1000 arsye, pse duhet t’i kaloni pushimet në Dardhë

1023
Sigal

Kryetari i shoqatës dardhare “Shpresa”, Niko Balli

Tashmë nis e gjithçka përvëlon: edhe karrigia, edhe tavolina, edhe zyra, edhe filxhani i kafesë, edhe rruga, edhe pluhuri, edhe makina, edhe uji, edhe… Vetëm freski nuk ka. Befas ndjen se ke nevojë të ikësh gjëkund, të arratisesh larg, atje ku ka një puhizë pylli, atje ku sheh një re të bardhë, atje ku rrjedh uji i ftohtë dhe duket sikur shiu do të vijë, atje ku hijen e pemëve e ndjen nëpër trup dhe atë çast të duket sikur ke gjetur një planet tjetër. Ke 1000 arsye për ta bërë këtë. Në raste të tilla a nuk ju kujtohet një poezi e njohur?

“Erdhi vera, zuri vapa.

Ti do prehje qetësi,

Çdo punim lëre prapa

Mos u lodh e mos djersi!”.

Po ku të shkosh?

Po ku të shkosh? Kjo është pyetja. Përgjigjen na e sjell, Kryetari i Shoqatës dardhare “Shpresa” Niko Balli: “Ejani në Dardhë!- thotë ai Ikni nga qytetet ku vapa të merr frymën, asfalti djeg si zjarr e uji avullon. Vetëm, nëse nisesh për në Dardhë do të fillosh të ndjesh freskinë e malit. Pastaj kilometër pas kilometri vetëm do të ngjiteni drejt majave të maleve duke ndjerë se ajri bëhet më i ftohtë, më i lehtë dhe vjen një çast kur ti kupton se je mbushur krejtësisht me frymë. Aty është gjithçka ndryshe. Pyjet e Suareve (kështu quhen) lëvizin degët e të sjellin ajër aty ku je ulur ti. Vështron barin dhe lulet dhe ato janë të freskëta, njësoj si lulet që nxjerrin kokën nga poshtë dëborës. Rrëketë e përrenjve vijnë nga çdo anë e njomin ajrin me shkumë. Atë çast ndjen se gjendesh mes shatërvanëve të vërtetë të natyrës… sepse, shton më tej Niko Balli:

Në do jetë e ditëbardhë,

gjak në rremba e shëndet,

Merre rrugën shko në Dardhë,

Ku ndjen gaz me të vërtetë.

E sheh, ekzistojnë 1000 arsye!

Nuk ka zhgënjim

Aty do të kesh rastin të ngjitesh në kodrat e Shën Pjetrit, 1400 metra mbi nivelin e detit, do të kesh mundësinë të njihesh me mrekullinë e Gurit të Vjeshtës, nuk do të të mungojë asnjëherë ftesa e pyllit që të hysh e të dalësh në brendësi të tij, ku freskinë e gjen si në vjeshtë, vijon të tregojë Niko Balli. Aty është edhe Shën Gjergji, kisha e mrekullueshme me vlera të rralla. Ikonostasi i saj mbetet i famshëm. Janë edhe dy kisha të tjera: e Shën Pjetrit dhe e Shën Thanasit, i keni parë ndonjëherë? Dardha njihet që nga vitet 1600. Të gjitha ndërtesat janë të ndërtuara me gur, ndërsa rrugët me kalldrëm. Aty gjithçka është e vjetër, klasike, befasuese. Në këtë fshat të gjithë të presin me dashamirësi, njësoj sikur të kesh qenë miku i tyre i vjetër. Nëse kalon para një porte të ftojnë të pish një gotë raki kumbulle të zier tri herë apo një gotë verë. Madje

Gjithë katundi krahëhapur,

Me gëzim si mik të prêt,

Tërë dyert janë hapur,

Ti hyn brenda si një mbret”.

Ajri dhe uji i Dardhës kanë vlera kurative. Nëse je anemik duhet të shkosh të çlodhesh në Dardhë, nëse dikur ke qenë i sëmurë, atëherë një gjenerim të plotë mund ta marrësh vetëm në atje. Mjekët e rekomandojnë edhe për personat limfatikë. Ajri i saj bën mirë për fëmijët dhe të rinjtë. Dardha vërtetë të jep gjak të pastër, të bën më të ri nga sa je në të vërtetë. Sepse

“Lart ke mal të gjelbëruar,

Lule-shtruar bukuri,

Erë pylli të qëruar,

 Në qofsh plak të bën të ri.

 Ke burime shkumë argjendi,

Uji i tyre që të ngjall,

Si dhe pamjen e çdo këndi,

 Që të mbushin me plot me mall

 

Raki, verë dhe mish me aromë trëndeline

Siç ju thashë, shton më tej Niko Balli, rakia e saj është ajo e kumbullës, e zierë tri herë, por nuk mungon as vera, pastaj të vjen lakrori me dy petë, i pjekur në saç me dru lisi. Mishin e gjen në gatimet më tradicionale, ka aromën e trëndelinës së maleve të Gramozit. Veç kësaj, aty mes maleve, pyjeve dhe lartësive mbi 1300 metra gjen edhe peshkun e freskët, të rritur në rezervate me ujëra të pastra si kristali e të ftohta si bora vetë, që zbresin nga majat e maleve. Gjithçka që dëshiron e gjen aty. Nuk është se këto i gjen vetëm në një lokal, sepse aty ka shtëpi pushimi, ka disa hotele dhe restorante, ndërsa tashmë ke edhe një nga lokalet më luksoze që ndoshta nuk e gjen dot në asnjë vend tjetër. Sigurisht, njeriut përveçse një çlodhjeje të mirë i duhet edhe një ushqim i mirë, sepse vetëm atëherë kupton, nëse ka pasur një çlodhje të vlefshme dhe nëse shëndeti i tij ka ndryshuar

Duket se edhe Asdreni e ka shprehur këtë mjaft bukur këtë gjë kur shkruan:

Faqet e verdha, faqet e bardha.

Dhe të dobëtat mushkri,

 prapë të kuqe t’i bën Dardha/

T’ep fuqi dhe lumturi”!

E pra, keni 1000 arsye për të pushuar në Dardhë!