10 rilindësit nga Labova e Madhe – fshati me 100 shtëpi

Fedhon Meksi

Rilindja Kombëtare Shqiptare nuk është vepër e një njeriu të vetëm, por është rezultat i përpjekjeve të një vargu të tërë atdhetarësh dhe mendimtarësh. Në librin “Mosmarrëveshja” shkrimtari i madh Ismail Kadare i ka trajtuar rilindësit tanë si vetëm ai di: “Ashtu si flamuri, ashtu si himni, e pa dyshim Kastrioti, rilindësit quheshin të paprekshëm në Shqipëri. Këta misionarë, që herë-herë mund të merreshin si apostuj, por pa Krisht, ishin gjendur në krye të popullit shqiptar në një orë të veçantë për të, atë të ndarjes së robërisë nga liria”. Veçse, edhe për vlerësimin e rilindësve tanë kemi debatuar shpesh në të kaluarën dhe s’kemi dashur t’i kuptojmë ata siç duhet. Por koha në shekullin që jetojmë nuk na i fal vonesat, veçanërisht kur është fjala për të plotësuar të ashtuquajturat “zbrazëtira” të trashëguara gjatë veprimtarisë së Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Në të vërtetë “zbrazëtira” të tilla nuk kanë ekzistuar mbasi ishin Rilindësit labovitë që i dhanë formë dhe i mbushën ato me material të mirë e të shëndetshëm.

Duke filluar nga vitet e Ali pashë Tepelenës dhe deri në 28 nëntor 1912 Lëvizja Kombëtare Shqiptare nuk ka reshtur veprimtarinë, madje për ta ruajtur atë është përcjellë me këmbëngulje nga një gjeneratë në tjetrën. Në vitet e sundimit të Ali pashë Tepelenës u krijua një klimë e favorshme kulturore, që mund të vlerësohet përmes veprave të shumta që u botuan në atë periudhë të shkurtër kohe. Studiuesi Xh. Lloshi shkruan: “Janina e Ali pashë Tepelenës ishte një kopsht pjellor i gramatikave të shqipes”. Laboviti Vangjel Meksi (1775-1823), mjeku i Ali pashë Tepelenës, jetoi, punoi, por edhe u ushqye në këtë kopësht. Në harkun kohor nga viti 1814 deri në vitin 1821 janë botuar të përkthyera prej tij nga gjuha frënge dy tekste për shkolla (Fleri), gramatika e parë e gjuhës shqipe e shkruar vetëm nga një studiues shqiptar dhe është dorëzuar për t’u shtypur Dhiata e re e shqipëruar me 835 faqe, me alfabet origjinal dhe me drejtshkrimin përkatës. Nëpërmjet shqipërimeve të dr. Vangjel Meksit shqiptarët e krishterë filluan t’i luteshin dhe ta dëgjojnë Zotin e tyre në shqip, ndërsa fëmijët në shkolla t’i lexojnë librat në gjuhën amtare.

Në fillim të shek. XIX këto përpjekje për të shqiptarizuar jo vetëm shkollën por edhe kishën, mund t’i bënte vetëm një njeri që ishte përpirë nga miti i kombit, mit që i jepte përmasa gjigante mençurisë dhe përpjekjeve të dr. Vangjel Meksit për të qenë i dobishëm për bashkëkombësit e tij. Pas dr. Vangjel Meksit lartësohet figura e Vangjel Zhapës (1800-1865), një personalitet kompleks, me një vizion të jashtëzakonshëm për kohën, i njëkohësishëm në Shqipëri, Greqi dhe Rumani, punëtor, i mençur, trim, bujar e krenar. Në testamentin e tij ai e quan Labovën e Madhe, “vendi i shenjtë i takimit me Zotin”, duke shprehur kështu një ndjenjë dashurie dhe krenarie të madhërishme për mëmëdheun e tij. Në parathënien e librit Trentori (Rumani-1847), ndërkohë që rumunët dhe grekët grindeshin lidhur me origjinën e V. Zhapës, ai me krenari ka shkruar: “Ne jemi shqiptarë dhe atdheu ynë është një vend që i ka fituar me luftë disa privilegje nga Porta e Lartë”. Zhapa duket ka ndërmend luftërat fitimtare të labovitëve dhe banorëve të tjerë të Rrëzës në vitin 1492 kundër Bajazitit II. Dihet se Rilindja Kombëtare dhe ideologjia e saj, fillimet i ka njohur në jetën dhe veprën e mendimtarit nga Vithkuqi Naum Bredhi-Veqilharxhi, por ajo vazhdoi më tej pa ndërprerje edhe falë patriotizmit, mençurisë, këmbënguljes dhe pasurisë së V. Zhapës. Nuk është fjala këtu vetëm për donacionin prej 20 000 flori që i dha Naumit për botimin e abetareve të para në gjuhën shqipe të cilat i kishte përfunduar para 20 vjetësh. Për milionerin shqiptar ky akt ishte vetëm një thërrime. Në të vërtetë Vangjel Zhapa bëri të mundur, për herë të parë gjatë pushtimit shumë shekullor osman, nëpërmjet fermanëve të Sulltanit që i siguronte me mënyrat që vetëm ai i dinte, të hynin në Shqipëri Abetaret e Naumit, madje edhe të ngriheshin në Shqipërinë Juglindore shkollat e para shqipe, ndonjëra prej të cilave si shkolla e Trebickës, sipas rilindësit Spiro Dine, përdorte abetaret e Naumit edhe pas 10 vjetëve nga hyrja e tyre në Shqipëri (1844). Armiqtë e Shqipërisë bashkë me Naumin donin të vrisnin e të varrosnin edhe idetë e projektin e tij për shkollimin në gjuhën shqipe, që do të ishte racional dhe masiv për të gjithë fëmijët shqiptarë.

