Zjarri vdekjeprurës në Pukë, i moshuari tregon tmerrin: Thirra djalin nuk u përgjigj, fëmijët…

385
Sigal

Pas tragjedisë që i ra në familje, ku djali dhe nusja humbën jetën mes zjarrit, i moshuari Pal Ndue Gjoni ka rrëfyer për mediat si i pllakosi gjëma në orën 2 të natës në shtëpi, teksa ishin duke fjetur.

“Dëgjova tullat që kërcisnin dhe më doli gjumi. Jam zgjuar shpejt, kisha hallin e fëmijëve. Thirra djalin që të merrte gruan time, që e kam të paralizuar. Kur e thirra djalin, nuk mu përgjigj. U gëzova kur pashë fëmijët që kishin dalë në oborr. Ajo që më ndodhi mua, mos t’i ndodhtë njeriu!” tha ai.

Dy të moshuarit janë strehuar tek të afërmit në një banesë pranë. 4 fëmijët pasi u mjekuan në spitalin e Pukës, u strehuan tek të afërmit e mamasë së tyre.

Shtëpia e Petrit Ndojt në fshatin Breg të Pukës mori zjarr në orën 2 të natës në rrethana ende të papërcaktuara.

Të tetë anëtarët e familjes flinin në katin e dytë të banesës. Petrit Ndoj 40 vjeç me gruan e tij Dava Ndoj 35 vjeçe nuk kanë mundur të dalin dhe kanë vdekur brenda në dhomën e tyre nga zjarri, pasi kishin tentuar të dilnin.

Kurse, katër fëmijët e tyre, më i madhi 12 vjeç, u hodhën nga ballkoni dhe shpëtuan bashkë me gjyshin dhe gjyshen e paralizuar, që e tërhoqën jashtë me duart e tyre.

Banorët e zonës dhe zjarrfikësit janë përpjekur ta shpëtojnë çiftin duke ndërhyrë dhe nga çatia, por nuk kanë mundur për shkak të përhapjes me shpejtësi të zjarrit. Trupat e tyre janë djegur dhe janë gjetur pas shuarjes së zjarrit.

Gjendja e banesës pas zjarrit: