Vrau 4 policë, 4 dënime me burg përjetë për Dritan Dajtin

627
Sigal

Gjykata e Krimeve të Rënda ka dhënë 4 burgime përjetë për Dritan Dajtin, për vrasjen e 4 efektivëve të skuadrës së operacioneve speciale të antikrimit të organizuar të policisë. Pas rreth 276 senacave gjykata dha 4 burgime për jetë për Dajtin për çdo polic të vrarë. Në 1 korrik Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi burg përjetë dhe 1 mln lekë gjobë për Dajtin. Seancat e dy muajve të fundit janë bërë me dyer të mbyllura pa praninë e medias dhe me masa të rrepta sigurie. Kjo për shkak të kërcënimeve ndaj gjyqtarit Idriz Mulkurti dhe disa fotove të vajzës së tij të pataqitura në seancë nga Dajti. Paraditen e sotme ka patur pretendime se Dajti ishte marrë me forcë në seancë dhe pa prezencën e një avokati mbrojtës. Dajti kishte futur në ngërç drejtësinë për shkak të bllokimit të vazhdimit të procesit gjyqësor ndaj tij, pasi asnjë nga avokatët nuk pranonte ta mbronte në gjykatë. Dritan Dajti më 7 gusht 2009 ekzekutoi efektivët e policisë, Saimir Duçkollari, Altin Dizdari, Fatos Xhani dhe Kastriot Feskaj në aksionin për arrestimin e tij në Plazhin e Durrësit. Dajti ishte në kërkim pas arratisjes së bujshme nga Gjykata e Faktit në Tiranë, ku rigjykohej për vrasjen e një biznesmeni të ndërtimeve.