Zbulohet monstra e Laprakës, pedofili vriste fëmijët, policia në 4 muaj asnjë dyshim për kriminelin

746
Sigal

Kapet pedofili që vrau 11-vjeçarin. Po terrorizonte fqinjin tjetër 10 – vjeçar

Zoti Burgaj, jep dorëheqjen! Koha jote mbaroi. Tirana nuk mund të laget me shiun e lotëve, derisa policisë tënde t’i dalë narkoza e lokaleve, ku këndohet me çifteli. Çfarë bëre ti në këta 4 muaj për të zbuluar monstrën e Laprakës, të cilin, sipas rrëfimit të vëllait të vet, familja e tij e kishte nxjerrë nga shtëpia. Ndërkohë që, në Greqi ishte akuzuar si pedofil i rrezikshëm. Dhe në vitin 2008 ishte dënuar nga gjykata jonë me 90 mijë lekë për pengmarrje? Çfarë të dhënash nevojiteshin më tepër, për të hetuar mbi këtë person, edhe si fqinj i këtyre fëmijëve? Ndërkohë që, fëmijët në këtë qytet theren si delet. Një grumbull monstrash po sulmojnë jetën njerëzore në pjesën më të shenjtë të saj. Ata po sulmojnë fëmijët. Ndërsa shoqëria jonë po traumatizohet dita -ditës dhe policia mbledh gëzhojat e vrasjeve ose thikat e fajtorëve. Sapo dëgjojnë njoftime të tilla, të gjithë njerëzit normalë të kësaj bote, traumatizohen dhe kërkojnë hakmarrjen e shtetit, në mënyrën më agresive. Por shteti duket se, është në gjumë dhe institucionet e pavarura të policisë, prokurorisë dhe gjykatave, ndodhen nën presion të vazhdueshëm, nga krimi dhe nga aferat korruptive. Ndërsa paketa juridike për ndëshkimin e monstrave po vonohet. Ndofta, deri në 10-vjeçarin e ardhshëm pushtetarët dhe parlamentarët mund të bien dakord për ndëshkimin kriminelëve. Njëri prej tyre, Ardian Prrenjasi pranoi në polici: “Kam vrarë 11-vjeçarin Julian Çela”. Dëshmia rrëqethëse konfirmohet edhe nga burime të Policisë së Tiranës, duke zgjidhur kështu në mënyrën më tragjike, misterin e zhdukjes së djalit të nëndrejtorit të Antiterrorit, në SHISH, Skënder Çela, i cili rezulton i zhdukur prej 30 nëntorit të vitit 2012. 45-vjeçari i arrestuar gjatë mesditës së djeshme si autor i rrëmbimit të 10-vjeçarit me iniciale A.Cani, ka dhënë dëshminë rrëqethëse për të miturin Julian Çela, në Komisariatin nr. 3 të Tiranës. Kështu Ardian Prrenjasi, pasi ka pranuar krimin, fillimisht nuk ka dhënë detaje për vendin, ku mund të ketë fshehur kufomën e të miturit si dhe as rrethanat e vrasjes. Ardian Përrenjasi, baba i 3 fëmijëve, i divorcuar, i dyshuar si vrasës serial i fëmijëve, është kapur dje, në flagrancë, pasi pasditen e pardjeshme kishte rrëmbyer një tjetër fëmije, 10-vjeçar, të cilin po bëhej gati ta vriste dje, në shtëpinë ku jetonte me qira, në Laprakë. Ardian Prrenjasi rezulton si person me precedentë penal, pasi është akuzuar se ka abuzuar seksualisht, me të mitur, si në shtetin grek ashtu edhe në vendlindjen e tij, në Librazhd. Jualin Çela, djali i nëndrejtorit të Antiterrorit në SHISH, Skënder Çela, rezultonte i zhdukur prej 30 nëntorit 2012. Djali i nëndrejtorit të Antiterrorit në SHISH, ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, ndërkohë që, një nga pistat e hetimit ishte mundësia për punën e babait të tij.

