Zyrtare/ Prokuroria e Katanias: Grupi i Habilajve trafikoi 20 milionë euro drogë e armë

517
Prokuroria e Catanias ka zbuluar detaje të tjera për grupin e trafikut të drogës dhe armëve që drejtohej nga shqiptarët Habilaj. Ndër të tjera në njoftimin e sotëm, prokuroria italiane thotë se grupi kishte në kontroll trafikun e drogës nga Shqipëria në Itali dhe se kishte një aktivitet kriminal me xhiro 20 mln euro.
Sot, policia e Vlorës ka sekuestruar biznese e apartamente të vëllezërve Moisi dhe Florjan Habilaj, të cilat dyshohet se janë krijuar me veprimtari kriminale.
HETIMET
Për hetimin e kësaj prokurorie, në kuadër të operacionit të njohur si “Rosa dei Venti” që solli në ekzekutimin e një mase arresti të Gjykatës së Catanias për 11 persona, pjesë e një organizate kriminale italo-shqiptare të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe të armëve, efektivët e Guardia di Finanza në Komandën Rajonale të Catanias kanë mbërritur para pak ditësh me mision në Tiranë, Shqipëri.
Oficerët e Njësisë së Policisë Gjyqësore të Catanias, me ndihmën e kolegëve të Shërbimit Ndërkombëtar të Policisë në Departamentin e Sigurisë Publike-Interpol, Komandës së Përgjithshme të Guardia di Finanza dhe Drejtorinë Qendrore të Shërbimeve Antidrogë kanë dorëzuar aktet e referuara, procedimin penal Prokurorisë së Përgjithshme shqiptare dhe kanë marrë pjesë në arrestimin e një prej 4 shqiptarëve që nuk u kap në territorin italian por që ishte në kërkim me një urdhër arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Gjykata e Catanias me kërkesë të Prokurorisë.
Bëhet fjalë për Nezar Seitin, (lindur në Shqipëri në 30/03/1977) në rolin e tij si përgjegjës transporti dhe përgjegjës për shkarkimet në Itali të lëndës narkotike, në organizatën e përfaqësuar nga Moisi Habilaj, (dlt.1978) koka e këtij trafiku, e nga bashkëpunëtorët e tij, Maridian Sulaj e Fatmir Minaj, (dlt.1962), tashmë të arrestuar në 14 tetor në Ragusa.
Në lidhje me Nezar Seitin dhe arrestimet e tjera të shtetasve shqiptarë, nga hetimet e bëra nga policia e Tiranës është zbuluar në ngarkim të grupit kriminal ndërkombëtar, një tjetër ngarkesë marijuane që do të trafikohej nga Shqipëria në Itali me rreth 4 ton, e sekuestruar në vend falë edhe shkëmbimit të informacionit të realizuar mes autoriteteve gjyqësore të dy vendeve, raporton BalkanWeb.
Kujtojmë se organizata italo-shqiptare në vitet e fundit kishte arritur të transportonte në Itali nga brigjet shqiptare më shumë se 3 ton e gjysmë marijuanë e cila në disa raste është sekuestruar pas hetimeve të gjata dhe komplekse.
Banda, e cila dispononte edhe armë dhe municione, pasi i janë sekuestruar automatikë tip kallashnikov dhe qindra municione, kishte marrë kontrollin e importit nga Shqipëria të sasive të mëdha të drogës, të llojit marijuanë që më pas përdorej për të mbushur sheshet në Catania dhe në provincat e Ragusës e Siracusës, duke realizuar një xhiro prej më shumë se 20 milionë eurosh.
Bashkëpunimi ndërkombëtar mes autoriteteve gjyqësore, i favorizuar nga operacionet e stafit të Interpol, të DCSA dhe të Komandës së Përgjithshme të Guardia di Finanza, ka bërë të mundur kështu të mbyllen me sukses ekzekutimet e masave të arrestit të dhëna nga Gjykata e Catanias.
Sigal