Zbardhet plani i plotë i “grupit të zjarrit” në Lazarat

549
Një grup prej pesë personash u dërgua në gjyq nga Prokuroria e Krimeve të Rënda të akuzuar direkt për vrasjen e oficerit të RENEA-s në Lazarat, Ibrahim Basha, një vit më parë.
Gjashtë veta të tjerë akuzohen nga Prokuroria për kryerjen e veprave penale të mbështetjes e ndihmës ndaj grupit që ka vrarë policin. Grupi i hetimit ka zbardhur detaje nga ngjarja tronditëse që ndodhi në Lazarat. Sulmi i organizuar ndaj policisë, sipas Akuzës, kishte së paku gjashtë muaj që përgatitej.
Sipas asaj çka përshkruhet në dosje, nëse strukturat vendore të policisë do të kishin punuar siç duhej me informacione e të dhëna për çfarë po përgatitej në fshat, duket se forcat RENEA mund të shkonin më të përgatitura në Lazarat për t’i bërë ballë sulmit.
Në kërkesën e dorëzuar Gjykatës për gjykimin e 11 të pandehurve thuhet se nga aktet e referuara ka rezultuar se më datë 24.06.2015, ora 02:30, në fshatin Lazarat të rrethit Gjirokastër kanë qenë të planizuar me shërbim forca të policisë së FNSH-së, të cilat ndodheshin të vendosura në vendin e quajtur “Kazinoja e Abaz Rabit” dhe “Kryqëzimi i Përroit të Kordhocës”.
Ndërkohë që vazhdonin shërbimin, janë qëlluar me armë zjarri nga drejtimi i qendrës së fshatit Lazarat nga persona të paidentifikuar. Po kështu, në orën 04:44, një grup tjetër i FNSH-së që ishte me shërbim në vendin e quajtur “Furra e bukës” Kordhocë njoftoi se nga qendra e fshatit Lazarat ka të shtëna me armë zjarri.
KONTROLLI NË FSHAT
Në këto rrethana, nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Gjirokastër është ngritur grupi i drejtimit dhe janë marrë masa për mbajtjen në rrethim të personave të armatosur, të cilët qëllonin me armë në drejtim të policisë. Në bashkëpunim me forcat e policisë RENEA është hartuar plani i operacionit për kapjen e këtyre personave.
Rreth orës 09:00, nga forcat e policisë të Drejtorisë së Policisë të Qarkut Gjirokastër në bashkëpunim me forcat e policisë të repartit RENEA ka filluar operacioni për kapjen e personave të armatosur, të cilët kanë qëlluar në drejtim të forcave të policisë.
Gjatë këtij operacioni, rreth 200 metër nga rruga që të çon për në qendër të komunës është konstatuar një automjet ‘Benz’ i bardhë pa targa, i cili është ndaluar nga policia ku drejtues mjeti është identifikuar shtetasi Xhulio Malo.
VRASJA E POLICIT
Gjatë udhëtimit të forcave të policisë në drejtim të Lazaratit, në kohën kur automjeti “Volkswagen”, me targa MB xxx AA, me forca të policisë të repartit RENEA ndodhej në afërsi të vendit të quajtur “Pularia”, në drejtim të këtij automjeti është qëlluar me breshëri armësh.
Si pasojë është vrarë efektivi i policisë, shtetasi Ibrahim Basha dhe janë plagosur dy efektivët e tjerë, shtetasit Jetmir Isai dhe Perlat Hamitaj, të cilët fillimisht kanë marrë ndihmën e parë në spitalin rajonal të qytetit të Gjirokastrës dhe më pas janë transportuar dhe ku kanë marrë ndihmën mjekësore në Spitalin Ushtarak, Tiranë.
PËRGATITJA E VRASJES
Nga hetimi i Prokurorisë ka rezultuar se disa të rinj kishin rreth 6 muaj që përgatiteshin për të sulmuar dhe luftuar forcat e Policisë së Shtetit. Ata mendohet se kishin qëllim rikthimin e gjendjes së mëparshme në fshatin Lazarat, ku të krijohej mundësia për të kultivuar lëndë narkotike kanabis sativa.
“Dy organizatorët e kësaj veprimtarie kriminale janë shtetasit Alban Aliko dhe Arbion Aliko”, bën me dije Prokuroria. Ditën e ngjarjes në zbatim të planit të tyre, sipas Akuzës, personat janë mbledhur rreth orës 00:00 të datës 23.06.2015. “Grupi i personave të armatosur është pozicionuar në vendin e quajtur ‘Shkolla e Re’ dhe nga aty kanë vazhduar të qëllojnë me armë zjarri në ajër deri rreth orës 06:00 të datës 23.06.2015.
Ata, sipas Prokurorisë, kanë finalizuar veprimet e tyre kriminale në darkën e datës 23.06.2015, ku të gjithë kanë marrë pjesë aktivisht në kundërshtimin me dhunë dhe me armë të punonjësve të policisë dhe më pas me largimin e të pandehurve Klodjan Selimi, Dervish Gaba, Ruhan Hiraj, Oltjon Proko, gjatë orëve të para të datës 24.06.2015.
“Veprimet e mëtejshme kriminale rezultuan me pasojë vrasjen e një punonjësi policie dhe tentativën për vrasje ndaj 5 punonjësve të tjerë të policisë janë kryer nga të pandehurit Arbjon Aliko, Alban Aliko Bajram Bocia, Elvis Bocia dhe Elson Kazma”, thekson Prokuroria. /Panorama
TË AKUZUARIT
Arbjon Aliko
Alban Aliko
Bajram Boçia
Elvis Boçia
Elson Kazma
TË AKUZUAR PËR:
“Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit”;
“Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit” e mbetur në tentativë, në 5 raste;
“Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municionit”;
“Grup i strukturuar kriminal”,
“Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”;
Xhulio Malo
Klodian Selimi
Oltian Proko
Dervish Gaba
Ruhan Hiraj
Iljaz Xhaferraj
TË AKUZUAR PËR:
“Kundërshtim i punonjësit të Policisë së Rendit Publik”, me dhunë, etj.
Sigal