Zbardhet debati në KLD/ ” Kur gjyqtarja u vra nga një njeri i thjeshtë, ç’të presim nga krimi?”

91
Vrasja e gjyqtares Fildez Hafizi nga ish-burri i saj në mes të Tiranës në një kohë kur pranie e njerëzve në rrugë ishte e madhe, ka krijuar jo pak shqetësim për rendin dhe sigurinë në vend. Kjo ngjarje e rëndë, dhe përgjithësisht dhuna në familje, ka qenë temë e mbledhjes së parë të KLD-së nën kryesimin e Presidentit Ilir Meta.
Në përfundim, KLD ka publikuar procesverbalin e gjithë mbledhjes me gjithë çfarë u diskutua edhe për ngjarjen në fjalë.
Më poshtë pjesë nga diskutimi:
Ilir Meta: Lidhur me çështjen që është një problem mjaft shqetësues i ardhur dhe më me forcë në vëmëndje të opinionit pas vrasjes barbare të gjyqtares dhe koleges tuaj Fildeze Kasëmi, por si rezultat i një fenomeni mjaft shqetësues në shoqëri, prandaj kemi vendour si pikë të dytë të rendit të ditës shqyrtimin e informacionit mbi ndjekjen e detyrave të vendosura nga KLD-ja, për gjykatat, në çështjet e lëshimit të urdhërit të mbrojtjes, për viktimat e dhunës në familje. Lidhur me këtë çështje është përgatitur informacioni nga KLD-ja në çështjet e lëshimit të urdhërit të mbrojtjes për viktimat e dhunës në familje vendosur nga gjykatat.
Pas vrasjes së gjyqtares Fildeze Kasëmi kam orientuar Inspektoratin për të filluar procedurat administrative të rishikimit të informacionit të raportuar në media për shkelje eventuale të gjyqtarit që kanë gjykuar çështjen gjyqësore, penale dhe civile për dhunën në familje në dëm të gjyqtares së vrarë. Së dyti, me shkresat të caktuara i është kërkuar nga gjykata e rretheve gjyqësore dhe të apelit paraqitja e një informacioni të detajuar lidhur me zbatimin e rekomandimeve të raportit të inspektimit të miratuar nga KLD-ja si dhe informacion për çështjen e mëposhtme; Numrin e çështjeve gjyqësore të lidhura me dhunën në familje gjykuar nga gjykata në periudhën 2016 deri në prill 2017; Saktësimi sa prej këtyre çështjeve janë gjykuar tej afateve ligjore, afateve standard të sistemit të vlerësimit duke identifikuar dhe shkaqet që kanë ndikuar në tejkalimin e afateve; Numrin e rasteve në të cilat është refuzuar dhënia e mbrojtjes nga gjykatat për dhunën në familje duke identifikuar dhe shkaqet e refuzimit; Numrin e rasteve kur gjykimi i çështjeve është pushuar duke identifikuar dhe shkaqet e pushimit; Numrin e vendimeve të cilat janë ankimuar në gjykata më të larta dhe numrin e vendimeve që janë cenuar dhe shkaqet e cenimit të tyre. Gjykatave iu është kërkuar ky informacion që të paraqitet brenda datës 15 shtator. Deri në kohën e përgatitjes së këtij informacioni në datën 12, KLD-ja është në pritje të përgjigjes nga gjykatat. Vetëm 4-5 gjykata e kanë sjellë këtë material, të cilat do të përmblidhen, analizohen dhe vihen në dispozicion për shqyrtim. Informacioni i fundit i apdejtuar (update-uar) është lista e gjykatave që kanë sjellë informacion mbi këto çështje mbi dhunën në familje. Janë 16 gjykata, 2 gjykata apeli dhe 14 gjykata të rretheve gjyqësore.
