102-vjetori i ditëlindjes së Dede Ahmet Myftari

1158
Kleriku atdhetar Ahmet Dede, 10 vite rresht, ishte Kryegjysh Botëror Bektashian
Dita e enjte, 22 shkurti 2018, është dhe do të jetë një ditë e shënuar për bektashinjtë shqiptarë dhe miliona bektashinj në të gjithë botën. Këtë vit, në këtë datë (22 shkurt), mbushen plot 102 vjet nga ditëlindja e Ahmet Myftar Dede, ish-kryegjyshi Botëror Bektashian, kleriku që dënoi ashpër pushtimin fashist në prill të vitit 1939 dhe u rreshtua krah luftëtarëve të lirisë për çlirimin e vendit. Jeta dhe aktiviteti i tij si klerik bektashi dhe atdhetar, është pasqyrimi më i mirë i devizës bektashiane “Pa Atdhe, nuk ka fe!”. Njëkohësisht, Ahmet Dede ka një meritë të veçantë dhe për forcimin e ngritjen e institucioneve bektashiane për një dekadë, përkatësisht nga vitin 1948 deri në vitin 1958. Jeta dhe vepra e tij në shërbim të bektashizmit dhe atdheut, është shembulli më i mirë ndër breza”-pohon Kryegjyshi Botëror Bektashian, Hirësia e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj.
Dede Ali Myftari
Ahmet Myftari ka lindur më 22 shkurt të vitit 1916, në fshatin Brataj të Vlorës dhe ndërroi jetë në vitin 1980. Mësimet e para i mori në shkollën e fshatit ndërsa të tjerat, në qytetin e Vlorës. Ai, trashëgoi prej prindërve, dashurinë për dije dhe për atdhe. Duke mbetur jetim, nga të afërmve të vet, u mëkua me dashurinë për besimin e kulluar bektashian. Pasi mbaroi shkollën qytetase në vitet 1924-1929 në Vlorë, në vitin 1936, u dërgua të kryej shërbimin e detyrueshëm ushtarak në Dibër. Këtu u njoh me baba Zenel Dume, ndjeu së brendshmi dashurinë dhe besimin te i Madhi Zot, mori njohuri për bektashizmin dhe islamin në përgjithësi. Mori dorë në teqenë e Bllacës në vitet 1937-1939 dhe u konsakrua dervish në po këtë teqe, nga baba Zeneli. Ishte vetëm 22 vjeç kur vishet dervish dhe bën betimin e shenjtë, për t’i shërbyer rrugës së Hakut, deri në ditën e ndarjes nga jeta. Në qershorin e vitit 1939, ashtu sikundër dhjetëra klerikë të tjerë bektashianë, u rreshtua në krahun e luftëtarëve të lirisë, në aksione konkrete kundër pushtuesve italianë. Në Vlorë dhe Kurvelesh, në Tepelenë dhe Elbasan, fjala e dervishit bektashian zinte vend në zemrat e luftëtarëve. Ajo fjalë ngrohte si dielli në dimrat e atyre viteve dhe ndizte zjarre shpresash të mëdha, shpresash se një ditë do të jetonin të lirë e të pavarur, me besimin e palëkundur në Zot. Veprimtaria atdhetare e dervish Ahmet Myftarit, bie në sy të autoriteteve italianë. E thërrasin dhe i thonë se duhet të heshtë, duhet shkojë në teqe dhe të kujdeset për besimtarët. Ky i dëgjon dhe në heshtjen e thellë u përgjigjet: “Si mund të kujdesem për besimtarë me vatan të shkelur. Vatani njëherë, ai të jetë i lirë, pastaj vjen besimi!” Në fillim të majit të vitit 1943 e arrestojnë dhe e dërgojnë në kampin famëkeq të Porto-Romanos. Edhe këtu shpirti i lirë i tij, nuk gjen prehje. Fjala e ngrohtë e tij, bind komunistë dhe nacionalistë se përpara çdo lloj bindjeje partiake është atdheu. Atij do t’i falemi në çdo kohë, me çdo mjet, në çdo situatë. Me kapitullimin e forcave italiane e lë kampin e Porto-Romanos dhe sërish, me pushkë në krah, renditet në radhët e luftëtarëve të lirisë. Pranvera e vitit 1945, e gjen në detyrën e komandantit të qarkut në Martanesh dhe përpara tij çelen dyert e karrierës ushtarake. Provat i kish dhënë, aty në vijën e parë, në zjarrin e betejave. Madje në një prej këtyre betejave u plagos rëndë. Shokët e morën në krahë dhe e dërguan në spital, duke i rikthyer jetën. Gjithsesi brenda zëmrës së Ahmet Myftarit, gjallonte ëndrra e dervishit, besa që pati dhënë dikur, në mejdan të teqesë së Bllacës. Me shkrimin e tij të bukur, falënderon komandën e lartë për besimin që i kish dhënë dhe në maj 1945, paraqitet në Selinë e Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore, duke mbajtur plot dashuri në supe harkanë e dervishit bektashi. 
