massachuseçe,
Korrik 28 1946
Krye-Hirësi,
Disa kohë më parë, ju bëra të njohur që Peshkopata këtushme, me vendim të kuvendit, dëshiron të hynjë nënë juridiksionin e Sinodhit të Shenjtë të Shqipërisë. Nuk e di a ju ranë në dorë telegramet që ju dërgova mbi këtë çështje. Në qoftë se po, ahere e mar me mend që ka ndalime për plotësimin e kërkesës sonë. Në rastin e funtmë, ju lutem, lajmëroni me pak fjalë se kjo punë nuk mund të mbarohet tani për tani dhe t’a mbyllim këtë mesele gjer sa të ndryshohet gjendja në favorin tonë. Kam shpresë të mar përgjigjen me kohë për kuvendin e afërmë të Peshkopatës 22 Shkurt 1947. Gjer ahere ju lutem të më kujtoni në meshë.
Shërbëtor i përunjur i Krye-Hirësisë suaj
F.S. Fan noli.
Krye-Hirësisë së Tij
Kryepiskopit të Shqipërisë
Na la Fan Noli!
Një ditë marsi të vitit 1965 po shëtisja në bulevard mes shokësh kur na u bashkua shkrimtari i nderuar Dritëro Agolli. Pasi shkëmbyem përshëndetjet e rastit, me zë të ulët na tha gjëmën: ‘Na la Fan Noli’. M’u duk sikur më qëlloi zemrën një rrufe nga qiell i kaltër. U largova heshturazi nga shokët, u ngjita në banesë dhe qava e qava e qava për humbjen e mikut më të shtrenjtë që më kishte mbetur, kolosit patriot e diplomat, që gjatë viteve me radhë ndër ditë të zeza të Shqipërisë, i kishim kthyer sytë për shpëtim. Ai nuk qe vetëm mik i shtrenjtë i tim eti por dhe mentori im, mësuesi im gjatë punës sime si arsimtar. Me letrat e tij, të përhapura fshehurazi në kohën e Zogut, si abetarja në kohën e Sulltan Hamitit, unë ushqeva nxënësit e mi. Imzot Fan Noli ishte babai shpirtëror i gjithë shqiptarëve atdhetarë, po për mua ka qenë mësues. Kam përfituar prej tij më shumë se nga gjithë profesorët që pata dëgjuar në shkollat e mesme ose në universitete. Që më 1920 kur fillova të jap mësime në fillore, më pas në gjimnaz e universitet gjer më 1968 kur më nxorën në pension, gjatë një gjysmë shekulli, Fan Noli me veprat e tij origjinale e me përkthimet e tij të mrekullueshme, m’u ndodh ndihmësi im më i mirë për të edukuar rininë shqiptare në drejtim nacional dhe internacional. Dhe kur jepja hartime letrare, kënaqesha kur edhe në regjimin e monarkut që kish dënuar Fan Nolin me vdekje, studentët shpreheshin me admirim për shqiptarin dhe socialistin e madh në arrati.
Fan Noli është ndërlidhësi më i dalluar midis Rilindjes Kombëtare dhe Shqipërisë së sotme që si një kolos e zgjeroi aktivitetin e tij në tri kontinente, rrojti shumë e vdiq me vaft e me nder.
Një nga miqtë që i qëndroi besnik deri në fund, Gary Riska, më shkroi:‘’Fan Noli i lindur e i vdekur në dhe të huaj, me shqipen e tij, me kulturë universale, me ndjenjat e tij humane dhe socialiste, na la trashëgim këto vlera të mëdha dhe na bëri të nderohemi e të mburremi që jemi shqiptarë’’
Me vdekjen e Nolit, ‘’mbaroi’’ kolonia shqiptare në Amerikë.
