10 ushqimet më të mira për të konsumuar në verë

2780
Plus sugjerime me çfarë t’i kombinoni në ditën tuaj.
Stina e “zbulimit” të trupit ka mbërritur dhe dieta bëhet prioritet për shumë nga ne. Në prag të verës kërkesa për të mbajtur dietë, për tu dobësuar 2-3-fishohet. Dietat e dobësimit të shpejtë kanë rezultuar jo të dobishme dhe për këtë është mirë të ndjekim një regjim ushqimi të zgjuar dhe, natyrisht të mos mbetemi të uritur.
Stina e verës ofron një larmi të veçantë të frutave dhe zarzavateve. Jo më kot, ndodh kështu; është pikërisht çfarë i nevojitet njeriut në këtë stinë. Këto bimë janë të pasura me ujë, për të cilin trupi ka nevojë më shumë se kurrë në verë. Gjithashtu, ato na pajisin me disa mburoja mikroskopike që trupit tonë do t’i nevojiten për të përballuar kushtet e vështira të një klime të nxehtë dhe me lagështirë. Përveç kësaj, produktet e stinës na pajisin me ata ushqyes të cilat na duhen për tu përgatitur për stinët e ardhshme, më të varfra në zgjedhje. Kur them “hani zgjuar”, këtë, pikërisht dua ta them; ndiqni natyrën se ajo vetë ju udhëheq!
1. Salca e domates dhe domatja e freskët:
Ky frut është një dhuratë e çmuar! Karotenoidet që ajo përmban (në veçanti, i ashtuquajturi lycopene) kanë një forcë antioksiduese, që na mbron maksimalisht qelizat nga radikalet e lira, të cilat mund të nisin procese kancerogjene, (sidomos meshkujt i mbron nga kanceri i prostatit!). Në verë, lëkura jonë ekspozohet shumë në rrezet e diellit, të cilat dihen tashmë se mund të shkaktojnë kancer të lëkurës. Duke u ushqyer me domate të gatuara me vaj ulliri, rrisim mbrojtjen ndaj rrezeve ultravioletë.
Sugjerime:
• Domatja duhet të gatuhet pak dhe të shoqërohet me pak yndyrë, në mënyrë që të përfitohet maksimumi prej saj!
• Pica me salcë domateje, mocarela dhe ullinj
• Brusketa me domate, hudhra, vaj ulliri dhe majdanoz ose borzilok
• Spageti me fruta deti dhe salcë domatesh
• Fërgesë me domate, speca dhe gjizë
2. Kosi dhe Gjiza:
Në stinën e verës duhet të shfrytëzojmë rrezet e diellit sa të mundemi (sigurisht, pa u djegur!). Arsyeja është se ato na japin mundësinë të prodhojmë vitaminën D, një nga vitaminat më të çmuara në parandalimin e disa sëmundjeve, por kryesisht në mirëmbajtjen e kockave tona. Duke pasur kalcium në dietën tonë, ne do të arrijmë të shfrytëzojmë maksimumin e tij, në sajë të vitaminës D.
Kosi dhe gjiza janë produkte bulmeti të vyera. Përveç kalciumit, kosi na ofron mikroorganizma të dobishme për të mirëmbajtur florën tonë bakteriale, e cila na mbron ndaj mykut, helmimeve ushqimore të ndryshme, etj. Gjiza është e pasur në proteina dhe në calcium, dhe, e kursyer në kripë dhe në yndyrë. Për këtë arsye, ajo është një nga ushqimet më të preferuara të verës.
Sugjerime:
•Kos me fruta të ndryshme. Provoni kos pa yndyrë, me frutat tuaja të preferuara në blender dhe shijojini me akull, si një pije freskuese. Do merrni notën 10!
•Speca të mbushur me gjizë, të pjekur në furrë (jo të skuqur!)
•Gjizë me fruta pylli dhe mjaltë ose recel. Mund ta vendosni mbi biskota pa sheqer (provojeni një herë, pastaj flasim!)