Veçse në Rumani jetonte dhe punonte një labovit që kishte vendosur të ndihmonte për zgjidhjen e të gjitha problemeve që lidheshin me arsimimin në gjuhën shqipe. Pra me dhurimet e Vangjel Zhapës panë dritën e diellit abetaret e Naumit, kurse me fermanët që mbanin vulën e Sulltanit abetaret e tij hynë në Shqipëri, ku po përfundonin edhe përgatitjet për hapjen e shkollave. Veçse autori i librave, Naumi i Madh, nuk jetonte më. Jeta e tij u ndërpre pa pritur, kurse ai Vangjel Zhapa nga Labova, ishte vetëm një atdhetar pasanik shqiptar, ish oficer në ushtrinë e Ali Pashës dhe i diplomuar për shkencat agronomike në Paris. Por të gjitha këto nuk mjaftonin për të krijuar ashtu si Naumi një alfabet të veçantë të gjuhës shqipe, për të shkruar ashtu si Naumi një abetare tjetër të gjuhës shqipe, por edhe për të përgatitur një projekt të plotë për arsimimin në shqip. Për të mundësuar realizimin e këtij programi të gjerë, por edhe për të drejtuar botimin e gazetës së parë patriotike në gjuhën shqipe që do të quhej “Pellazgu”( 1860 ), V. Zhapa kërkoi, gjeti dhe thirri për të bashkëpunuar me të njeriun e duhur. Ai ishte miku i tij familjar Anastas Byku nga Lekli i Rrëzës, që kishte kryer me sukses Gjimnazin Zosimea dhe prej 12 vjetësh shërbente si mësues në qytete të ndryshme të Greqisë. Në të vërtetë veprimtaria e Anastas Bykut ( 1828-1878 ), është mjaft e ngjashme me atë të Naum Bregu-Veqilharxhit, madje është gati gati si vazhdim i punëve të tij që ia ndërprenë në kulmin e veprimtarisë. A. Byku do të botonte në vitin 1861 abetaren e tretë në gjuhën shqipe me titull Gramë për shqiptarët. Tashmë dihet se të tre këto abetare, u botuan falë dhurimeve të V. Zhapës. Veçse abetarja Gramë për shqiptarët ndryshon nga abetaret e N. Veqilharxhit, mbasi ajo u porosit nga vetë V. Zhapa me kërkesën dhe këmbënguljen e labovitëve dhe të fëmijëve të tyre, për t’u përdorur në shkollën e Labovës me dy klasa gjimnaz. Në faqet e këtij libri del qartë se V. Zhapa ishte zotuar për të ruajtur vijueshmërinë në rrugëtimin e vështirë që do të ndërmerrte Lëvizja Kombëtare Shqiptare. Ai do të bënte të gjitha përpjekjet për të ringjallur Naumin e Madh në vizionin, idetë dhe veprimtarinë e intelektualit atdhetar A. Byku, veçanërisht për sa i përket lëvrimit të gjuhës shqipe, argumentimit të lashtësisë së historisë së kombit shqiptar dhe njësimit të tij. Pas binomeve që paraqitëm më sipër të përbërë nga shqiptarët Ali pashë Tepelena dhe V. Meksi, Naum Veqilharxhi dhe V. Zhapa, V. Zhapa dhe A. Byku, laboviti tjetër Apostol Meksi bashkëpunoi me studiuesin gjerman J. Hahn për të argumentuar shkencërisht lashtësinë e shqiptarëve në trojet e tyre. Në të vërtetë modeli për argumentimin e autoktonisë së shqiptarëve buron drejtpërdrejt nga studimi i zakoneve të Rrëzës, që sipas Hahn-it ishin “fshatrat në krahun e djathtë të lumit Drino para bashkimit të tij me Vjosën”, të cilat u përzgjodhën nga Hahn-i ngaqë i përkisnin një zone të pastër nga pikëpamja etnografike, pa influenca turke, greke, sllave etj. Me këtë rast duhet të vlerësohet roli i jashtëzakonshëm i studentit nga Labova, mjekut të ardhshëm Apostol Meksi, i cili, pasi i mësoi së bashku me Kristoforidhin gjuhën shqipe Hahn-it gjatë kohës kur ishte student në Janinë, e njohu atë me karakteristikat e vendlindjes së tij dhe për më tepër, kreu një studim të plotë për zakonet dhe doket në krahinën e Rrëzës. Ishte miku i madh i shqiptarëve Johann von Hahn, që bazuar në materialet e mbledhura, të studiuara dhe të paraqitura nga Apostol Meksi, përhapi në gjithë Evropën në vitin 1854 nëpërmjet librit Studime Shqiptare, përfundimet e tij shkencore me anë të të cilave vërtetohej plotësisht se shqiptarët ishin autoktonë në trojet e tyre ashtu si helenët dhe romakët. Pas dr. Apostol Meksit, ndër personalitetet labovitë që u angazhuan me kohë të plotë në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, spikasin mësues, gazetarë, mjekë, gjuhëtarë, politikanë, juristë e luftëtarë të cilët janë mjeshtër të penës, të pushkës dhe të fjalës: dr. Dhimitër Meksi, toger Petro Meksi, gazetari Jorgji Meksi, arsimtarët Nane Panajoti dhe Vasil Konomi, juristi Polo dhe politikani Kristo Meksi. Por bashkë me 10 lisat nga Labova, janë dalluar edhe vetë labovitët ose pylli me lisa, një bashkësi kompakte, autoktone shqiptare, krenarë për shqiptarizmin e tyre të zjarrtë, që lindnin së bashku me dashurinë për atdheun dhe gjuhën e tyre amtare dhe me vokacionin për lëvrimin e saj. Përpjekjet e labovitëve për tu arsimuar në gjuhën amtare filluan veçanërisht pas formimit të shtetit grek dhe dallgëve elenizuese që vërshuan mbi Shqipërinë e Jugut, në rrethanat kur shqiptarët ishin të ndarë dhe gjuha shqipe nuk mësohej në shkolla. Për atdhetarët labovitë gjuha shqipe nuk u trajtua vetëm si çështje kulture, por edhe në rrafshin politik. Ata duket dallonin gjuhën shqipe të lëvruar si elementin më të veçantë, më të qenësishëm dhe më funksional të shqiptarëve për të afirmuar identitetin e tyre kombëtar. Nxitja e labovitëve për hapjen e shkollave ku mësohej gjuha shqipe dhe përkujdesja për to, ishte dëshmi e patriotizmit të tyre të zjarrtë. Ja disa fakte që janë unike:

