Vrau kushëririn në Greqi, Zaka dënohet me burgim të përjetshëm

433
Gjykata e Krimeve të Rënda dënon me burgim të përjetshëm të pandehurin Denis Zaka, i akuzuar për vrasjen e kushëririt të tij në Greqi. Gjatë fazës së gjykimit, togat e zeza thanë se 26-vjeçari nga Lushnja u gjet fajtor për vrasjen me thikë të kushëririt të tij, Vladimir Murrizit dhe groposjen e trupit të tij në një përrua në Greqi. Por, për shkak të gjykimit të shkurtuar, i pandehuri përfundimisht do të vuajë 35 vite burg. Ndërkohë, seancën e djeshme para se të jepej vendimi, i pandehuri shprehu pendesë për krimin e kryer duke kërkuar mëshirë nga gjykata dhe falje nga familjarët e kushëririt të tij, Vladimir Murrizit.
Ndërsa avokati mbrojtës i tha gjykatës se vrasjen Denis Zaka e ka kryer në gjendje të dehur, pasi kishin konsumuar shumë alkool ditën e ngjarjes bashkë me viktimën. Këto pretendime u kundërshtuan nga prokuroria, gjatë leximit të konkluzioneve përfundimtare. Sipas akuzës, Denis Zaka më 3 gusht të vitit 2016 bashkë me kushëririn Vladimir Murrizi kishin konsumuar alkool me një lokal në fshatin ku punonin dhe më pas ishin nisur për t’u larguar. Rrugës, thuhet në dosjen e prokurorisë, mes tyre kanë nisur debate dhe akuza të ndërsjella për bashkëshortet e tyre. Ku në debat e sipër janë konfliktuar dhe Zaka e ka qëlluar disa herë me thikë. Më pas, për të fshehur krimin, i pandehuri e ka groposur trupin e Vladimirit anash rrugës, pranë një përroi. Por me t’u kthyer në Shqipëri, i riu Zaka është marrë në pyetje ku edhe ka treguar të vërtetën e vrasjes së kushëririt.
Ngjarja
Denis Zaka, gjatë kohës së hetimeve për zbulimin e vrasjes së Vladimir Murrizit, ka shfaqur momente të paqëndrueshme rreth detajeve që jepte. Gjatë kësaj kohe, oficerët e Policisë së Fierit të cilët filluan të parët hetimet për vrasjen e të riut në Greqi, kanë hedhur dyshimet se ishin para një krimi, vrasjeje dhe se i dyshuar ishte shtetasi Denis Zaka, kushëriri i parë i viktimës.
Sipas organit të akuzës, 26-vjeçari Zaka kishte shumë kontradikta në thënie që nuk përputheshin me tabulatet telefonike. I vendosur para provave kontradiktore për ato që kishte deklaruar, pranoi se ai e kishte kryer vrasjen e kushëririt të tij, shtetasit Vladimir Murrizi, duke dhënë shpjegime të hollësishme për motivin, mjetin me të cilin kishte realizuar vrasjen dhe vendin ku e kishte fshehur kufomën në Greqi. Të dhënat iu përcollën menjëherë autoriteteve policore greke, të cilat nga ana e tyre shkuan në vendin e ngjarjes dhe gjetën kufomën e groposur.
Për këtë arsye, në datën 08.08.2016 u bë ndalimi i shtetasit Denis Zaka, 26 vjeç, lindur në Lushnjë dhe banues në lagjen nr. 15, Durrës. Më pas, dosja i kaloi Prokurorisë së Krimeve të Rënda, e cila më 11 gusht 2016 kërkoi caktimin e masës “arrest me burg” për autorin e dyshuar të vrasjes. Gjatë daljes së parë para gjykatës, Denis Zaka ka shpjeguar se krimin e ka kryer nën efektin e alkoolit, kur ishte konfliktuar me kushëririn e tij, Vladimir Murrizi, pasi ky i fundit i kishte cilësuar bashkëshorten si të pamoralshme. “Kam qenë nën efektin e alkoolit kur ka ndodhur ngjarja. U kërkoj shumë falje familjarëve të mi dhe të Vladimirit, por nuk e kam kryer me vetëdije.
Ka ndodhur pas një zënke tonën kur Vladimiri më ka sharë bashkëshorten. Nuk e durova dot dhe filluam të ziheshim. Atë që bëra e kuptova vetëm kur pashë gjak dhe Vladimirin që nuk po reagonte më”, ka dëshmuar 26-vjeçari në gjykatë. Denis Zaka ka pranuar para grupit hetimor se kufomën e ka groposur në afërsi të fshatit ku ai punonte si çoban, që ishte punësuar nga një familje greke.
“Kur pashë që Vladimiri nuk po reagonte më, atëherë erdha në vete. Në një moment nuk dija se ç’të bëja, më kapi edhe paniku. T’i tregoja ndokujt se ç’kisha bërë, kisha frikë se mos arrestohesha. Vendosa që trupin e kushëririt ta varrosja vetë afër një përroi në zonën ku unë punoja”, ka thënë i riu që punonte në Greqi bashkë me viktimën. Denis Zaka, lindur në Lushnjë dhe me banim në Durrës, kishte jetuar me kushëririn e tij në Greqi. Burimet nga grupi hetimor kanë bërë të ditur se shkak për vrasjen ishin motive të dobëta dhe se, pasi e kishte qëlluar Zaka e kishte groposur kushëririn e tij për të humbur gjurmët. Dy kushërinjtë ditën e ngjarjes kishin shkuar për të vjedhur një frezë për të punuar tokën pranë stanit ku ata punonin barinj, por në gjendje të dehur kanë përfunduar në ofendime të rënda.
Motivi i vrasjes
“Gruaja jote është kurvë”! Kjo ishte shprehja që bëri Denis Zakën të qëllonte për vdekje kushëririn e tij. Dy kushërinjtë kanë punuar si çobanë në Larisa në Greqisë, por në dy stane të ndryshme. Burime nga Prokuroria bënë të ditur se rreth orës 23:00, Vladimiri ka shkuar te Denisi dhe i ka kërkuar ta ndihmonte për të kryer vjedhjen e frezës. Fillimisht dy kushërinjtë kanë konsumuar alkool në një lokal e më pas janë nisur për të kryer grabitjen. Denisi e ka qëlluar me thikë Vladimirin, duke i shkaktuar edhe vdekjen. Më pas e ka varrosur në një përrua dhe është larguar për të telefonuar të afërmit. Babai i viktimës Vladimir Murrizi, i ka kërkuar nipit të tij, Denisit, të kthehej në Shqipëri pas ngjarjes. Kur Denisi ka ardhur në Shqipëri dhe është vënë para oficerëve të Policisë së Fierit, ka treguar gjithçka çfarë kishte ndodhur. Ai ka treguar se çfarë kishte ndodhur me Vladimirin dhe vendin ku ai e kishte vrarë.
Sigal