25 vjeçari që guxoi me: “Dy krisma në Paris”

1212
Nga Ergys ALUSHI
Në sallën e teatrit “Petro Marko” të Vlorës, të mbushur plot e përplot në dy katet e saj, është dhënë shfaqja “Dy krisma në Paris”, shkruar shumë vite më parë nga Pëllumb Kulla e Sheri Mita. Drama me karakter patriotik që paraqet Vlorën e Shqipërinë e viteve ’20, vrasjen e Esat Pashë Toptani nga Avni Rustemi, gjyqin ndaj këtij të fundit në Paris, vendoset në skenën e teatrit të Vlorës pas më shumë se 30 vjetësh.

E veçanta e shfaqjes ishte se regjisor i saj ishte studenti regjisurës në akademinë e Arteve në Tiranë, 25 vjeçari, Kriksi Dumo dhe trupa e aktorëve që ishin studentë të Univesritetit “Ismail Qemali” të Vlorës, shumica dega juridik.

Spektatori vlonjat e ka mirëpritur shfaqjen, e cila kishte koncepte të reja, moderne regjisoriale, pa ia prekur boshtin dramatik shfaqjes që në vitet ’80, kur është shfaqur në teatrin e Vlorës, nga trupa e teatrit dramatik të Fierit, ka shënuar një numër rekord shfaqjesh dhe spektatorësh, duke u bërë një ndër shfaqjet më të ndjekura për kohën.

Për regjisorin e ri të talentuar, të vlerësuar dhe nga regjisor të mirënjohur të Vlorës si Jorgaq Tushe, kjo është shfaqja e dytë që vendos në Vlorë, por që tenton të guxojë me një dramë të tillë dhe me një grup të rinjsh të UV, që dëshirojnë të shfaqen ndoshta si aktorë të së ardhmes.. Të rinj që duan të hyjnë në rrugën e bukur të artit, me ide e koncepte të reja e moderne.

Spektatori vlonjat doli i kënaqur nga teatri duke u shprehur se “Sa mirë kur shikon të rinj të talentuar që mbushin plot dy katet e teatrit “Petro Marko”!”

Vetë regjisori i ri u shpreh i kënaqur për shfaqjen e vënë në skenë, punën disa mujore me studentët që nuk kanë lidhje me aktrimin, lodhjen dhe përkushtimin e të gjithëve, duke premtuar se, nëse do të kishte mbështetje ishte gati të punonte për shfaqje të reja në teatrin e Vlorës.

Ndërkohë rektori i UV, Prof.As.Roland Zisi në fjalën e tij u angazhua se do të ndihmonte që shfaqja të jepet në të gjitha ato qytete ku ka universitete, për të dhënë mesazhin tek të rinjtë studentë se, krahas shkollës duhet të merren edhe me veprimtari të tjera artistike e kulturore.
Sigal