Në mesin e shek. XIX në bazë të projekteve të dërguara nga Bukureshti dhe Athina, muratorët më të mirë të vilajetit të Janinës ndërtuan shtëpitë e Zhapës si edhe shkollën e re të Labovës me dy klasë gjimnaz. Sipas Vangjel Th. Meksit (1903-1983): ”Labovitët pasi dështuan në bisedimet me të dërguarit e V. Zhapës, të cilëve iu kërkuan që të mësohej edhe shqipja në shkollën e re, udhëzuan fëmijët e tyre të mos hynin në klasa, ose të mos përgjigjeshin në se mësuesit i pyesnin në gjuhë të huaj, duke penguar në këtë mënyrë zhvillimin normal të mësimeve”. Vangjel Zhapa e kuptoi se pas fëmijëve ishin prindërit e tyre dhe vendosi menjëherë për futjen e mësimit të gjuhës shqipe, fillimisht në shkollën e Labovës dhe më pas në të gjitha shkollat e tij në Shqipëri, si dhe në të gjitha shkollat fillore greke në Shqipëri. Si abetare u përdor abetaria me alfabet të veçantë Gramë për shqiptarët, shkruar nga A. Byku. I lumturuar, V. Zhapa e shpalli këtë eveniment në gazetën Pellazgu të datës 1 mars 1861.

