Vritet me dy plumba në kokë pronari i marketit

568
Sigal

Tirana kthehet në Çikago nga vrasjet, policia e paaftë të parandalojë dhe zbulojë krimin

Mbrëmë në Yzberisht të Tiranës ndodhi një ngjarje tepër e tronditëse. Në marketin e shtetasit Petrit Kurti, 52 vjeç, hyri një person, i cili, ndoshta me motiv për ta vjedhur, e ka goditur pronarin e marketit me dy plumba në kokë, duke e lënë të vdekur. Krimi në Tiranë po merr përmasat tronditëse dhe tashmë asnjë qytetar nuk e ndjen veten të sigurt për jetën e vet. Policia, përballë rritjes të kriminalitetit, e ndjen veten të paaftë që të parandalojë dhe të zbulojë autorët e krimit. Gjëja më e keqe është se është rritur ajo ndjenjë te qytetarët, që policia është e pamundur të sigurojë jetën e njerëzve dhe rendin publik. Kështu, disa ditë më parë, po në Tiranë, vetëm 50 metra larg Presidencës, në një zonë tepër të mbikëqyrur nga policia, dy persona, ende të paidentifikuar, sulmuan një kambist, përballë hyrjes në shtëpinë e tij, në katin e tretë të pallatit, duke e plagosur  rëndë dhe duke i vjedhur një sasi të madhe parash.  Mund ta quash thjesht paaftësi profesionale që policia ende nuk zbardh këtë krim? Përtej neglizhencës, paaftësisë profesionale të policisë, e cila nuk mund të parandalojë krimin, të kultivojë ndjenjën e sigurisë për jetën te qytetarët, nuk është e vështirë që të kuptosh, se, ndoshta, në radhët e policisë mund të ketë edhe persona që janë të implikuar me krimin dhe e bëjnë të pamundur zbardhen e tij dhe gjetjen e autorëve të krimit. Një sërë vrasjesh të tjera, janë ende të pazbardhura, gjë që dëshmon, se policia mund të jetë e implikuar në vetë krimin. Nuk ka sesi të shpjegohet që kriminelët, vrasësit, të kenë kaq kurajo të madhe, që të veprojnë në qendër të Tiranës dhe të mos shqetësohen aspak nga  prania e policisë. Më e keqja është se edhe drejtuesit e policisë së Shtetit nuk po reagojnë, nuk tregojnë një ndjeshmëri qytetare dhe nuk ndërmarrin masa që të ndryshohet gjendja. Asnjë përjashtim në forcat policore, qoftë edhe largim nga detyra,  të drejtuesve që janë të paaftë, që mund të jenë edhe të implikuar me krimin, nuk është ndërmarrë,  gjë që dëshmon se, policia është bashkëfajtore e krimit, e vrasjeve dhe e rritjes së pasigurisë për jetën që ndjejnë qytetarët.