Vrau taksistin në Kavajë për 1 900 lekë, burg përjetë për Musa Saraçin

480
Gjykata e Kavajës ka dënuar me burgim të përjetshëm të pandehurin Musa Saraçi, i akuzuar për “Vjedhje me pasojë vdekjen” në dëm të viktimës Idriz Kariqi. Në 14 dhjetor 2016, Saraçi mori peng dhe më pas e vrau taksistin Kariqi, ndërsa makinën e tij e shiti në një varrezë makinash.
Referuar dosjes së Prokurorisë së Kavajës, nga hetimet ka rezultuar se: I pandehuri Saraçi, paraditen e datës 14.12.2016 ka marrë si shërbim taksi mjetin e drejtuar nga viktima Kariqi, në vendin pranë Spitalit të Kavajës. I pandehuri, gjatë natës së mëparshme kishte qenë duke luajtur në lojëra fati dhe kishte shpenzuar paratë që i kishte marrë pa dijeninë e familjes së tij. Që në momentin që ka hipur në taksi, ai ka pasur qëllim për të marrë paratë e taksistit.
Pranë fshatit Greth, ai i ka kërkuar taksistit të ndalojë makinën dhe, nën kërcënimin e një thike i ka kërkuar atij që t’i japë paratë që kishte me vete. Taksisti Kariqi ka nxjerrë paratë që kishte me vete, rreth 1900 lekë të reja, por këto kanë qenë të pamjaftueshme për autorin, i cili e ka goditur disa herë me thikë, duke e lënë të vdekur në vend. Më pas, autori ka marrë makinën e viktimës dhe ka ecur disa minuta, derisa makina është rrëzuar në një kanal dhe është dëmtuar.
“Duke qenë se mjeti nuk mund të lëvizte, i pandehuri ka telefonuar një të njohurin e tij që posedon një servis makinash, të cilit i ka thënë se kishte një makinë të prishur dhe donte ta shiste për skrap. I pandehuri Saraçi ka shkuar në këmbë deri tek servisi i të njohurit të tij dhe kanë bërë “pazar” që makinën ta shiste për 27 mijë lekë të reja. Pasi ka marrë paratë, autori është larguar dhe është arrestuar pas dy ditësh, në vijim të veprimeve procedurale hetimore”, sqaron prokuroria.
Musa Saraçi e ka pranuar autorësinë e krimit. Gjatë shqyrtimit gjyqësor, mbrojtja e Saraçit pretendoi se ai kishte probleme të çrregullimit mendor. Ky pretendim u rrëzua nga akti i ekspertimit.
Në përfundim të gjykimit, Prokuroria e Kavajës kërkoi dënimin e tij me burgim të përjetshëm, kërkesë e cila u pranua nga ana e Gjykatës.
Sigal