10 vjet nga hyrja e të parit investitor strategjik në tregun shqiptar të sigurimeve

585
Lideri i tregut të sigurimeve në Shqipëri, SIGAL UNIQA Group AUSTRIA dhe gjiganti austriak UNIQA 10 vjet bashkëpunim

Kompania më e madhe e sigurimeve në Shqipëri SIGAL UNIQA Group AUSTRIA shënon sot 10-vjetorin e futjes në tregun shqiptar të sigurimeve të një prej kompanive lider në Evropën Qendro-Lindore, UNIQA Insurance Group. Në vitin 2007 UNIQA vendosi të blejë një pjesë të aksioneve të SIGAL, duke u kthyer kështu në një partner kyç për SIGAL, por edhe një faktor të rëndësishëm për tregun e sigurimeve në Shqipëri dhe rajon. SIGAL gëzon meritën për futjen në tregun shqiptar të sigurimeve të të parit investitor strategjik evropian në industrinë e sigurimeve, me një potencial të jashtëzakonshëm dhe me një eksperiencë mbi 200-vjeçare në fushën e sigurimeve. Futja e UNIQA-s në industrinë e sigurimeve në Shqipëri ka qenë jo vetëm një garanci për tregun shqiptar, por edhe një indikator që ka luajtur një rol të rëndësishëm në rritjen dhe përmirësimin e tregut tonë të sigurimeve dhe në ndryshimin e opinionit publik për shoqëritë e sigurimeve , sikundër ka ndikuar jo pak edhe në ekonominë shqiptare. “Ne jemi të lumtur që UNIQA na besoi ne 10 vite më parë, për të investuar në tregun e sigurimeve vendas përmes kompanisë tonë SIGAL, dhe sot e them me bindje dhe krenar që kjo ka qenë një nga vendimet më të mira që unë kam marrë në fushën e biznesit, sepse të bashkëpunosh me një kompani si UNIQA Insurance Group është, jo vetëm një siguri dhe sukses për ne si kompani, për SIGAL-in, por edhe një vlerë e shtuar, një aset tejet me vlerë për të gjithë tregun tonë dhe një impuls shumë i mirë për ekonominë e Shqipërisë, sikundër është një garanci financiare e rëndësishme për investitorët vendas dhe të huaj. Me prezencën e UNIQA-s, SIGAL, jo vetëm që është kompania lider në tregun e sigurimeve që nga krijimi i saj, por vazhdon të zotërojë 30% të tregut edhe pse numri i kompanive që operojnë në këtë industri është rritur dhe sot numërohen 8 kompani jo-jetë dhe 3 kompani jetë. Udhëheqja e tregut, ka qenë jo vetëm në market-share, por ç’ka është më e rëndësishmja udhëheqja e tregut ka qenë në cilësinë e produkteve, në cilësinë e ofrimit të shërbimeve ndaj qytetarëve dhe në pagesën në kohë dhe sipas ligjit të dëmeve. Të qenit gjithmonë korrekt dhe pranë klientëve, të qenit inovator në krijimin e produkteve të dobishme dhe sipas nevojave e kërkesave të klientëve, na ka bërë ne të suksesshëm dhe të jemi gjithmonë lider në këtë industri dhe një hap përpara konkurrentëve tanë. Ne kemi bërë shumë deri më tani për ta rritur e zhvilluar tregun shqiptar të sigurimeve. Futja e UNIQA-s i ka dhënë një tjetër dimension dhe garanci evropiane tregut tonë, po përpiqemi ti bëjmë sigurimet pjesë të jetës dhe të kulturës së shqiptarëve si një domosdoshmëri për një jetë më të qetë. Ne po përpiqemi për të forcuar dinjitetin njerëzor dhe pavarësinë individuale të qytetarëve nga shteti dhe strukturat e tij, për ta bërë qytetarin më të pavarur dhe dinjitoz në jetën e përditshme dhe kjo arrihet vetëm kur sigurimet janë në nivelet evropiane ndërsa përgjegjësitë dhe përfitimet janë të qytetarëve. Tani mendoj dhe besoj se ka ardhur koha që edhe instancat e duhura shtetërore të bëjnë pak më shumë për ta zhvilluar më tej këtë industri, një industri me një peshë shumë të madhe në ekonominë tonë”, -tha ndër të tjera, CEO i SIGAL UNIQA Group AUSTRIA për Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë, Z. Avni PONARI. Nga ana e tij, CEO i UNIQA-s, Z. Wolfgan KINDL tha se kompania që ai përfaqëson e ka në prioritet Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë dhe do të vazhdojë të investojë në tregjet e këtyre shteteve. Kindl shprehu bindjen për mbështetjen e qeverisë Shqiptare për ndërmarrjen e incentivave për përmirësimin dhe zhvillimin e industrisë së sigurimeve, pasi sipas tij kjo industri luan një rol të rëndësishëm dhe ka një potencial të madh për tu zhvilluar, por ka nevojë për një tjetër shtytje edhe nga ana e qeverisë dhe e shtetit. Ky takim i një rëndësie të veçantë mblodhi në Tiranë mbi 40 drejtuese dhe menaxherë mediash dhe PR të UNIQA-s nga 19 shtete evropiane, me në krye CEO-n e UNIQA-s Z. Wolfgang KINDL, të cilët me ftesën e Z. PONARI, erdhën dhe vizituan Shqipërinë për disa ditë me radhë. Qëllimi i këtij turi ishte promovimi i artit, kulturës, historisë dhe turizmit të vendit tonë, si një mënyrë dhe mundësi e shkëlqyer që vlerat dhe trashëgimitë e vendit tonë të përçohen kudo në Evropë e nëpër botë. Në këtë takim morën pjesë gjithashtu personalitetet më të larta të ekonomisë dhe financave në Shqipëri, Ambasadori i Austrisë në Shqipëri, SH. T.Z. Johann Sattler si dhe përfaqësues të institucioneve dhe bizneseve austriake në Shqipëri e shumë drejtuese e personalitete të tjera shqiptarë dhe të huaj. 

