Vrasja e tregtarit Kurti, Prokuroria: Nuk është krim i rëndë

78
Prokuroria e Krimeve të Rënda shpalli moskompetencën për krimin që tronditi Tiranën pesë muaj më parë, gjatë të cilit u dyshua se një i ri kishte bashkëpunuar me dajën për të vrarë të atin. Vrasja e Artur Kurtit, në referim të ekspertizës dhe provave të mbledhura nuk është kryer me dashje, e për këtë, prokurorët e Krimeve të Rënda deklaruan se nuk mund të hetohet si krim i rëndë në familje.
Tashmë hetimet do të zhvillohen nga Prokuroria e kryeqytetit, për të vërtetuar nëse ka apo jo vrasje në kapërcim të mbrojtjes së nevojshme, apo vrasja e Artur Kurtit ishte një krim në vetëmbrojtje e sipër. Ajo që dihet është se Jurgen Kurti, 23 vjeç, i arrestuar së bashku me dajën, Leonard Ristani, u la i lirë nga Krimet e Rënda gjatë vlerësimit të masës së sigurisë. Krimi u mor përsipër nga Ristani, i cili përshkroi rrethanat e sulmit nga viktima, i cili sipas asaj që tregohet, sapo ka hyrë në banesë me një thikë në dorë ka qëlluar mbi të dyshuarit.