Pas 50 vjetësh, labovitët po përgatiteshin për hapjen e një shkolle vetëm në gjuhën shqipe. Vendimi për hapjen e shkollës shqipe është marrë gjatë një mbledhje të posaçme që u zhvillua në Labovë më 1 shtator 1908. Në këtë mbledhje që u kryesua nga N. Panajot Meksi dhe V. Konomi, ndodheshin edhe Illi dhe Vangjel Noçka, Nane Qëndro, Petro Xhavara dhe të rinjtë Kiço Ciko dhe Gaqe Mali. Në këtë mbledhje u vendos që shkolla do të çelej pavarësisht nga përndjekjet që mund të pësonin veprimtarët labovitë. Këtë radhë abetaret e dhuruara nga Shoqëria patriotike e Stambollit, i pruri në Labovë patrioti Pano Xhori. Organizatorët për hapjen e shkollës, pasi gjetën mbështetje të plotë në shumicën e bashkëfshatarëve të tyre (96% sipas referendumit që u zhvillua në oborrin e shkollës ), shpallën më 4 prill 1910 fillimin e mësimeve.

Në verën e vitit 1921 u hap në labovë Kursi i Përsosmërisë, që zgjati 3 muaj dhe kishte për qëllim formimin profesional të afro 150 mësuesve që shërbenin në krahinat e jugut të vendit dhe unifikimin e procesit të mësimdhënies. Qeveria shqiptare e kohës, me këtë zgjedhje ka shprehur mirënjohje ndaj përpjekjeve të labovitëve ndër shekuj për lëvrimin e gjuhë shqipe dhe mësimin e saj në shkolla. Për sa zgjati kursi, ishin labovitët që kujdeseshin për mësuesit kursantë.

Vitet dhe shekujt kalonin por labovitët ngelën po ata. Prof. Foto Toti ka shkruar në librin Labova, arsimi dhe arsimtarët: “Lufta Nacional – Çlirimtare mbaroi me gjak e sakrifica të mëdha. 13 dëshmorë mbetën yje të pashuar në qiellin shqiptar. Mbi dy Labovat u derdh dy herë zjarr dhe nga 120 shtëpi mbetën pa u djegur vetëm 15. Specialistët e ndërtimit më të mirë labovitë si Pilo Duka, Lipe Duka, Leko Lani dhe Koço Piperi si edhe shumë të rinj, vullnetarisht iu futën punës për rimëkëmbjen e fshatit. Të parat që dogji lufta qenë shkollat, por edhe të parat që u rindërtuan pas lufte qenë shkollat. Kështu, në dhjetor të vitit 1944 në të dyja Labovat u hapën shkollat me 36 nxënës dhe viti shkollor u mbyll me sukses.”

Mësonjëtorja e Labovës u shpall monument kulture në vitin 2010 pas përpjekjeve të labovitëve në Tiranë, ndër ta edhe i paharruar, Thoma Sokrat Meksi.

Por nuk mjafton me kaq. Mësonjëtorja e Labovës duhet të qëndrojë në këmbë, si shkollë dhe si muzeum njëherësh, si një dëshmi historike e gjallë për të evokuar përpjekjet e atyre që e ngritën dhe e mbrojtën në ato kohë të vështira. Ajo duhet të gdhendet në kujtesën historike të kombit tonë si përmendore e ndritur e vullnetit të tij të palëkundur për të ruajtur dinjitetin dhe identitetin kombëtar, gjuhën dhe kulturën shqiptare. Por kjo nuk është e vetmja shkollë e Labovës. Pak kohë më parë studiuesi Niko Stylos ka gjetur dy kodikë mjekësor të Labovës të viteve 1652 dhe 1812 me receta mjekësore të Hypokratit, Galeni dhe mjekëve popullorë vendas, që përdoreshin nga mjekët popullorë mësues dhe nxënësit e tyre që do të quheshin mjekë popullorë të mësuar ( xherahë – nxjerrë ahun, sëmundjen). Pra në Labovë ekzistonte një shkollë mjekësore që përgatiste mjekë popullorë të mësuar, që më pas shërbenin në Shqipërinë e Jugut dhe kudo në Ballkan. Duke bërë një paralelizëm në mes historisë së popullit shqiptar gjatë shek. XIX dhe veprimtarisë atdhetare të labovitëve, del e qartë që, sa herë Shqipëria ka qenë në udhëkryq, ose i është dashur të kryej sforcime të mbinatyrshme për të dalë nga situata të vështira që rrezikonin lirinë, identitetin ose progresin e vendit, njerëz të shquar nga fshati Labovë e Madhe kanë dhënë kontributin e tyre të vyer jo vetëm me penë por edhe me pushkë.