5 vjet pa Violeta Manushin

786
Sigal

Homazh dhe mall për artisten e pavdekshme

Më 25 korrik të vitit 2007, ora 15:00, mbylli sytë “Artistja e Popullit”, Violeta Manushi. U mbushën 5 vjet që na mungon aktorja e shquar,  5 vjet që nuk dëgjojmë zërin e saj, që na mungon humori dhe vitaliteti i artistes së madhe shqiptare. Kolegët, të afërmit, miqtë dhe artdashësit ndjejnë dhimbje për ikjen e saj, ndjenë mall, por njëherësh ndjejnë edhe krenari për kryezonjën e skenës shqiptare që jetën ia kushtoi vetëm skenës. Trokasim në derën e shtëpisë së Artistes, por dera është e kyçur. Madje edhe dera ka ndryshuar, treguesi i vetëm që dëshmon se aty ka banuar Violeta Manushi është një pllakë ku shkruhet: “Këtu ka banuar “Artistja e Popullit”, Violeta Manushi”. Përveç kësaj është edhe fqinji përballë, artisti Piro Nilkani, që thyen heshtjen dhe flet për mungesën e Violetës. Sot, pas 5 vjetësh, kuptohet qartë që nuk u zbatua amaneti i artistes që ia la të nipit kur ishte gjallë dhe që e përsëriti në agoni të vdekjes: Pas ikjes sime, dera e shtëpisë të qëndrojë hapur, të hyjnë e dalin të gjithë ata që kanë mall për mua, të shohin  fotot e mëdha të roleve të ekspozuar në mure, orenditë e mia, gjithçka që më përket mua, në shtëpinë e vogël ku ngrysa jetën, për t’u çmallur me mua”. Një fqinjë tjetër në Pallatin e Violetës na tregon se pronare e shtëpisë është mbesa e artistes, që jeton e punon në Itali dhe shtëpia rri mbyllur prej vitesh.

Koleget për “Artisten e Popullit”, Violeta Manushi

 

Drita Pelingu, Nderi i Kombit:

Violeta Manushi ka qenë dhe mbetet një aktore e madhe e dramës dhe e komedisë shqiptare. Asnjëherë spektatori nuk e mori vesh se jashtë skenës, ajo Violetë, kishte një mori hallesh, problemesh, punë të pambarimta, që kryente me dashuri dhe forca të mëdha.

Margarita Xhepa, Nderi i Kombit:

Kjo artiste e madhe, ka krijuar figura të jashtëzakonshme mjeshtërore, të tipizuara deri atje, sa ne koleget e saj, nuk e kishim shumë të lehtë të bëheshim dublante apo partnere me të. Ishte shumë tokësore, absolutisht e besueshme, me këmbë në tokë, kjo aktore e madhe e skenës dhe filmit.

Tinka Kurti,  Nderi i Kombit:

Violeta Manushi është një personalitet i pakrahasueshëm i popullit shqiptar. Me talentin e saj, ajo të  sfidon çdo moment, pasi është një aktore qysh nga krijimi i Teatrit Kombëtar dhe veçohet si një figurë, që rrallë dikush tjetër mund ta përballojë lojën e saj.