Nuk po i lexoj. Kush ka interes? Atëherë, kemi diçka më plotësuese apo të kalojmë tek pyetjet? Konsiderata që kanë anëtarët për këtë temë? Kemi ndonjë pyetje, ndonjë shqetësim për këtë çështje nga anëtarët e KLD-së?
Gjin Gjoni:
Ju faleminderit, zoti President! Faktikisht materiali dhe çështja e përgatitur nga Inspektorati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë është mbi bazën e vendimmarrjes të këtij Këshilli në vitin 2014 por dhe materiali dhe informacioni që po kërkohet, kërkon që të apdejtohet (update-ohet) në lidhje me këtë çështje. Çështja e zonjës Hafizi është një çështje jashtëzakonisht e ndjeshme, të them të drejtën, ka prekur të gjithë punonjësit e drejtësisë. Është një rast flagrant dhe tepër shqetësues. Në përgjithësi unë mendoj që ligji në lidhje me mbrojtjen e familjes ka patur një lloj përmirësimi dhe ç’është e drejta ka dhënë efektet e veta, pavarësisht se ka gjykata të cilat aktualisht janë pak të kufizuara në lidhje me urdhrat e mbrojtjes të cilat janë dhënë dhe gjykatat ndodhen, të them të drejtën, në një lloj vështirësie, për disa arsye.
Arsyeja e parë, pavarësisht çështjeve të cilat janë në shqyrtim dhe numri i këtyre çështjeve është jashtëzakonisht shumë i lartë dhe ka rritur fluksin e tyre nga një gjykatë në gjykatën tjetër, mendoj që gjykatat e apelit dhe Gjykata e Lartë duhet të kenë një vendimmarrje akoma më të shpejtë në lidhje me me këto çështje. Ndoshta një vendimmarrje e Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe normimi i kësaj për këtë periudhë kohore që do fuksiononte kjo KLD është që t’u jepet prioritet këtyre çështjeve të cilat të gjykohen brenda një afati kohor, të paktën 1-mujor edhe nga gjykatat e apelit, pavarësisht e ka parashikuar për rastet për gjykatat e shkallës së parë brenda 48 orëve rastet e lëshimit të urdhërit të menjëhershëm.
Por duhet të biem në vëmendje edhe disa probleme të cilat të them të drejtën janë abuzive në lidhje me këto urdhrat e mbrojtjes. Pikë së pari, palët po i përdorin urdhrat e mbrojtjes për të krijuar auto konfliktet pasurore brenda familjes dhe po të shohësh pjesa më e madhe sot e avokatëve të cilët orientojnë palët në lidhje me këto çështje janë që t’i orientojnë në mënyrë që të krijojnë sa më shumë urdhra mbrojtjeje, në mënyrë që të përfitojnë për shkak të konflikteve të zgjidhjeve të martesave ose pjesëtimit të pasurisë. Aspekti i dytë është që në të gjitha urdhrat e mbrojtjes janë disa vendime të cilat janë standarde dhe normalisht në momentin aktual çdo vendim për urdhër mbrojtje njoftohen edhe komisariatet përkatëse, njoftohen njësitë bashkiake, njoftohen të gjitha institucionet. Ndoshta duhet njësi e posaçme pranë Policisë së Shtetit e cila të marrë dhe të evidentojë dhe të ketë në mbikëqyrje rastet në mënyrë që të mos ndodhin ngjarje të rënda të kësaj natyre siç është rasti i të ndjerës Hafizi. Aspekti i tretë është…
Ka një moment që shteti për mendimin tim dhe një legjislacion duhet të ndërhyjë sepse në momentin e nxjerrjes së urdhrit të mbrojtjes të gjitha palët kërkojnë që bashkëshorti të largohet nga shtëpia dhe ka raste që të qëndrojë 100, 200, 300 metra larg familjes, larg fëmijëve, larg gruas. Mirëpo, në kushtet e një niveli ekonomik, e cila ndodhet aktualisht Shqipëria, është një gjendje se ku do i çosh këta njerëz. Vendimi i gjykatës është që ta largosh, por duhet të ketë shteti disa banesa që të vendosen këta të cilët do jenë njerëz pa punë, njerëz invalid, njerëz me probleme të natyrave psikologjike dhe ndoshta ky problem duhet trajtuar, ndoshta dhe ligji dhe ministrja e Drejtësisë, meqenëse është këtu, ndoshta duhet të merret një iniciativë ligjore, që të bëhen dhe ndërhyrje të tilla në mënyrë që të perfeksionohet dhe kuadri ligjor ku t’i japi mundësi gjykatës që të arrijë të marri një vendimmarrje dhe të ndalohen rastet e kësaj natyre. Faleminderit!
