Zbardhen motivet e vrasjes në Laç, 20-vjeçari viktimë e sherrit të shokut

72
Policia ka zbardhur motivet e vrasjes së 20-vjeçarit Ervis Zyba një ditë më parë në Laç dhe ka shpallur në kërkim autorët. Burime zyrtare bëjnë të ditur se ai mbeti i vrarë nga një konflikt mes shokut të tij dhe dy personave të tjerë. Duke shpjeguar dinamikën e ngjarjes, uniformat blu bëjnë të ditur se konflikti ka qënë i mëparshëm mes Xhevahir Likës dhe Elgert Carës.
Ervis Zyba ishte shoki Likës dhe të dy kanë shkuar në lokalin e natës “Qershia”. Ata kanë dalë rreth orës 01.30 dhe kanë hipur në automjetin e tyre tip Benz me targë AA 898 MR.  Në atë moment tek mjeti i tyre janë afruar Elgert Cara dhe Dorjan Cara, të cilët janë konfliktuar me Xhevahir Likën. Të dy palët kanë qënë të armatosur dhe kanë qëlluar ndaj njëri-tjetrit. Elgert Cara ka qëlluar me automatik, ndërsa Dorjan Cara me pistoletë. Lika u është përgjigjur gjithashtu me pistoletë. Nga të shtënat mbeti i vrarë 20-vjeçari Ervis Zyba nga fshati Gjorm i Kurbinit.
Në lidhje me ngjarjen janë arrestuar Xhevahir Lika, 21 vjeç për armëmbajtje pa leje, dhe pronari i lokalit Drilon Leka, 27 vjeç për moskallëzim krimi. Në kërkim janë shpallur Elgert Cara 19 vjeç, dhe Dorjan Cara, 25 vjeç. Mbi ta rëndon akuza e vrasjes me paramendim e kryer në bashkëpunim dhe armëmbajtje pa leje. Policia po punon për kapjen e tyre.