 Ngjarja

Jualin Çela, djali i nëndrejtorit të Antiterrorit në SHISH, rezultonte i zhdukur prej 30 nëntorit 2012. Djali i nëndrejtorit të Antiterrorit në SHISH ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar. Për herë të fundit, 11-vjeçari, Julian Çela është parë në një qendër interneti, në rrugën “Pandi Dardha”. Pronarja e qendrës së internetit ka treguar se, dikush e kishte kërkuar Julianin, të dilte nga interneti, e që nga ajo ditë askush nuk e ka parë më. Që atë ditë askush nuk mori vesh asgjë për 11-vjeçarin, të cilit i ndërprenë në mes ëndrrat e pafajësisë fëmijërore.

Vrasësi: E vrava që ditën  e parë

 “E kam vrarë Julian Çelën që ditën që e rrëmbeva më 30 Nëntor, pasi sapo e futa në shtëpi, filloi duke bërtitur. Nuk e njihja më parë, por e futa në shtëpi pasi i thashë të më blinte një paketë cigare. Trupin e kam mbështjellë me një batanije dhe e kam hedhur në koshin e plehrave, pranë shtëpisë në një kohë, kur erdhi makina e grumbullimit. Kam qëndruar në këmbë në cep të rrugës dhe kam parë kur makina mori koshin ku kisha hedhur kufomën dhe e hodhi në karrocerinë e saj. Më pas kam hyrë i qetë në shtëpi”,- kjo ka qenë dëshmia e Ardian Prrenjasit për grupin e hetimit.

 Burgaj: Ja çfarë ndodhi

Mbrëmë në darkë, kreu i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj nga Komisariati Numër 3, u shpreh se, reagimi i shpejtë i policisë, shpëtoi nga kthetrat e monstrës Ardian Prrenjasi, një tjetër fëmijë. Burgaj shtoi se detaje të reja do bëhen në orët në vijim për fatin e kufomës së Jualin Çelës, viktimë e vrasësit serial të fëmijëve.

“Mund të them se është një reagim shumë i shpejtë i policisë, lidhur me parandalimin e një ngjarjeje tjetër të rëndë, nga një monstër. Të dhëna të tjera do i merrni me detaje më vonë. Ardian Prrenjasi është edhe vrasësi i Julian Çelës”. Kjo ishte deklarata e djeshme e kreut të Policisë së Tiranës, e cila ka afro 4 muaj që po heton mbi shkaqet e zhdukjes së 11-vjeçarit. Ndërkohë, pas njoftimeve për këtë lajm të kobshëm, në familjen Çela janë hapur dyer e mortit ku familjarë dhe miq kanë shkuar për t’iu gjetur pranë prindërve të vogëlushit Jualin Çela. Në këtë familje ka qenë i pranishëm me anë të një vizite edhe Hysni Burgaj, kreu i Policisë së Shtetit. Ai shkoi për  ngushëllimet e rastit dhe premtoi se mbi kriminelët dhe monstrat do të bjerë ndëshkimi më i rëndë. Por ndërkaq, në zonën e Sharrës, policia po vijon kërkimet intensive për gjetjen e kufomës së 11-vjeçarit. Kjo pasi monstra Ardian Prrenjasi ka dhënë detaje për vendosjen e trupit të pajetë. Ndërkohë, forca të shumta policie kanë mbledhur prova të tjera në banesën e 45-vjeçarit, për krime të tjera të mundshme të këtij personi.

