13 tetor-Dita e Poetëve

1345
Sigal

Ese kushtuar poetëve Millosh Gjergj Nikolla dhe Dritëro Agollit

Siç mund të quhet tetori, Muaj Poetik, për nder të qiriut të pa fikur të Naimit të Madh, data 13-të e çdo tetori mund të quhet Dita e Poetëve. Kjo ditë na ka sjellë dy nga poetët më të mëdhenj të kombit Millosh Gjergj Nikollën-MIGJENI-n dhe Dritëro Agollin. Shpesh, koha bën përqasje e bashkime që i kërkon e i vlerëson historia. Më 13 tetor 1911, u lind në Shkodër Millosh Nikolla dhe, kur Migjeni, pas mësimit në Pukë, nën kundër-ritmin e kollës së mushkërive, hidhte në letër “Poemën e Mjerimit”, më 13 tetor 1931 u lind në Devoll, Dritëro Agolli.… Të dy poetët, nuk i bashkoi vetëm data 13-të, por i bashkoi Poezia, krijimtaria e tyre, që i ka rrënjët tek dhimbja e njeriut dhe është shkruar për njeriun.

Poeti i “shekujve të rinj”

Në këtë mes-tetori të shekullit të ri, Migjeni 27 vjeçar, mbush 101-të vjet. Ai mbeti i ri edhe kur u vjetruan shekujt. Migjeni u lind poet në fillimin e shekullit të XX, poet i një lloji tjetër, siç e pagëzoi Kadareja dhe i hap portat e shekujve pa u vjetruar, pa ecur me shkop, gjithmonë i ri e i vrullshëm, duke lenë, kohën prapa.

Portreti i poetit është Fjala. Dhe fjala e Migjenit u bë poezi e prozë-poetike me të vërtetën e jetës së malësisë brenda… Fjala e Migjenit, nuk veshi kostum të gatshëm poetik e nuk brodhi vitrinave të kohës për ta kërkuar. Ajo nuk pranoi të vishte as petkat e zbukuruara të fesë e ta shihte të vërtetën nga frëngjitë e kishave apo të xhamive e as nga frëngjitë e kullave të kanunit. Migjeni krijoi qiellin e vet poetik me hapësira lirie. Qielli poetik i Migjenit i shpëtoi epidemisë së kohës. Ai nuk morri pjesë në lojën e pasqyrave, që i hidhnin dritë mashtruese njëra-tjetrës dhe pretendonin se bënin artin e madh.

Edhe kur “Vargjet e lira” iu censuruan nga regjimi i kohës, ai ndjehej i lirë në shpirt. Si mund të belbëzonte poezia e Migjenit?! Ajo vetëm këndonte:

“Na të birtë e shekullit të ri,

që plakun e lamë në “shejtninë” e tij,

e çuem grushtin për me luftue

ndër lufta të reja

dhe me fitue!”.

 

Na të birtë e shekullit të ri,

me hovin tone e të ndezun peshë,

ndër luftëra të reja kemi me u ndeshë

dhe për fitore kemi me ra fli”.

***

Djaloshi Dritëro, që nisi të shkruaj poezi, qysh në bankat e shkollës e i lexonte me shokët e rrethit letrar: Ismai Kadarenë, Agim Shehun, Gaqo Veshin e Hulusi Hakon, apo me mësuesin-poet, Vehbi Bala, u rrit e u lartua shpejt në udhën poetike. Krijimtaria e Agollit mori përmasa kombëtare e u bë pasuri e kombit shqiptar. Ashtu si Naimi, Mjeda e Migjeni, si Poradeci e Kadareja, Dritëro Agolli vendosi raporte të drejta me Fjalën e shkruar dhe i dha emrin e tij krijimtarisë letrare. Qysh nga libri i pare poetik “Në rrugë dola”(1958) e deri tek libri më i ri i këtij viti, janë mbi dyzetë tituj-librash të t’ gjitha gjinive të letërsisë. Dritëro Agolli ka shqipëruar Bërnsin e Bagrickin, Ricosin e Elyarin, Pushkinin, Esenin, Majakovskin e Shevshenkon, Ahmatovën e Bllokun e sa e sa poetë të tjerë, dhe vetë është përkthyer në dymbëdhjetë gjuhë të botës, që me “Shkëlqimi e rënia e shokut Zylo” e deri tek “Pelegrini i vonuar”. Është fitues i shumë çmimeve letrarë brenda e jashtë vendit dhe i shumë ndereve qytetare, që nga Qytetar Nderi i Qarkut të Korçës e deri tek “Nderi i Kombit”…

Dritëro Agolli, liriku më i madh i gjallë, siç e ka vlerësuar akademiku Rexhep Qosja, ka njësuar, brenda vetes, tokën me njeriun. Këtu është dhe “çelësi i artë” i suksesit të tij.

Njeriu dhe toka, apo toka dhe njeriu. Rritja e tokës dhe rritja e njeriut. Vrasja e njeriut dhe vrasja e tokës. Jeta e tokës dhe jeta e njeriut… Ky binom-jete, sa i punuar e i dashuruar nga krijuesit, nëpër mijëvjeçarë, aq dhe i përbuzur e i harruar, u grimcëruar në penën e Dritëro Agollit dhe mori vlerat e vendit dhe vlerat e kohës, gjithmonë ndryshe e gjithmonë i veçantë… Shpirtin e Tokës dhe shpirtin e Njeriut kush e njeh më mirë se Dritëro Agolli?!

” Mos vdis, se pas shirave arën e mbush bari,

Ka rënë në ullishte mizë e ullirit.

Hardhia duhet spërkatur shpejt me gurkali

Dhe, ende, s’ka dalë nga plisi kërcelli i misrit.

Mos vdis në dhomën e heshtur i shtrirë,

Është turp kaq shpejt të rrish e të vdesësh.

Ne ëndërronin një vdekje pak më të mirë:

Duke vdekur, fytyrat tona t’i shihnim në pikën e vesës”…

” Dhe kur njeriu nuk ndjen as mall, as brengë, as dhimbje,

Nuk ndjen as gaz, as hidhërim, as shpresë,

Një gjë ju them, me ndershmëri e bindje:

Lëreni të vdesë!”

Në botën e qytetëruar, veç kalendarëve të ditëve njerëzore është edhe Kalendari i Poetëve. Si tabela e Mendelejevit, që plotësohet me emra elementesh kimikë, Kalendari i Poetëve po plotësohet me datat 25 maj 1846, 27 dhjetor 1899, 27 mars 1866, 16 shtator 1825, 23 tetor 1871, 16 janar 1936, 13 tetor 1911-1931… me Ditët e Poetëve.