Vrasja në Lezhë, shoqërohen në polici 16 persona për ngjarjen

496
Një 23-vjeçar është ekzekutuar mbrëmë në qendër të qytetit të Lezhës, ndërsa është plagosur rëndë një tjetër. Sipas Drejtorisë së Policisë së këtij qarku, ngjarja ndodhi rreth orës 21:35 para lokalit “Libraria”, në trotuar (përballë kompleksit të shkollave në lagjen “Besëlidhja”). Sipas policisë lokale, viktima është Kristjan Marku, banues në qytetin e Lezhës. 
Ndërkohë që në këtë ngjarje ka mbetur i plagosur 37-vjeçari Altin Gjonaj, banues në fshatin Tale. Forca të shumta policore kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe kanë nisur hetimet. Mësohet se janë ngritur postblloqe të shumta në rrugët hyrëse-dalëse të Lezhës, me qëllim kapjen dhe vënien në pranga të autorëve të krimit. 
Deri më tani janë shoqëruar 16 persona, mes tyre edhe personeli i lokalit ku ndodhi ngjarja. Policia dhe prokuroria e Lezhës po hetojnë intensivisht për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motivit të kësaj ngjarjeje.
Sigal