Vrasja në Mamurras, arrestohet një nga tre autorët e shpallur në kërkim

492
Arrestohet një nga tre autorët e shpallur në kërkim lidhur me vrasjen e shtetasit Naim Tafa, ngjarje kjo e ndodhur mesditën e 23 shtatorit 2015 në hyrje të Mamurrasit.
Sektori i Krimeve të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë ka vënë në pranga Tom Mamlin, 33 vjeç.
Ai akuzohet për vrasje dhe plagosje. Gjykata e Kurbinit, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me Burg”, për veprën penale “Vrasje në rrethana cilësuese e kryer në bashkëpunim” dhe “armëmbajtje pa leje”.
Krahas viktimës Tafa, në përplasjen me armë mbetën të plagosur dhe katër persona, me tyre tre kalimtarë të rastit.
Sipas policisë rreth orës 11.30, shtetasit Tom, Paulin dhe Enrik Mamli kanë rrahur dhe goditur me sende të forta kushëririn e tyre shtetasin Dorjan Mamli, pasi ky kishte ndërhyrë për të shuar konfliktin e tyre me shtetasin Edmond Tafa.
Një konflikt që kishte lindur prej kohësh për shkak të një borxhi prej 250 mijë eurosh bëjnë të ditur burime nga grupi hetimor.
Burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur se Enrik Mamli u ka thënë se kishte qëlluar për “vetëmbrojtje” pasi fillimisht kishte qëlluar Naim Tafa, viktima.
Mamli u arrestua menjëherë pas krimit.
Në momentin që vëllezërit Mamli po largoheshin janë goditur duke u përplasur me mjetin në të cilin lëviznin 3 djemtë e fisit Tafa.
Pas përplasjes së automjeteve personat që ndodheshin në to kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të njëri-tjetrit, dhe për pasojë ka mbetur i vdekur Naim Tafa, 35 vjeç.
Policia sekuestroi në vendngjarje një automatik me numër të fshirë dhe 12 gëzhoja armësh.
Veç Enrik Mamlit, policia pati arrestuar për ngjarjen Taulant Bebrin,26 vjeç dhe Dorjan Mamli, 31 vjeç, ndërsa pati shpallur në kërkim Tom Mamli i arrestuar sot dhe Paulin Mamlin dhe Gentjan Elezin që vijojnë të jenë në kërkim.
Sigal