Mikel Shallari nuk ka qenë i vetëm në ekzekutimin e ish-drejtorit të policisë së Vlorës, Artan Cuku.
Burime nga policia bëjnë të ditur se ai është ndihmuar nga kushëriri i tij, i cili është shpallur në kërkim nga policia e Tiranës.
Identiteti i tij nuk bëhet i ditur për arsye hetimi. Policia mësohet se ka prova të forta që implikojnë edhe kushëririn e 24-vjeçarit në vrasjen e Cukut më 8 prill.
Po ashtu, burimet bëjnë të ditur se policia ka edhe emrin e porositësit të vrasjes së Artan Cukut, pavarësisht se Shallari nuk ka pranuar të bashkëpunojë.
Ai thuhet se është nga Mbrostari i Fierit, dhe sipas burimeve nga policia, dyshohet se ndodhet jashtë vendit.
Mësohet se i ndjeri Artan Cuku kishte hapur hetimin për një dosje në ngarkim të këtij personi, në kohën kur ai drejtonte Policinë e Vlorës.