Ilir Meta: 
Mendoj se duhet t’i kërkojmë të gjitha gjykatave të tjera që nuk kanë dërguar ende informacion që ta dërgojnë sa më shpejt dhe mbi bazë të kërkesave për informacion që kemi kërkuar të shohim dhe të bëjmë konkluzionet se çfarë mund të përmirësojmë për të ardhmen dhe sa më shpejt KLD-ja t’i rikthehet kësaj teme. Ka dikush tjetër për këtë çështje për të shprehur? Po, ministrja!
Etilda Gjonaj: 
Në fakt ashtu siç tha dhe zoti Gjoni, është një problem shumë shqetësues edhe për ne si Ministri e Drejtësisë. E kemi ndjekur këtë çështje. Ndoshta ka ardhur koha të rishikohet legjislacioni për ta bërë praktikën sa më të zbatueshme. Por jo vetëm legjislacioni por edhe këto mekanizmat ku të jenë mbrojtëse për viktimat e dhunës në familje, pavarësisht ndoshta rasteve që zoti Gjoni përmendi mund të jenë dhe efektivisht të shtyra për shkak të disa manovrave që sugjerohen nga avokatët, përsëri ngelet një çështje shumë sensitive, shumë e ndjeshme, shumë e dukshme.
Vetë fakti që kolegia e gjyqtarëve që janë anëtarë këtu pësoi atë fakt tragjik disa ditë më përpara, që situata realisht është alarmante. Ne si Ministri e Drejtësisë në fakt, për shkak të ndryshimeve ligjore në kuadër të paketës të reformës në drejtësi, për sa kohë që nuk kemi më kompetenca për të kryer inspektimin, aktualisht i vetmi Inspektorat që mund të kryejë dhe mund të ketë kompetenca inspektimi është Inspektorati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Për këtë arsye dhe për rastin e zonjës Hafizi jemi drejtuar Inspektoratit që të bëjë një inspektim të detajuar lidhur me këtë çështje. Por do doja shumë që jo vetëm që është një ndër prioritetet e Ministrisë së Drejtësisë, por do doja shumë që të mbahej në vëmendje dhe konsideratë të lartë nga vetë Këshilli për sa kohë që do ketë kompetenca dhe të funksionojë kështu siç është me qëllim që të mundet të parandalojë edhe praktikat abuzive që ndodhin nga gjyqtarët lidhur me vendimmarrjen por dhe më pas unë si ministre e Drejtësisë do shikoj pjesën e organeve ligj zbatuese. Faleminderit!
Xhezair Zaganjori: 
Zoti President, bashkohem me parafolësit por nuk mund të rri pa thënë dy fjalë edhe unë për këtë çështje. Dhuna në familje mbetet një shqetësim jashtëzakonisht shumë i madh në realitetin shqiptar, ndërsa rasti më i fundit sigurisht që është një alarm për të gjithë shoqërinë shqiptare dhe kjo na vë edhe neve para shumë detyrave gjyqësore por në përgjithësi gjithë mekanizmat e shtetit dhe në mënyrë të veçantë dhe mekanizmat ligj zbatues, prandaj unë them që sigurisht që më ka ardhur mirë dhe mbështes këtë iniciativën e marrë nga Presidenti i Republikës për t’i kushtuar një vëmendje më të madhe kësaj çështje sepse ajo që kërkohet, mendoj unë, kërkohet në radhë të parë dhe mbi të gjitha një lloj koordinimi.
