15 vjet rrugëtim artistik i suksesshëm i ansamblit “Zëri i bilbilit”, Sarandë

877
Agron MEMA 

Bisedë me presidentin e ansamblit “Zëri i bilbilit”, zotin Sinan Ahmetaj 
I krijuar në vitin 2002, Ansambli”Zëri i bilbilit”, sivjet mbush 15 vjet. 15 vite udhëtimi në gurrën popullore, duke shfaqur e rizgjuar këtë vlerë të vyer të popullit tonë dhe të kulturës së tij trashëgimore. Nga maja e 15 e vargmalit artistik duken sukseset, çmimet e trofetë e shumta që ka merituar dhe është vlerësuar nga juri të ndryshme, ky ansambël folklorik që gjallon në qytetin e jugut, Sarandë. Një rrugëtim 15 vjeçar që ky ansambël mban në gjoksin e tij frytet e një vlerësimi të mbi 30 çmimeve në përfaqësimin dhe propagandimin e vlerave artistike dhe historike të polifonisë shqiptare dhe në veçanti asaj labe, si një nga format më të hareshme të muzikës popullore në Ballkan. Por ajo që është më e rëndësishmja e punës së këtij ansambli, janë edhe grupi i valltarëve dhe këngëtarëve të vegjël që ka si synim mbajtjen gjallë të traditës folklorike dhe përcjelljen e sajë në breza. Gjithashtu edhe përcjelljen e këtyre vlerave tek vizitorët dhe turistët e huaj që vijnë në Sarandë, duke dhënë dhe shfaqur koncerte para tyre në kalanë historike të Lëkurësit dhe në pika të tjera turistike. Një aktivitet i larmishëm që ky rrugëtim artistik, krahas sukseseve, ka edhe pengesat e veta. Pikërisht, për të gjitha këto, ne zhvilluam një bisedë ekskluzive për gazetën “Telegraf”, me presidentin e ansamblit “Zëri i Bilbilit”, zotin Sinan Ahmetaj

Përshëndetje zoti Sinan! A mundet ta informojmë më gjerë lexuesin në lidhje me aktivitetin e ansamblit tuaj? Sivjet mbushen 15 vite aktivitet, si lindi ky ansambël dhe ç’farë sjell ky 15 vjetor? 
Përshëndetje gazetës “Telegraf” dhe stafit të sajë për përpjekjet që bën në promovimet e vlerave të kulturës , sidomos asaj të trashëguar të popullit tonë. Ansambli “Zëri i bilbilit” lindi në vitin 2002, lindi si domosdoshmëri, si një nevojë e ndërgjegjes artistike, për rizgjim të një vlere dhe të një tradite që rrezikon në zhdukje nga erozionet postmoderne të kohës. Kënga polifonike labe është nga dëshmitë më të dukshme të talentit të popullit tonë, që e ruajti atë të pastër, të paprekshme, të pa asimilueshme, si një pjesë e pandryshueshmërisë së karakterit të këtij populli, e ruajti këtë traditë dhëmbë për dhëmbë në përballje e në luftë me rrebeshet e kohërave. Dhe pikërisht, kjo, na shtinë ta mbajmë gjallë dhe ta përcjellim jehonën e sajë brenda e jashtë kufijve shtetëror. Për labin, kjo traditë e interpretimit në grup, simbolizon vazhdimisht një art tepër të dashur për të, duke e pasqyruar në aspekte të ndryshme të historisë dhe të jetës se vet labëve, të gjitha momenteve kyç të këtij kombi, duke marrë përsipër edhe rolin edukues me vlerat e trashëgimisë dhe të traditës folklorike. Kënga labe është përbërës i katër dialekteve kryesore të polifonisë; myzeqare, toske e çame. Prandaj kjo vlerë e cila rrezikon të zhduket apo transformohet, na shtyri të krijojmë ansamblin”Zëri i bilbilit” dhe sot numërojmë mbi 30 vlerësime e çmime, 15 vjet plotë aktivitet me mbi 1000 koncerte brenda e jashtë vendit. 

