23 prilli , Dita Ndërkombëtare e Librit dhe e të Drejtës së Autorit

1414
Libri gjithnjë ka pasur dhe ka një rëndësi të madhe në jetën individuale dhe kolektive të një shoqërie. Ata kanë ruajtur dhe ruajnë mes kopertinave të tyre pasurinë më të rëndësishme, më të çmuar dhe më të shtrenjtë të një populli. Në mes faqeve të një libri do të lexosh histori të mëdha dashurie, mrekullitë e botës apo sekretet më të mëdha historike si edhe shumë vlera të karaktereve të ndryshme letrare, kulturore, shkencore, historike etj. Leximi është ushqim për trurin tonë, na nxit fantazinë dhe na jep një relaks shpirtëror barazuar me magjinë e zotit. Shtrohet pyetja: Sa vlerësohet libri në Shqipëri ?Edhe këtu duhet ndalur dhe menduar shumë e shumë për të dhënë një vlerësim të duhur. Sa është i përshtatshëm vendi ku ndonjëherë janë të vendosura ato? Sidoqoftë, prapëse prapë dikush mund të lexojë ndonjë libër, edhe pse për fat të keq në ditët e sotme kemi shumë pak lexues që nga nxënësit, studentët, arsimtarët dhe intelektualët në përgjithësi. 
Dita Ndërkombëtar e Librit dhe të Drejtave Autoriale që është përzgjedhur të jetë 23 prilli, është një datë me kuptim simbolik për letërsinë botërore. Me këtë datë të vitit 1616, lidhet vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore: Shekspirit në Angli dhe Servantesit në Spanjë. I pari konsiderohet si shkrimtari më i madh i të gjitha kohëve dhe vendeve, ndërsa i dyti është autori i veprës më të përkthyer në botë. Kjo datë lidhet edhe autorë tjerë në ditën e lindjes a vdekjes së tyre: Inca Garcilaso de la Vega, Maurice Druon, Halldór Kiljan Laxness, Vladimir Nabokov, dhe Manuel Mejia Vallejo.
Kjo datë shënohet në botë që nga viti 2003, ndërsa është pazgjedhur në vitin 1995 nga Asambleja e Përgjithshme e UNESCO me qëllim të kontribuojë në mbarë botën për të drejtat e autorit duke inkurajuar të gjithë, e në veçanti të rinjtë, për të zbuluar kënaqësinë e leximit. Kjo datë është edhe një thirrje për të rritur respektin për kontributet e pazëvendësueshme të autorëve dhe librit në progresin social dhe kulturor të njerëzimit.
Flet për Telegraf , Znj. Albana Male, drejtoresha e shtëpisë botuese “Male”
-Znj. Male, cilat janë problemet e shtëpisë botuese sot në Shqipëri ?
Për mendimin tim situatën aktuale të vështirë në vendin tonë më shumë se çdo gjë tjetër e ka ndjerë libri. Ka një ulje shumë të madhe të lexuesve, është vetëm një brez i caktuar që lexon , është një mangësi që ndjehet nga të rinjtë dhe të rriturit dhe ajo që ka ndikuar më shumë është edhe mënyra e marrjes së informacionit,nëpërmjet telefonave,me materialet në internet nëpërmjet teknologjisë së re “touch” ,të paktën flas për këto vitet e fundit pavarësisht se libri nuk shuhet kurrë, por ndihet rënia e tirazheve. Dhe ndoshta njerëzit e kanë shuar urinë e madhe për librin ,por interesohen vetëm për gjërat që vërtet godasin. Mbas viteve 90 në fakt ecnin shumë best-seller dhe librat amerikanë ,ndërsa tani janë kthyer përsëri librat klasikë. Pra njerëzit që lexojnë duan linjën e vet ,Dhe unë them se njerëzit më tekanjozë janë ata të librit.
-A ndihmohen nga shteti shtëpitë botuese znj. Male?
Të them të drejtën unë personalisht nuk kam ndjerë asnjëherë ndihmën e shtetit, përveç pagesës së taksave për të cilat duhet të jem në rregull dhe korrekte
Kam parë në disa botime të shtëpive të tjera botuese që janë sponsorizuar por jo nga shteti, në fakt kjo mund të shihet në fillim të faqes ku shkruhet: sponsorizuar nga … Dhe në fakt edhe këto pak ndihma që janë nuk është se neve na kanë ardhur ndonjëherë. Unë vet e kam menduar të hapur këtë biznes në kuptimin që të arrij të shes sa më shumë dhe të shtyp sa më shumë kopje librash. Pra e kam nisur me idenë se do provoj riskun ashtu si mund të ndodhë pothuajse me të gjithë pronarët e bizneseve. Pra edhe vetë nuk kam pretenduar ndihma nga shteti 
-A ndihet konkurrenca ndërmjet shtëpive botuese në Shqipëri sipas jush?
Disa vite kishte një konkurrencë të shëmtuar ,pasi ata libra që ne prodhonim hidheshin në treg por ne nuk e dinim se sa herë ky libër ishte botuar. Tani duket se kjo ka rënë pasi ka rënë edhe vet shitja e librave. Por kur një roman i bukur kishte një shitje shumë të madhe ekzistonte edhe kjo rrugë e dytë, por duke qenë se nuk ka më aq tirazhe vetvetiu është shuar kjo rrugë.
Z. Shkëlqim Kasa, pronar i një librarie në Tiranë flet për Telegraf :
-Z. Kasa sipas jush ,a është e vërtetë se ka rënë shitja e librit në Shqipëri ?
Unë kam vite që punoj me librin dhe shoh se përveç rënies së shitjes sipas sezoneve, psh në rastin e pushuesve të cilët blejnë libra për të kaluar kohën, këtë vit mund të them se ka filluar më herët rënia. Unë mendoj se ka një frikë të përgjithshme për mos të shpenzuar para, pra gjendja ekonomike në Shqipëri, një pasiguri e çdo njeriu për të shpenzuar
-Kush janë llojet e librave që shiten më shumë z.Kasa ?
Kryesisht ecin librat për fëmijë, librat të cilave u bëhet një reklamë nëpërmjet mediave të ndryshme, shiten kryesisht autorët klasikë dhe të njohur. Është një keqardhje e madhe për autorët shqiptarë të cilët ecin shumë pak në krahasim me çfarë pritet nga vetë këta autorë apo edhe nga ne si librarë.
-A shiten më shumë libra gjatë përditshmërisë apo në panaire të ndryshme që organizohen?
Duke marrë parasysh që panairi organizohet vetëm pak ditë mendoj se gjatë përditshmërisë shiten më shumë libra, por duke marrë parasysh reklamat që bëhen dhe çmimet e ulëta bën që njerëzit atë vlerë që e kanë ndarë dhe e kanë menduar ta shpenzojnë për libra e shpenzojnë aty. Nëse në një librari normale do shpenzonte 1000 lekë për 10 libra, në panair mund të blejë 12 libra. Ky është një shembull banal, por që tregon këtë fenomen që ndodh shpesh.
-A ka konkurrencë midis librarive ?
Nuk mendoj se mund ta quajmë konkurrencë pasi çdo librari ka një klientelë të përhershme të vetën dhe rreth 20 % janë kalimtarë të rastësishëm. Por ka edhe shitës librash në rrugë, gjë e cila nuk është normale edhe pse funksionon dhe në vendet e Europës me aq sa unë kam parë, por që nuk është normale që dikush që nuk paguan asnjë lloj detyrimi ndaj shtetit të jetë 10 metra larg librarisë dhe të shesë. Ndoshta ata duhet të kenë një vend më të organizuar ashtu si është tregu i frutave dhe perimeve të jetë edhe ai i librit ku librat të vendosen nëpër tenda. Edhe kjo ndikon në rënien e shitjes në librari, pasi edhe çmimet e këtyre librave janë më të ulëta pasi ata nuk paguajnë asnjë taksë dhe mund t`ja lejojnë vetes të bëjnë ulje.
.
Flet për “Telegraf” shitësi ambulant Qemal.K. në një nga rrugët e Tiranës 
Atë mund ta shikosh çdo mëngjes teksa hap librat e tij në rrugë dhe qëndron gjithë kohës deri në orët e vona të pasdites me shpresën për të shitur ndonjë libër.
– Z. Qemal a e siguroni jetesën tuaj dukë bërë këtë punë?
Si e shikoni edhe vetë jam në pritje të klientit të radhës. Këtu kalojnë me mijëra njerëz gjatë gjithë ditës, por të paktë janë ata që qëndrojnë, që shikojnë apo dhe blejnë librat e mi, përveç ndonjë studenti apo ndonjë të “kollarisuri”. Dhe unë qëndroj këtu në mes të shiut apo të ftohtit për të nxjerrë bukën e gojës. Këtu është një vlerë e madhe historike por askush nuk e vlerëson, madje as shteti që i lë librat në këtë gjendje të mjeruar. Nuk na i ka dhënë askush mundësinë e një vendi ku mund të shesim librat tanë por mesa shoh interesi për librin ka humbur tashmë por shpresat më mbajnë akoma këtu duke menduar se një ditë këta njerëz që kalojnë kaq afër diturisë do ndalen dhe nuk do e përçmojnë atë. Pjesa më e madhe e tyre janë me telefonat e tyre luksozë dhe as vështrimin e tyre nuk e hedhin mbi librat. Kjo është një fatkeqësi e madhe për vendin tonë. Shikoni se ku jemi katandisur.
Unë kam disa miq (libra), kompania e të cilit është për mua është e shijshme; janë njerëzit e të gjitha vendeve dhe të gjitha moshave; të shquar në luftë, në paqe dhe në letra, të lehtë për tu ruajtur, gati gjithmonë në shënimet e mia, i thërras ata dhe largohen atyre kur unë ju lutem … ata kurrë nuk bëhen subjekt i ndonjë trillimi, por u përgjigjet të gjitha pyetjeve e mia. (Francesco Petrarca)
Trupi im në tokë, fryma ime në re. Dhe që të dy në një libër.
(Robert SABATIER)
Lexoj për vetëmbrojtje.
(Woody Allen)
Sigal