Kur merr informacion mbi rastin e fundit për çështje që kanë të bëjnë me kërcënimet, me tentativat, për ta vrarë apo për ta vonuar të ndjerën Hafizi, për alarmin në fakt që ajo shpesh herë e paska shprehur, mbi rrezikun që e ka kërcenuar në mënyrë permanente, sigurisht ndjen keqardhje. Ndjen keqardhje shumë të madhe domethënë për shkak të mosfunksionimit të këtyre mekanizmave. Dhunë në familje ka dhe në vendet e tjera, ndoshta dhe në vendet e zhvilluara, jo ndoshta, por sigurisht që ka, por që këto mekanizma funksionojnë efektivisht dhe duhet të them që nuk përfundon.
Sigurisht që ka probleme edhe gjyqësori, ka probleme edhe lidhur mbi kualifikimin ndoshta. Një vëmendje më të madhe duhet t’i kushtojnë këtij aspekti edhe mbase Shkolla e Magjistraturës, edhe gjyqtarët dhe gjykatat, por në fund të fundit kemi detyrimin për të garantuar jetën e njerëzve dhe në këtë aspekt sigurisht që prioritet për mua merr koordinimi i përpjekjeve për të zbatuar deri në një ligjin dhe vendimet e gjykatave. Faleminderit!
Neritan Cena: 
Fillimisht nuk pata mundësinë t’ju uroja për detyrën e re si juve si dhe zonjës ministre. Unë jam Neritan Cena, ushtroj edhe funksionin e anëtarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Zoti President, unë falenderoj që në pjesën e rendit të ditës keni përcaktuar edhe raportin mbi ndjekjen e detyrave ndoshta nga Këshilli Lartë i Drejtësisë për gjykatat në çështjet e lëshimit të urdhër mbrojtjes, por unë mendoj që çështja që duhet të ishte vendosur në rend dite, tjetër krahas kësaj, duhet të ishte dhe siguria që u ofrohet gjyqtarëve në ushtrimin e veprimtarisë së tyre.
E pamë vetë sa e thjeshtë ishte që të vritej një gjyqtar nga një njeri i zakonshëm, mos të mendojmë më pas se sa e thjeshtë është për organizata kriminale ose grupe të strukturuara kriminale, që të ushtrojnë presione karshi gjyqtarëve gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tyre dhe çfarë u garantohet këtyre gjyqtarëve. Kush janë realisht mekanizmat konkretë, që gjyqtarëve t’u garantohet jeta.
Shteti investon me burimet njerëzore, se në fund të fundit zonja Hafizi ishte produkt i Shkollës së Magjistraturës, investim i shtetit shqiptar për të pasur një drejtësi më të mirë, për të pasur njerëz më të kualifikuar por shteti nga ana tjetër nuk ndërmerr asnjë lloj mase, asnjë lloj veprimi për të garantuar në fund të fundit investimin e tij në burime njerëzore.
Kështu që, unë mendoj zoti President, që duhet, krahas pjesës që kjo është shqetësuese, dhuna në familje është me të vërtetë shqetësuese por duhen ndërmarrë hapa konkretë dhe në garantimin e jetës së gjyqtarëve që ushtrojnë veprimtarinë e tyre. Ky është propozimi im, për të mos dashur për të përsëritur sepse faktikisht problematikat lidhen me moszbatimin, nuk lidhen më shumë me vendimmarrjen se sa me zbatimin real.
Ilir Meta: 
Atëherë, mbasi të merret informacion më i plotë dhe të përpunohet, do ta rimarrim këtë temë këtu në KLD.