100-vjetori i lindjes së piktorit me famë botërore, Ibrahim Kodra (1918-2018)

1011
Rrezja e diellit që hynte në studio tregonte orën kur kthehej Zydi. Për mua ishte sikur vinte profesori. Zbrisja poshtë dhe i merrja biçikletën. Pastaj heshtje. Zydi Vaqarri ishte një person fjalëpak, por kur fliste ky tiranas i vjetër tregonte gjithmonë diçka që të tjerët nuk e dinin. Këto ngjarje të panjohura për ne, vinin nga mosha e tij e rinisë së zverdhur, një kohë të cilën ne nuk e kishim jetuar. Edhe pak ditë dhe dilte në pension dhe unë i thoja: „Do na mungosh, o Zydi!”.Kur një ditë po e pyesja, përse nuk hapte një ekspozitë, pasi ai punonte shumë bukur akuarelin, ai m‘u përgjigj vetëm në fillim vetëm me një heshtje e më pas:

– O Ben, -më tha, – do të tregoj diçka. M‘u afrua afër. Ai e dinte që unë e kisha nënën italiane.- Në Itali, – filloi të fliste Zydiu me zërin e tij të butë, – është një piktor i famshëm që quhet Ibrahim Kodra. Kur ishte i vogël, e shikoja gjithmonë që punonte në rrugicat e Tiranës, dhe reklamat ai i bënte me akuarel. Diçka përrallore o Ben, – dhe Zydiu ktheu kokën nga ana ime.- një ditë ky djalë i vogël po punonte në rrugicat e pazarit të vjetër. Atë e shikon një turiste italiane dhe kur pa talentin e Ibrahimit, ajo u befasua. I mori shënim emrin dhe mbiemrin, si dhe i bleu dhe një punë. Më pas Ibrahimi erdhi me vrap te dyqani i babës, dhe i tregoi këtë që po të them unë sot e 50 vjet më parë. Kjo turiste italiane ishe një mikeshë e mbretëreshës Xheraldinë. – Sa e bukur ishte mbretëresha o Ben! –ndryshoi bisedën Zydiu. – Kur isha i vogël zgjohesha herët për të parë mbretëreshën kur ajo bënte shëtitjen e mëngjesit te shatërvani para kuvendit, dhe pikërisht mua më takoi të isha në varrimin e kësaj mbretëreshe. Mbretëresha e çoi Ibrahimin, shokun tim të fëmijërisë, në Itali për studime. Që atëherë nuk e kam parë më. Më kanë thënë se ai është bërë një piktor i madh. (Kjo bisedë me Zydin është zhvilluar në vitet 1978) Mbas ikjes sime në Itali në vitin ’91, unë u mahnita me famën e këtij piktori, i cili me talentin e tij kishte marrë famë në tokën e Cima-Bues, Mikelanxhelos, Rafaelos, Karavaxhos dhe që ekspozonte së bashku me kolosët e artit bashkëkohor. Në vitin 1954, ai merr pjesë në Paris në një ekspozitë kolektive me Picasso, Rouault, Dufy, Matisse, Modigliani dhe me Salvatore Dali. Karriera e tij artistike është e mbushur me aktivitete në galeritë më prestigjioze mbarëbotërore. Ibrahim Kodra,në vitin 1971, merr medaljen e artë internacionale, të shkencës, artit dhe letrave nga Academia Franceze. Po në këtë vit thirret në Barcelonë dhe merr çmimin “Joan Mir”. Punët e Ibrahim Kodrës në Muzeumin e Vatikanit, në Dhomën e deputetëve në Itali, në galeritë publike dhe në muzeumet më prestigjioze të Italisë, Zvicrës, Gjermanisë, Belgjikës, Francës, Anglisë, Rusisë dhe Amerikës. Ai ka marrë shumë çmime kombëtare në Itali si dhe shumë çmime të tjera ndërkombëtare. Emri i tij figuron në publikimet italiane dhe të huaja. Ibrahim Kodra, mbi të gjitha, gjeti një mënyrë për të shprehur veten në një stil pikture të re dhe origjinale, që tërhoqi vëmendjen e kritikëve të artit e në gjithë botën. Në vitin 1979 Renzo Bertogni i dedikon një seri në emisionin e tij në ‘Rai 2’, të titulluar “Takim me protagonistët më të mëdhenj të artit kontemporan” dhe filmin me ngjyra prej 40 minutash, me pjesëmarrjen e kritikut të artit Karlo Munari dhe me regji të Franco Marotta. Ky është Ibrahim Kodra. A nuk e meriton, me rastin e 100-vjetorit të tij të lindjes, një monument modern ashtu siç ishte dhe vetë arti i tij?!
Shkruar nga Beniamin Gajtani
Sigal