Vrau fqinjin për xhelozi, rrezikon burgim të përjetshëm

420
Përfundon me fund tragjik fqinjësia mes dy familjeve, ku hija e tradhtisë vret një të ri dhe rrezikon me burgim të përjetshëm një tjetër. Me kërkesë të prokurorisë së Lezhës, 30-vjeçari Azem Ukaj rrezikon të marrë dënim maksimal nga gjykata pas vrasjes së fqinjit të tij dhe plagosjes së bashkëshortes së tij. Më datën 1 shtator 2014, në fshatin Lufaj (Mirditë) Azem Ukaj ka vrarë me armë zjarri në oborrin e shtëpisë shtetasin Berilion Kaçorri, si edhe ka plagosur bashkëshorten e këtij të fundit, Orieta Kaçorri.
Autori e ka ndërmarrë këtë veprim, pasi e akuzonte viktimës se i ngacmonte të shoqen. Në debatet e mëparshme, viktima e këtij krimi nuk e ka pranuar që kishte ngacmuar bashkëshorten e autorit. Prokuroria ka kërkuar nga gjykata deklarimin fajtor të të pandehurit Azem Ukaj për veprën penale të “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese“, me pasojë vdekjen e një personi dhe “vrasjen e mbetur në tentativë” të një personi tjetër, me pasojë plagosjen, dhe dënimin e tij me burgim të përjetshëm. Prokuroria ka kërkuar gjithashtu deklarimin fajtor për veprën penale të “prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve të zjarrit dhe municionit luftarak” dhe dënimin e tij me dymbëdhjetë vjet burgim.
Për shkak se i dyshuari e ka pranuar fajësinë dhe ka kërkuar gjykim të shkurtuar, prokuroria ka kërkuar dënimin e tij me 35 vjet burgim. Gjatë seancave gjyqësore, i dyshuari nuk ka shprehur pendesë për krimin e kryer. Familjarëve të viktimës, ai u është drejtuar vetëm me një fjalë: “Më falni”. Motivet e kësaj vrasje makabre, ku Berilion Kaçorri u qëllua me më shumë se 30 plumba nga fqinji i tij Azem Uka mbeten ende të pasqaruara mirë. Azem Uka ka shpjeguar se vrasjen e ka bërë nga xhelozia, pasi mësoi se Berilion Kaçori i kishte ngacmuar bashkëshorten. Ndërsa familjarët e viktimës, përfshi këtu edhe bashkëshorten e tij, e cila mbeti e plagosur rëndë, tregojnë se arsyeja e kësaj vrasje ishin paratë.
Sipas tyre Azemi kërkonte shpesh borxh. 10 ditë para vrasjes ai i kishte rrëfyer babait të viktimës se i biri kishte lekë, por nuk i jepte atij. Para se të ndodhte vrasja, Azem Uka e ka ftuar fqinjin e tij në shtëpi, ku nën kërcënimin e armës e ka ballafaquar me të shoqen, që të dy të pranonin se kishin një lidhje intime. Por Berilion Kaçori nuk e ka pranuar. Ndërkohë Azem Ukaj i ka thënë Berilioni se “dua dy milion lekë ta mbyllim këtë punë dhe mos i trego Orietës (bashkëshortes së Brelionit)”.
Mirëpo ky i fundit sapo ka mbërritur në shtëpi ia ka treguar gjithçka të shoqes. Pak minuta më vonë në oborrin e shtëpisë së tyre vjen Azem Uka, i cili pasi nuk merr paratë, e vret me breshëri automatiku. Para se të largohet, ai qëllon me plumb në kokë kufomën. Në deklarimin e tij Azem Ukaj pranon autorësinë e vrasjes së Berilion Kaçorrit dhe plagosjen e gruas se tij Orieta Kaçorri. Azem Ukaj deklaron se kishte krijuar dyshime prej disa muajsh që Berilion Kaçorri kryente marrëdhënie intime me bashkëshorten e tij. Bashkëshortja fillimisht nuk e ka pranuar, por më vonë, një muaj para ngjarjes e ka pranuar këtë fakt.
Për të mbështetur dyshimet e tij, Azem Ukaj hidhte hi te rruga e shtëpisë së tij dhe më vonë konstatonte hirin tek këpucët e Berilionit. Pas këtij momenti marrëdhëniet e tyre janë ftohur. Ditën e ngjarjes Azem Ukaj pranon të ketë thirrur në shtëpinë e tij Berilion Kaçorrin, ku më në fund i ka thënë se “ti më ngacmon gruan” dhe pasi ka pyetur dhe gruan e tij, ajo i ka thënë “po mbi dhjetë herë”. Pas këtyre fjalëve Berilioni shkoi në shtëpinë e tij dhe disa minuta më vonë Azem Ukaj e vrau te oborri në sy të bashkëshortes, e cila duke tentuar ta mbrojë, u plagos rëndë.
Sigal