•Sallatë jeshile, gjizë, stafidhe dhe arra
3. Bostani, pjepri:
Simboli i verës është bostani. 92% e tij është ujë, pikërisht ajo që ka nevojë trupi ynë më shumë në këtë stine. 100 gr bostan kanë vetëm 30 kalori! Domethënë, 1 kg bostan ka 300 kalori, aq sa ka 1 kanaçe Coca Cola! Përveç ujit, bostani ka vitaminë C dhe antioksidantë të dobishëm. Pjepri, gjithashtu ka përmbajtje të lartë uji, ka vetëm 34 kalori në 100 gr dhe 60% të nevojave ditore në vitaminë C.
4. Avokado:
Ky frut, i pazakontë për ne shqiptarët, është një super-ushqim. Në 100 gr ka 160 kalori, (jo pak!), por këto kalori vijnë me një paketë ushqimore të mrekullueshme. Përmban acide lyrore Omega, të nevojshme për sistemin tonë imunitar. Përmban vitamina B5, B6, magnez, kalium, – një paketë kjo antistres! Është i pasur në vitaminë E dhe C, duke na dhënë mundësi rigjeneruese për lëkurën tonë. Përmban vitaminë K, e cila është e nevojshme për mpiksjen e gjakut.
Sugjerime:
• Avokado e prerë në kubikë të vegjël, me kos dhe gorgonxola, bëhet një salcë shumë e shijshme për sallatat me zarzavatë jeshile të freskëta.
• Avokado mund të hidhet në të gjitha sallatat e freskëta. Ajo ka një shije neutrale dhe i jep sallatës diversitet.
• Përdoreni në vend të gjalpit, mbi bukën e fëmijëve, ose për mbushjen e një sanduiçi me gjizë apo djathë dhie.
5. Specat e kuq:
Specat e kuq kanë vitaminë C më shumë se çdo ushqim tjetër. Vitamina C është tepër e nevojshme në verë pasi ndihmon rigjenerimin e lëkurës. Ajo është e domosdoshme për formimin e kolagjenit, i cili, gjatë verës, nën rrezet e diellit, është më i ekspozuar të humbasë strukturën e tij dhe të vështirësojë elasticitetin e lëkurës, duke nxjerrë në pah edhe deformime, si celuliti.
Sugjerime:
• Speca të kuq në tenxhere, me pak ujë, pak uthull, pak vaj ulliri dhe hudhra.
• Fije specash të kuq nëpër sallata të freskëta shtojnë vlerën ushqyese të saj dhe i japin larmi ngjyrash.
• Sallatë me fasule dhe speca të kuq ndihmon absorbimin e hekurit që përmbajnë fasulet, nga organizmi ynë.
6. Misrat e freskët, të ziera:
Në stinën e verës janë me bollëk dhe është mirë ta shfrytëzoni sa herë që ju jepet rasti. Është i pasur në vitaminat e kompleksit B dhe në acid folik. Gjithashtu, ka një vlerë të veçantë në dobishmërinë e tij për aparatin tonë tretës. Fibrat bimore që përmban përbëjnë një ushqim shumë të mirëpritur nga mikroorganizmat që jetojnë në zorrën tonë dhe na mbrojnë nga mikrobe patogjene.
Sugjerime:
• Misri i zier mund të konsumohet ashtu siç është, ose në sallata të ndryshme.
• Pureja e misrit, me qumësht pa yndyre dhe pak mjaltë është një krem që mund të pëlqehet shumë nga fëmijët. Kujdes: mos e teproni me misrat e pjekur sepse djegia e lëkurës së tyre gjatë pjekjes, përveç se nuk është e shëndetshme, mund të rendojë në stomak!
