Vrasja në Linzë/ Zbardhet vendimi i gjykatës

454
Gjykata e Tiranës ka zbardhur arsyetimin e vendimit për vrasjen e Enton Nikës më 11 nëntor të vitit 2015 në zonën e Linzës. Gjykata vlerësoi se vrasja e Nikës është kryer pa paramendim dhe jo në bashkëpunim prej tyre. Prokuroria kërkoi dënime me nga 25, 28 dhe 35 vjet heqje lirie, 116 vjet në total për këta të pandehur, por gjykata i hodhi poshtë pretendimet e prokurorisë. Në vendimin e shpallur më 4 maj, gjykata arsyeton se në ngjarje është konsumuar vepra penale e “vrasjes me dashje” vetëm nga ana e të pandehurit Emiljano Tasho. Vrasja e shtetasit Enton Nika është kryer nga i pandehuri Emiljano Tasho, si pasojë e eksesit të këtij të pandehuri, gjatë kohës kur ai së bashku me të pandehurit e tjerë po godisnin me grushte, shkelma e sende të forta të ndjerin Enton Nika dhe shtetasin Ismet Gaxheri”, arsyetohej në vendim.
Konflikti
Konflikti ku u vra Enton Nika ndodhi në parkingun e lokalit “M…” në Linzë. Të pandehurit kanë drekuar në këtë lokal dhe në momentin e largimit kanë parë Nikën dhe pronarin e lokalit, Ismet Gaxherri. Referuar deklarimeve të të pandehurve, gjykata pretendon se Ervis Martinaj ka vënë re shtetasin Enton Nika që po shihte nga ata, duke folur nëpër dhëmbë, që i është dukur si sharje të pandehurit Ervis. “Ai i është drejtuar të ndjerit Enton Nika duke i thënë ‘o çuni, hajde një sekondë’. Pasi janë afruar, i pandehuri Ervis i ka hedhur dorën në qafë të ndjerit Enton duke i thënë: ‘A më njeh mua, unë jam Ervis Martinaj’.
Entoni i ka thënë ‘qofsh me shëndet, unë jam Enton Nika dhe më largo pak atë dorën nga supi se ta këpus’”, rrëfehej nisja e konfliktit në vendim. Më tej të pandehurit janë përfshirë në konflikt fizik me ta, ku në një moment i pandehuri Emiljano Tasho ka qëlluar me një armë pistoletë, sipas tij nga pakujdesia, drejt Enton Nikës, duke e lënë të vdekur.
Sigal