Emërimi Kryegjysh Botëror Bektashian
Më 2 tetor 1945, baba Ahmet Fyftari, merr titullin baba dhe shërben plot devocion në teqetë e Baba Hamitit – Elbasan si edhe Kuzum Babait në Vlorë. Në 2 qershor 1948, me vendim të Këshillit të Përgjithshëm të Komunitetit Bektashian, vendoset në funksionin më të lartë, atë të Kryegjyshit Botëror Bektashian. Për dhjetë vite me radhë, në krye të Selisë së Shenjtë dede Ahmet Myftari përveç ruajtjes të pastër të doktrinës bektashiane, mundësoi arsimin fetar duke bërë me dije edhe dervishin e teqesë më të largët. Në këto vite i dha hov bektashizmit dhe u bë faktor i harmonisë fetare midis komuniteteve fetarë tradicional në Shqipëri. Organizoi një varg lidhjesh të komunitetit bektashian shqiptar me bektashinjtë e tjerë në gjithë botën. Vitet e qëndrimit të dede Ahmet Myftarit, në këtë post të rëndësishëm, janë vite të gjallërimit të mëtejshëm të besimit bektashian, vite të respektimit të tri erqanëve tradicional, duke larguar njëherë e përgjithmonë këtë besim të mrekullueshëm, nga kurthet dhe prapësitë e thurura prej partisë-shtet. Në këto vite, portat e teqeve u çelën për mijëra dashamirës dhe myhib, u institucionalizua arsimi fetar, u nxorrën prej arkivave dhjetëra libra për bektashizmin dhe u përkthyen këta në gjuhën shqipe duke ndriçuar mistikën e thellë të këtij besimi. 
Persekutimi i klerikut bektashian
Në konferencën ndërkombëtare “Apel Paqes” në Tiranë në vitin 1952, ai shpalosi mendimet në referatin ku Perëndia zinte vendin e merituar. Pikërisht kjo gjë nuk mund t’i pëlqente partisë-shtet, e cila thuri rrjetën e merimangës dhe me ndihmën e segmenteve të caktuar të sigurimit famëkeq të shtetit, bëri që dede Ahmet Myftari të linte postin e rëndësishëm dhe të kalonte privacionet në vitet e rënda të internimit së bashku dhe dervish Reshatin, në Drizar të Mallakstrës. Privacionet dhe torturat u bënë pjesë e pandarë e jetës së tyre. Por edhe në këto kushte, të dy këta shënjtorë, rrëfyen shpirtin e madh dhe të paepur, rrëfyen vendosmërinë e palëkundur për ta mbajtur të pastër burimin e besimit bektashian. Një meritë e padiskutueshme gjithashtu e dede Ahmetit, është fakti që frymën e tij, shenjtërinë e tij të panjollosur, ai e përcolli plot dashuri në personalitetin e dervish Reshat Bardhit. Ky me përkushtimin e vet, me fuqitë e dhuruara nga Zoti, mundi të mbante gjallë besimin tonë edhe në momentet më të vështira, ato të pas viteve 1967. Në këtë periudhë teqeja e Drizarit u shndërrua në Seli e Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane. Dede Ahmet Myftari ndërroi jetë në 10 korrik 1980. Dede Reshati thotë për myrshidin e tij, Dede Ahmetin: “E njoha Dede Ahmetin kur isha 17 vjeç. Ai hyri në jetën time dhe do të mbetet aty, deri në frymën time të fundit. Ai më mori për dore dhe më futi në rrugën e ndritur të bektashizmit, në rrugën e ndriçuar prej Pirit tonë Haxhi Bektash Veliu. Dede Ahmeti ka qenë dhe mbetet një gur i rëndë në themelet e bektashizmit shqiptar dhe atij botëror. Me urtësinë e tij, me zgjuarsinë e tij, me guximin e tij, Dede Ahmeti për dhjetë vjet rresht, mbajti mbi shpatulla një varg problemesh me të cilat përballej bektashizmi ynë i kulluar. Ai kurrë nuk u qa, kurrë nuk u ankua, kurrë nuk e lëshoi veten edhe në situatat më të vështira. Në mënyrë të veçantë, kurajua dhe guximi i tij, shkëlqyen në vitet e vështira të internimit, në fshatin Drizar të Mallakastrës. Aty u shfaq si rrallë herë qëndresa e tij. Teqeja e vogël e Drizarit, ai vend i humbur mes përrallesh, u bë Selia e Shenjtë e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane. Tek kjo teqe kanë ardhur me mijëra besimtarë, nga e gjithë Shqipëria. Vinin të raskapitur, vinin të trishtuar, vinin si nata. Po iknin të shlodhur, iknin të gëzuar, iknin si mëngjezi i bukur. Dede Ahmeti u jepte shpirt dhe dritë nga shpirti dhe drita e tij”. Ligjet e regjimit në fuqi, nuk mund të vepronin përballë ligjeve hyjnorë. Sot bustet e tij hijeshojnë sheshet, në qytetin e Vlorës dhe vendlindjen e tij në fshatin Brataj. Është shpallur “Qytetar Nderi” i Vlorës dhe Komunës Brataj, Personalitet i shquar i Labërisë. Albapost, në ciklin e figurave të shquara për vitin 2001, ka emetuar në emisionin e pullave Ahmet Myftar Dede. Janë botuar broshura, libra për jetën dhe veprën e e tij, përgatitur filma dokumentarë dhe kalendarë. Ai mbetet nje figure e shquar për bektashizmin në Shqipëri dhe në botë
Sigal