 Arrestimi

Në orën 19:30, strukturat e Policisë së Tiranës kanë ndaluar shtetasin Ardian Përrenjasi, i cili kishte fshehur në banesën e tij një të mitur 10-vjeçar, të larguar një ditë më parë nga shtëpia, si dhe për vrasjen e të miturit 11 vjeçar, Julian Çela, i zhdukur prej 30 nëntorit të vitit 2012. Në një deklaratë për shtyp, pasditen e së dielës, Drejtori i Policisë së Tiranës, Bernard Çaushaj, u shpreh se, “në bashkëpunim me sektorin e Statistikës dhe Informacionit Kriminal në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë, u arrit të siguroheshin informacionet e para për shtetasin me tendenca kriminale të abuzimit me të miturit. Nga këto informacione rezultoi se shtetasi Ardian Përrenjasi, 45 vjeç, lindur në Përrenjas dhe banues në Laprakë, kishte të dhëna dhe më parë për abuzime seksuale me të mitur. Në vlerësim të këtij informacioni, në banesën e tij u gjet i fshehur fëmija 10- vjeçar dhe shtetasi Ardian Përrenjasi. Në cilësinë e provës materiale iu gjetën një litar dhe një thikë që janë përdorur për t’i bërë presion të miturit”. Drejtori i Policisë së Tiranës informoi gjithashtu se, “falë një pune intensive dhe të mirëorganizuar, në një kohë rekord, policia grumbulloi provat e mjaftueshme dhe të pakontestueshme se shtetasi Ardian Përrenjasi është autor i dyshuar i vrasjes dhe fshehjes së trupit të të miturit Julian Çela, 11 vjeç, i cili rezulton i zhdukur prej 30 nëntorit 2012”. Çaushaj bëri të ditur se, policia do të vazhdojë punën për zbardhjen e plotë të veprimtarisë kriminale të këtij shtetasi dhe gjetjen e trupit të të miturit 11- vjeçar, Julian Çela.

Zbulimi i kriminelit

Në orën 15:15, emri dhe shtëpia e kriminelit u zbuluan. Aty u gjet edhe 10-vjeçari me iniciale A.C, i zhdukur që prej ditës së pardjeshme. Monstra Ardian Prrenjasi ishte fqinj me familjen e vogëlushit, në zonën e Laprakës. Burime nga Policia e Tiranës bëjnë me dije se, vogëlushi u gjet në banesën e Ardian Prrenjasit, ndërkohë që, dyshohet se është mbajtur 24 orë nën presionin e dhunës fizike dhe psikologjike. Po të njëjta burime dyshojnë se 45-vjeçari ka kryer veprime të turpshme me pengun, duke e abuzuar seksualisht. Ka patur dyshime të familjarëve dhe fqinjëve mbi 45-vjeçarin që kanë venë në lëvizje policinë, pasi banesa e  tij ndodhet pranë familjes Çela. Mësohet se 45-vjeçari, i cili punonte shofer në ndërmarrjen e pastrim gjelbërimit në Bashkinë e Tiranës, prej dy ditësh nuk ishte paraqitur në punë. Kolegët të cilët kanë tentuar të futen nga dritarja e banjos së shtetasit, Ardian Prrenjasi kanë ngjallur edhe dyshimet tek familjarët dhe komshinjtë e 10-vjeçarit të zhdukur, të cilët kanë sinjalizuar policinë për këtë fakt. Strukturat e policisë menjëherë pas dyshimeve të ngritura kanë ndërhyrë me forcë mesditën e sotme, në ambientet e banesës së Ardian Prrenjasit babai i tre fëmijëve, i divorcuar nga Librazhdi që prej disa muajsh jetonte me një femër në Tiranë. Gjatë momentit të arrestimit, ai është kapur me një thikë dhe litar në dorë. Arma e ftohtë dhe litari me të cilin është kapur në flagrancë ka bërë që blutë e Tiranës të ngrenë dyshime se 45-vjeçari kishte si qëllim edhe vrasjen e fëmijës. Nga hetimet paraprake mësohet se 45-vjeçari Ardin Prrenjasi, ka vrarë dhe më pas ka  zhdukur edhe 11- vjeçarin Çela që prej datës 30 nëntor, 2012.

 Vrasësi i Julian Çelës

Ka të dhëna të sigurta që ka elementë në banesën e Ardian Prrenjasit edhe të 10-vjeçarit, Julian  Çela, i cili prej nëntorit të vitit 2012 rezulton i zhdukur. Sipas burimeve do bëhet ekzaminim i plotë dhe ka dyshime që 45-vjeçari ka rrëmbyer edhe Julian Çelës, pasi dy fëmijët jetojnë vetëm 100 metra larg, njëri-tjetrit në zonën e Laprakës. Pas gjetjes së të birit, të zhdukur Sajmir Cani, në një prononcim televiziv deklaroi se nuk e njeh Ardian Prrenjasin dhe nuk ka asnjë ide sepse mund të ketë grabitur djalin e tij. Cani rrëfen se 10-vjeçari humbi dje, rreth orës 17:30 dhe menjëherë ai ka bërë denoncimin në polici. Cani shtoi se Ardian Përrenjasi, prej 1 viti jeton në zonën e Laprakës, por ai nuk ka asnjë kontakt me të.

