Vrasja e trefishtë në Shijak, nëna e autorit: Djalit i thashë ‘të kam falur’

475
Krim i rëndë brenda familjes ka tronditur ditën e djeshme Shijakun, në lidhje me autorin e ngjarjes personi I fundit me të cilin duket se ai ka pasur kontakt ka qenë nëna e tij e cila shprehet se; “Dritani erdhi në mëngjes herët në shtëpi e qëndroi vetëm dy minuta. Mori një bidon ujë, gjuha i rrinte e tharë, dhe iku me vrap. Ishte i zbehtë si limoni, me armën e gjahut në krah. Nxitonte, nuk tha çfarë kishte bërë. Mendova se kishte etje e po ikte prapë në punë”. Kështu deklaroi para oficerëve të policisë nëna e Dritan Petovës, Nazire Petova. Mes lotësh ajo ka rrëfyer çastet e fundit që u gjend përballë djalit të saj, i cili pasi vrau gruan dhe vjehrrin. Ai kishte shkuar në shtëpinë e tij, ndoshta dhe për të dhënë përshëndetjen e fundit, pasi pak orë më vonë u vetëvra. 
“Tani, zbrit prej andej të keqen nëna, se çfarë u bë u bë. Asgjë nuk kthehet mbrapsht tani. Nëna të ka falur, të kemi falur të gjithë. Zbrit se ke dy fëmijë të vegjël për të rritur. Ke djalin që po të shikon nga shtëpia, ke vajzën që të do. As policët nuk do të të bëjnë asnjë gjë. Pasi të zbresësh, nëna do të të përqafojë. Duhet të kërkojmë falje te shtëpia e nuses. Edhe fëmijët do të të falin. Zbrit, bëje për nënën tënde që është e sëmurë. Hidhe armën në tokë”, mësohet të ketë thënë mes lotësh e moshuara. Pavarësisht përpjekjeve të nënës dhe 2 negociatorëve të RENEA-s e forcave policore, 41-vjeçari në momentet që po zbriste shtyllën u vetëvra me armën e krimit.
Sigal