Mbi SIGAL UNIQA Group Austria
SIGAL UNIQA është kompania më e madhe e sigurimeve në Shqipëri, me një shtrirje edhe në Kosovë e Maqedoni. Që prej vitit 2002, SIGAL udhëheq tregun shqiptar të sigurimeve, me rreth 30%. Pavarësisht shtimit në numër të kompanive të sigurimit, SIGAL e ka ruajtur pozicionin si lider të tregut, vetëm në sajë të shërbimeve më të mira ndaj klientëve, nëpërmjet produkteve me interes ofruar tek qytetarët dhe pagesës së dëmeve në kohë dhe në vlerën e duhur sipas ligjit. Me rreth 840 mijë kontrata në vit, mbi 152 milionë euro dëme të paguara vetëm 10 vitet e fundit si dhe një volum primesh gjithmonë në rritje, lideri i sigurimeve udhëheq bindshëm tregun dhe është kompania më e besuar për shqiptarët. Grupi SIGAL UNIQA numëron rreth 1200 punonjës dhe agjentë, zotëron 106 milionë euro asete dhe ka të gjitha parametrat financiarë në përputhjen kërkesat e ligjit. Me futjen e UNIQA-s grupi SIGAL mori një tjetër hov zhvillimi, që ndikoi ndjeshëm në në rritjen e cilësisë së shërbimit ndaj klientëve, në përmirësimin e infrastrukturës, krijimin e standardeve të evropiane për kompaninë dhe tregun në tërësi, sikundër kjo reflektoi edhe në rritjen e volumit të primeve por edhe në një rritjen e dëmshpërblimit në kohë rekord të klientëve. Krahas përgjegjësisë kontraktuale duke paguar në kohë rekord dëmet, SIGAL UNIQA ka dhënë një kontribut shumë të madh për artin, kulturën dhe sportin në vend. Në 10 vitet e fundit, që përkon edhe me bashkëpunimin me UNIQA-n, SIGAL UNIQA ka kontribuar mbi 2 milionë euro në promovimin dhe zhvillimin e sportit, artit, kulturës dhe aktiviteteve sociale. 

Mbi UNIQA GROUP AUSTRIA
UNIQA GROUP është lider në tregun e sigurimeve të Austrisë dhe të Evropës Qendrore dhe asaj Lindore. Mbi 20 mijë punonjës iu shërbejnë mbi 10 milionë klientëve në 19 shtete, nga të cilat 15 shtete të Evropës Qendrore-Lindore. Gjiganti austriak i sigurimeve, me një histori mbi 200-vjeçare në tregun e sigurimeve, zotëron mbi 33 miliardë Euro asete dhe mbi 7 miliardë euro prime në vit. UNIQA GROUP hyri në tregun shqiptar të sigurimeve në vitin 2007, nëpërmjet bashkëpunimit me kompaninë më të madhe në vend, SIGAL, duke u bërë kështu i pari investitor i huaj që futej në industrinë e sigurimeve në Shqipëri. 
Sigal