Sa e varfër më duket tani edhe kjo Shqipëri që humbi burrin më të shquar të saj! Skënder Luarasi Kujtime, 1975
PSE NOLI DENONCOI MARRËVESHJEN MIDIS JUGOSLLAVISË DHE ITALISË
GËZIM LLOJDIA
Gazeta “Dielli”e Boston 3 shkurt 1925 shkruan: Në një faqe tjetër të gazetës, këndonjësit do të shohin një intervistë me rëndësi që Imzot Noli i ka dhënë një korrespodenti të gazetës amerikane: “Boston Herald” në Vienë. Që ekziston një marrëveshje midis Italisë dhe Jugosllavisë përmbi Shqipërinë, kjo gjë është folur disa herë nëpër gazeta. Po qëllimi i caktuar i kësaj marrëveshje midis të dy fqinjëve të mëdhenjtë të Shqipërisë për neve ka qenë një mister që kemi dashur ta zbulojmë. Të gjithë mund të japin gjykimet tona dhe duke gjykuar nga e shkuara që të gjithëve na mbushet mëndja se qëllimi marrëveshjes nuk mund të ketë qene në shërbim të interesave të Shqipërisë. Imzot Noli ka thënë:Jam i bindur plotësisht se ekziston një marrëveshje midis Jugosllavisë dhe Italisë për ta copëtuar Shqipërinë në rastin e parë me një shpërblim mbase dhe për Greqinë. Me fjalën copëtim nuk duhet kuptuar me doemos një copëtim tokësor i Shqipërisë. Ka copëtime dhe copëtime. Një copëtim është që ta ndash një vend në dy ose tri pjesa dhe një pjesë ta marrë njeri dhe një pjesë tjetri,kjo do të qe vdekja e Shqipërisë si komb më vete. Një copëtim tjetër është ta ndash një vend me marrëveshje politike të fshehta dhe të nëndheshme,në disa pjesë të caktuara,në të cilat kombet e interesuara të kenë siguruar privilegje politike ose një liri veprimi ekonomik. Në të tjera fjalë, siç e kanë quajtur Fuqitë e Mëdha ndarje në sfera influencash. Në këtë soj ndarjesh populli është indipendent, po indipendeca është një emër vetëm. Në punë populli bëhet skllav i kapitalistëve të kombeve të interesuara. Që fqinjët tanë kanë një qëllim të fshehtë për copëtimin e Shqipërisë,ose në kuptimin e parë të fjalës ose në kuptimin e dytë ,për këtë gjë nuk duhet të dyshojmë. E keqja është që politikanët e Shqipërisë në vend të përpiqen ta largojnë një rrezik të tillë,ata vete e afrojmë më tepër .Duke u kompromentuar me një fuqi,duke u kompromentuar me tjetrën,duke kërkuar sot përkrahjen e kësaj ane për inat të tjetrës. Vetëm një politike thjeshtën kombëtare, një politikë e paanshme kundrejt të gjithëve mund të na shpjerë shpëtim. Fqinjët tanë ua do interesi ,që ne të jemi të dobët,të hahemi në mes tonë, dhe kurdoherë do të jenë gati që të lozin përmbi të metat tona,të na vënë të zihemi,duke pritur për rastin e duhur,që të përparojnë qëllimin e duhur. Në rast se vazhdojmë në këtë mënyrë dhe ahere në qafë e paçin vendin politikanët,të cilët për gjera personale të vogla nuk hezituan ti vënë zjarrin brenda Shqipërisë përfundon denoncimi i Imzot F.Nolit për marrëveshjen midis Jugosllavisë dhe Italisë.
Mesazhi i Atë Arthur Liolin, Kryekancelarit të Kishës së Nolit, ne kujtim te 50 vjetorit te vdekjes se Nolit
(Lexuar nga Pastor fr. Nathan Preston nga Kisha Ortodokse St. 
I nderuar Dr. Gjon Bucaj, kryetar i Federatës Pan Shqiptare e Amerikës-Vatra)
Në këtë 50 vjetor i përkujtimit të mbështetëm Fan Stilian Nolin, i cili vdiq në 13 Mars 1965, ju lutem pranoni përshëndetjet tona të thella për ju dhe për të gjithë kolegët tuaj të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës – Vatra. Ju keni zgjedhur të përkujtoni Atë më 13 Mars – Dita e saktë, e 50 vjetorit të kalimit të tij në amshim. VATRA, me këtë rast mbledh që të reflektojnë dhe për të dëgjuar nga kontributet e shquar që Fan Noli kishte bërë për të rritur njohuritë dhe imazhin e trashëgimisë sonë të përbashkët. Fan Noli ka shërbyer si një nga themeluesit më me famë të Vatrës. Kështu, ne qëndrojmë në nderim, mirënjohje dhe admirim të trashëgimisë së jashtëzakonëshme që ai bëri në fusha të tilla të ndryshme si fe, letërsisë, historisë, gazetarisë, shkrimit, muzikës, poezisë dhe artit, e mynyrës të qeverisjes. Në shumë mënyra, ai u bë si një “Njeriu për të gjitha kohërat.” Si e tillë, me anë të jetës së tij të jashtëzakonshme dhe punëve të jashtëzakonshëm ai vazhdon të shërbejë si një mishërim i të gjithëve, që njerëzit tanë të gjejnë vlerat dhe të mbajnë ato si të shenjtë. Në të vërtetë, me trashëgiminë e tij, Ai është bërë një Icon i Identitetit Shqiptar Kombëtar dhe një model frymëzues, për brezat që vijnë, për ta kujtuar Atë si: Ikon i Kombit. Më tej, për të u mbledhur gjatë muajit mars ne na mundëson që të kujtojmë dhe nderojnë Atë me përulësi. Vdekja e Tij ishte në muajin mars, muaj kur ai u shugurua si prifti i parë shqiptar ortodoks për të filluar misionin e Tij, ambicioz gjatë tërë jetës. Në mars, Ai i prej se kur la Atdheun, kishte themeluar kishën e tij të parë shqiptare në Boston . Dhe ishte marsi i pesëdhjetë vjetëve më parë kur Ai ka hyrë në përjetësi. Ju lutem me këtë rast pranoni urimet më të përzemërta për VATREN dhe të gjithë bashkatdhetarët të nderuar, dhe për të rikujtuar trashëgiminë pavdekshëm e ofruar për ne dhe për njerëzimin nga Fan Stilian Noli. Mundet që kujtesa e Tij ngaherë të jetë e përjetshëme. I perjetshem qofte kujtimi i Tij! Me shumë mirënjohje dhe lutje, Very Rev Arthur E. Liolin –
* Mesazhi i dërguar në Seminarin Përkujtimor të VATRËS për 50 vjetorin e ndarjes së Nolit nga Jeta.
Sigal