7. Rrushi, manaferrat, manat e bardha, qershitë, fiqtë:
10 ushqimet më të mira për tu konsumuar në verë
Këto fruta qëndrojnë në majën e listës së ushqimeve me vlera antioksiduese. Përveç kësaj, te rrushi i kuq dhe te manaferrat, është zbuluar një substancë, e cila quhet “resveratrol” dhe ka efekte të pazëvendësueshme në organizëm. Resveratroli mendohet se luan rol të rëndësishëm në zgjatjen e jetës! Kurse qershitë janë një ushqim shumë i mirë për të luftuar artritin dhe simptomat e tij dhe gjithashtu ndihmon diabetikët të stabilizojnë nivelin e sheqerit në gjak! Po, po, mirë e lexuat: Qershitë janë të dobishme për personat që vuajnë nga diabeti, por, natyrisht me masë. 1 kupë qershi në ditë, e ndarë në dy vakte do të ishte mjaftueshëm. Fiqtë gjithashtu janë në preferencat tona verore, pasi jo vetëm ndihmon mirëqenien e zorrës së trashë, por, gjithashtu përbërës të tij ulin kolesterolin në gjak. Manat e bardhë kanë efekt pozitiv në prodhimin e gjakut dhe na ndihmojmë të mos ndjehemi të plogësht. Gjithashtu, manat me një gotë ujë në mëngjes ndihmojnë shumë procesin e jashtëqitjes.
Sugjerime:
• Shijojini këto fruta të freskëta, sa më shumë në stinën e verës sepse në dimër nuk do ti gjeni më. Studimet tregojnë se frutat janë shumë më të pasura në elementë ushqyes dhe antioksidues kur janë të sapovjela!
• Mund t’i grini dhe ti vendosni në kupa të ndryshme dhe më pas, t’i fusni në ngrirje, për t’i shijuar në vend të një akulloreje. Do të kursenit qindra kalori gjatë verës nga ky zëvendësim.
• Bëni reçel me frutat e mësipërme dhe përdoreni gjatë dimrit kur të keni dëshirë për ëmbëlsirë.
8. Peshku dhe prodhimet e detit:
Peshku është forma më e lehtë e proteinave dhe më e pasur me nutriente shumë të vlefshëm për shëndetin tonë. Ndërkohë që ushqimet proteinike rrisin nxehtësinë që prodhon trupi ynë, do të ishte mirë të preferonim ushqime, të cilat nuk na ngarkojne më tej tretjen dhe nuk na rëndojnë gjatë ditëve të nxehta të verës. Të tillë janë prodhimet e detit dhe peshqit e vegjël, të freskët. Acidet lyrore që vetëm peshku na i ofron, trupi ynë është në gjendje t’i depozitojë dhe ti përvetësojë në qelizat e vetë trurit tonë, duke na bërë më të mbrojtur ndaj depresionit si dhe humbjes së memories.
Sugjerime:
• Preferoni sa më shumë peshkun tavë me domate dhe qepë. Është një pjatë e shkëlqyer!
• Preferoni peshq të vegjël në peshë (200 gram e poshtë)
9. Borziloku:
Një erzë me aromë të mrekullueshme dhe më përdorim shumë të gjerë. Borziloku ka veti antioksidante dhe antibakteriale. Ai përmban hekur dhe calcium, të gjithë përbërësit që nevojitet trupi për tu relaksuar. Së bashku me majdanozin, rozmarinën dhe sherebelin renditen ndër erëzat më të dobishme. Mos i kurseni!
10. Uji:
Ky produkt (jo-ushqimor) është jetik për ne. Duke menduar se më shumë se gjysma e trupit tonë është ujë vetëkuptohet rëndësia e tij për funksionin biologjik të njeriut. Është nga asortimentet më të neglizhuara, ndërkohë që duhet të ndodhtë e kundërta. Në një klimë të nxehtë, e vetmja gjë që na mbron nga dehidratimi (tharja), është pikërisht uji. Njeriut i nevojiten përafërsisht 30 ml për çdo kilogram të trupit të tij. Nevojat në ujë rriten kur kryejmë aktivitet fizik, kur jemi shtatëzanë, kur jetojmë në klimë të nxehtë dhe kur pijmë alkool!
Sugjerime:
• Përdorni ujin si pijen tuaj kryesore freskuese! Zëvendësoni pijet e gatshme me ujë, qoftë ky me gaz. Mund të shtrydhni pak limon për variacion.
• Pini çaj me bustinë, të ftohur me akull dhe të kombinuar me pak limon
• Evitojeni ujin shumë të ftohtë sepse rëndon aparatin tretës dhe kontrakton enët e gjakut.
Sigal