Xhuvani:Më gjykoni si person që kreu veprime të papërgjegjshme

430
Sigal

TIRANË – Konstantin Xhuvani  ka kërkuar nga Gjykata që të marrë parasysh rrethanat në të cilat ka kryer vrasjet duke theksuar se mos më gjykoni si kriminel Më gjykoni si person që kam kryer veprime të papërgjegjshme.

“Kërkoj ta gjykoni drejt çështjen dhe të merrni parasysh rrethanat në të cilat kam kryer veprimet. Mos më gjykoni si kriminel. Më gjykoni si person që kam kryer veprime të papërgjegjshme.”- ka deklaruar Kostandin Xhuvani në seancën në të cilën u paraqitën konkluzionet e mbrojtjes.

Në seancën e nesërme e cila do të zhvillohet rreth orës 10:30 pritet që Gjykata e Tiranës të japë edhe vendimin ndaj  Konstantin Xhuvanit i cili akuzohet për vrasjen e 4 personave më 4 Nëntor 2014 në lokalin e natës në rrugën e Elbasanit “Ante Grand”.

Në seancën e datës 10 shkurt, Prokuroria e Tiranës paraqiti konkluzionet përfundimtare duke kërkuar deklarimin e fajshëm të të pandehurit Xhuvani dhe dënimin e tij me burgim të përjetshëm. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, nëse gjykata pranon kërkesën e prokurorisë për burgim të përjetshëm, dënimi përfundimtar i Xhuvanit shkon në 35 vjet heqje lire.

Xhuvani  akuzohet si autor i vrasjes së shtetasve Edison Jaho dhe Enea Xhaji, pas një grindjeje të çastit në ambientet e një lokali nate në Rrugën e Elbasanit. Nga të shtënat me armë zjarri kanë humbur jetën edhe shtetasi Arbër Demiraj, si dhe shtetasi italian Xhanpaolo Azzolo, i cili ka ndërruar jetë në spital.