 Rrëmbimi

Monstra e Laprakës e ka rrëmbyer fëmijën e vogël, ndërkohë që, ai kishte dalë për të lozur me shokët. Ja se çfarë tregon babai, Saimir Cani, për këtë ngjarje:”Pardje nga ora 17:30, ka dalë të lozë me shokët. Dhe nga ora 19:00 dolëm ta kërkojmë në internet, në lagje. Pastaj bëmë denoncimin dhe policia na ndihmoi dhe e gjetëm. Ai është komshi i joni, por nuk e njohim. Nuk e di sa kohë banon pranë nesh. Kur e mësuam nuk dinim ç’të bënim. Çdo gjë jam lemë në dorë policisë dhe drejtësisë, djali është në shkollë në klasë të katërt”, u shpreh babai i 10-vjeçarit.

 Dëshmitarët rrëfejnë lëvizjet e Prrenjasit

Banorët e tjerë të pallatit, ose ata rreth këtij pallati, tregojnë se Ardian Prrenjasi ishte një njeri i dyshimtë. “Kam dyshuar se erdhi mbrëmë, një grua në orën 12:30 të natës. Pastaj, sot erdhën punëtorët e ndërmarrjes së vet. Dhe na thanë se kanë humbur. Aty dyshova. Punëtorët e ndërmarrjes erdhën u futën nga banjoja. Unë i pyeta dhe ata më thanë, njëri ka munguar dje, tjetri ka dy ditë që nuk kishte shkuar në punë dhe aty dyshova unë. Unë nuk e kam njohur, ka 3 vjet që ka ardhur”, – u shpreh një tjetër dëshmitar. Ndërsa një banor tjetër dëshmon: “Ka dy – tre muaj që banon këtu. Ai nuk fliste me njeri. Erdhën punëtorët e ndërmarrjes e kërkuan për punë, hapën dritaren e banjos dhe ne aty dyshuam. Lajmëruam policinë se nuk u hap dera. E shoqja nga Peshkopia kishte ikur tek shtëpia vet. Ai ishte i afrueshëm me fëmijë, i çonte për të blerë paketa dhe gjëra të tjera. Fëmijët i afronte të gjithë, sikur thonin, i qeraste”, tha një dëshmitar tjetër, i cili e  njihte 10-vjeçarin, pasi banojnë në të njëjtën zonë. Ndërsa komshiu që banon ngjitur Ardian Prenjasit tregon: “Unë jam komshiu ngjitur. Dje në darkë nëna ime 70-vjeçare, ka parë një femër pranë banesës së tij dhe një makinë. Ajo e ka pyetur nënën time se ç’bënte natën dhe nëna i tregoi se po kërkonin një djalë të humbur. Pas 5 minutash nëna tha: E pashë femrën që iku me makinë”.

 Pedofili, 90 mijë lekë gjobë në vitin 2008

Maniaku seksual Ardian Prrenjasi, i ka shpëtuar drejtësisë, në vitin 2008, duke marrë vetëm një dënim me gjobë, edhe pse akuzohej për mbajtjen peng të një fëmije. Në vendimin e firmosur nga gjykata me 14 nëntor 2008, Prrenjasi, është dënuar me 90 mijë lekë gjobë dhe për shkak të gjykimit të shkurtuar, përfundimisht do të paguante vetëm 60 mijë lekë gjobë, pasi mbajti peng të miturin M.A. Gjykata pasi ka shqyrtuar çështjen, shprehet se ky dënim është i mjaftueshëm, për rehabilitimin e 45-vjeçarit dhe nuk është i nevojshëm izolimi i tij nga shoqëria.