“Zjarret”, policia mesazh të qartë: Mos guxoni, s’ka tolerim!

479
Sigal

Zjarret e rëna në disa qarqe të vendit, kanë detyruar Policinë e Shtetit, që të marrë masa të shtuara për të mbrojtur pyjet dhe kullotat.

Përmes një njoftimi  të shpërndarë për mediat, policia njofton se gjatë periudhës  nga janari deri në 20 Shtator janë proceduar në shkallë vendi 82 persona, prej të cilëve 11 autorë janë arrestuar, 7 autorë janë ndaluar, 25 autorë në gjendje të lirë dhe 39 autorë shpallur në kërkim.

Gjithashtu , në masat e policisë përcaktohet se nuk do të këtë asnjë tolerim për asnjë person, i cili kapet duke djegur hapësira qofshin pyje apo kullota.

Krahas  veprimit ligjor me procedime, ndalime dhe arrestime të autorëve të dyshuar, drejtuesit e policive vendore do të zhvillojnë takime sensibilizuese me banorët.

Kjo nismë synon t’i bëjë më të kujdesshëm banorët e zonave, saktësisht në qarqet ku ka pyje e kullota të rrezikuara nga flakët.

“Policia e Shtetit, Plan Masash shtesë për parandalimin e zjarreve në pyje-kullota, evidentimin e autorëve kapjen dhe vënien para përgjegjësisë së tyre.Nisur nga rastet e shtuara dy javët e fundit  të zjarrvënies me qëllim apo nga pakujdesia, Policia e Shtetit prej datës 21 Shtator, në vijim të zbatimit të Planit të masave të hartuar në Janar për parandalimin e zjarreve në Pyje Kullota, evidentimin dhe vënin para përgjegjësisë të autorëve, ka hartuar një tjetër Plan masash shtesë , në zbatim edhe të porosive të lëna nga Ministri i Brendshëm për këtë qëllim  gjatë takimit të zhvilluar me strukturat drejtuese të Policisë së Shtetit në qendër e në bazë javën e kaluar.

Të gjithë Specialistët e Zonave kanë marrë detyrë dhe janë shpërndarë në të gjitha zonat që ata mbulojnë, ku kanë rimarrë  dhe po vijojnë kontaktet me të gjithë barinjtë që kanë kullota në shfrytëzim, apo me banorët të cilët nga pakujdesia shkaktojnë zjarr ku shpesh këto zjarre kanë dalë jashtë kontrollit duke shkatuar pasoja në pronën private.

Po koordinohen veprimet me shtabin e emergjencave në Prefekturë,  përfaqësuesit e njësive administrative dhe  drejtoritë/inspektoriatet rajonale të Mjedisit/pyjeve për të bërë të mundur parandalimin e  zjarreve si dhe për të evidentuar dhe vënë para përgjegjësisë ligjore autorët e zjarrvënieve të qëllimshme apo nga pakujdesia.

Zëvendës/Drejtorët e Policive Vendore po zhvillojnë takime me banorë të zonave buqësore dhe blektorale , me qëllim ndërgjegjësimin e tyre për të parandaluar zjarrvënien e qëllimshme për të hapur kullota apo edhe zjarrvënien nga pakujdesia.

Gjithashtu janë angazhuar për parandalimin e zjarrvënies, si dhe për evidentimin e autorëve edhe agjentët e Policisë Kriminale.Si rezultat i zbatimit të masave shtesë, javën e fundit janë evidentuar dhe proceduar penalisht  24 autorë të zjarrvënies së qëllimshme apo nga pakujdesia, në Tiranë, Durrës, Fier, Vlorë , Berat , Elbasan , Lezhë,  Shkodër e Korçë.

Janë arrestuar në flagrancë 3 autorë, janë ndalur dy si dhe janë shpallur në kërkim dy të tjerë. Theksojmë faktin se  nga Strukturat e Policisë së Shtetit, për periudhën Janar -20 Shtator janë proceduar në shkallë vendi 82 autorë, prej të cilëve 11 autorë janë arrestur, 7 autorë janë ndaluar, 25 autorë në gjendje të lirë dhe 39 autorë shpallur në kërkim.

Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e banorëve për të parandaluar zjarrvënien dhe fton ata të denoncojnë në kohë  në numrin 112 çdo rast sado të vogël të shkaktimit të zjarrit në toka buqësore, kullota apo pyje”, thuhet në njoftimin e policisë.