Cila është e veçanta e këtij ansambli? 
Përveç atyre çmimeve dhe trofeve që kemi mundur të marrim si vlerësime, fakt është se sot, pas 15 vitesh, ansambli”Zëri i Bilbilit” numëron në përbërje të tij mbi 40 valltarë e këngëtarë, instrumentistë dhe krijues, këta nga grupmosha të të rriturve dhe të fëmijëve. Dhe prezenca e grupit të fëmijëve, e këtyre valltarëve dhe këngëtarëve të vegjël, përveçse i ka dhënë gjallëri e kolorit ansamblit në koncertet e zhvilluara, është edhe një e veçantë tepër e vlefshme dhe kryesore e këtij ansambli. E veçantë tjetër është edhe bashkëpunimi me operatorët turistikë të Sarandës, Shqipërisë dhe ato të vendeve të ndryshme të botës deri në SHBA. Dhe kjo vjen për herë të parë këtë sezon turistik. Këto agjenci turistike, para se të nisin turin turistik në Sarandë, postojnë në portalet dhe faqet elektronike të tyre se krahas vizitave në pikat e shumta turistike të Sarandës, do të kenë mundësinë të njihen me magjinë e këngës folklorike të këtij rajoni nëpërmjet koncerteve tona me këngë e valle dhe mund tu them me bindje se kanë filluar ti pëlqejnë mjaft dhe janë interesuar për historikun e sajë. 

Gjithë ky aktivitet i realizuar dhe i pritshëm të realizohet, si mundeni t’ia arrini dhe a keni pasur pengesa? 
Arritjet në këtë rrugëtim 15 vjeçar i përmenda më lart, por ajo që dua të shtoj në përgjigje të pyetjes suaj, është fakti se gjithçka e kemi bërë me forcat tona, me mundin dhe sakrificat tona që s’na kanë munguar asnjëherë. As pushteti qendror e as ai lokal nuk na kanë mbështetur e të tregojnë edhe vëmendjen më të vogël. Madje tani nuk na lenë as në Q.K.F për të bërë prova me fëmijët. Nuk e di ç’ndodh dhe kush i merr këto vendime. Kush trembet nga kultura e traditës popullore. Janë afruar aktualisht pranë ansamblit mbi 80 fëmijë që interesohen të mësojnë këngët dhe vallet e traditës së zonës sonë. Po na kanë bërë bllok duke mos na lejuar të zhvillojmë prova në ambientet e QKF-së. Po ne vazhdojmë rrugëtimin tonë më fort dhe përpjekjet tona për mbajtjen gjallë të folklorit dhe traditës popullore, dhe kjo pa asnjë shpërblim, qoftë edhe moral. Thashë që nuk na ofrohet salla e QKF që është e destinuar për nxitjen dhe mbështetjen e talenteve të reja e jo të pengojë, se sa për mbështetje financiare nga bashkia, as që bëhet fjalë për të stimuluar sa do pak ansamblin . 

Ç’farë jeni duke përgatitur për 15 vjetorin? 
Do të festohet me madhështi dhe masat i kemi marrë. Jemi duke u përgatitur për gjithçka duhet de ri tek koncerti i madh. Do të festohet me koncerte ku do të jenë të ftuar edhe shumë grupe nga vendi e më tej, si dhe shumë personalitete të kulturës dhe artit. Edhe pas 15 viteve do vijojmë rrugën tonë artistike, pavarësisht pengesave. E shoh me optimizëm këtë që them, për vet faktin se shoh interesim, po shoh edhe fëmijë që këndojnë e kërcejnë bukur këngët dhe vallet e traditës, ndaj them se “Zëri i bilbilit”nuk do të reshtë së kënduari. 
Sigal