Zbardhet dëshmia e zjarrfikësit: Ja pse e vrava tim vëlla

393
Zjarrfikësi 43-vjeçar, që vrau me çifte vëllain e tij në Valias të Tiranës, ka shpjeguar dje gjerësisht rrethanat dhe motivet e ngjarjes, duke saktësuar se debati kishte të bënte me mbjelljen e kanabisit. Afrim Kallari ka treguar para hetuesve se kishte pasur konflikte të vazhdueshme më të vëllain, Elmir Kallarin, ndërsa të enjten situata i doli nga kontrolli dhe e qëlloi me armë zjarri. Kallari është shfaqur i penduar për krimin që ka kryer, por nga ana tjetër ka treguar se nëse Policia do të gjente kanabisin e kultivuar, ai rrezikonte të hiqej nga puna.
Ai ka shpjeguar se fillimisht ishte zënë me nënën e tij, pasi me të ishte ndeshur fillimisht te stallat e bagëtive. Edhe me nënën, Kallari ka deklaruar se kishte të njëjtin problem, pasi ajo mbante anën e të vëllait dhe nuk e kundërshtonte për mbjelljen e drogës. Madje, sipas tij, vëllai nuk kishte qenë aty në momentin që ka debatuar me nënën, por ajo e ka lajmëruar djalin tjetër që të shkonte aty. Sipas 43-vjeçarit të arrestuar, nëna e tij Behija, ishte duke kullotur lopën, bashkë me vajzën e tij 10-vjeçare. Ndërsa vetë ai kishte shkuar te stallat e Universitetit Bujqësor ku zhvillohen eksperimente të Ekonomisë Didaktike, për të zëvendësuar kunatin që ishte në punë atje. Në atë vend kishte gjetur nënën bashkë me vajzën dhe i kishte thënë që të shkonte në shtëpi, por ajo nuk e kishte dëgjuar. Më pas, kur ka mbërritur vëllai i tij atje janë konfliktuar. Gjatë konfliktit, Kallari thotë se ka nxjerrë armën e gjahut nga makina duke qëlluar një herë në ajër dhe një herë drejt tij.
Sigal