Vrasja e Shëngjergjit – Zbulohen fakte të reja, dëshmi dhe të dhëna

495


Sigal

 

Policia e Tiranës ka dyshime të arsyeshme,
nisur nga dëshmitë në fshatrat rreth vendngjarjes, por edhe nga ato pak prova
që u gjetën në kapanonin e hashashit, se aty kanë qenë të pranishëm edhe 2
punëtorë të tjerë.

 

Burimet thanë se ka nisur hetimi për identifikimin e
tyre, ndonëse dy prej të arrestuarve, Alges Liçi dhe Dritan Buzo, që pranojnë
se kanë qenë dëshmitarë të ngjarjes, mohojnë të ketë pasur persona të tjerë aty.

Të njëjtat burime thanë se edhe dy personat e tjerë,
që janë ende të paidentifikuar, kanë qenë të punësuar nga viktima dhe ortakët e
tij, për të ndërtuar magazinën e hashashit, si dhe për tharjen e pastrimin e bimës
narkotike.

Nga ana tjetër, oficerët e Komisariatit nr.4 po
punojnë për identifikimin e plotë të ortakut tjetër të Besnik Pudjas dhe të
arrestuarit Halit Dusha. Nga të dhënat paraprake hetimore, por nisur edhe nga
deklarimet e familjarëve të viktimës, ky person është nga Kruja dhe emri i tij
është Elvis. Por ende nuk dihen gjeneralitetet e plota të tij.

Të afërmit e 36-vjeçarit Besnik Pudja pretendojnë se
e kishin dëgjuar shpesh të fliste në telefon me këtë person, por nuk e kanë
parë asnjëherë dhe nuk e njohin se kush është.

Megjithatë, burimet thanë që, nga hetimet e
deritanishme, është arritur të mësohet se shtetasi me emrin Elvis është ortaku
i tretë i viktimës dhe dyshohet të jetë po ashtu i përfshirë në ngjarje.

 


Zhdukja e provave


Policia e Tiranës është njoftuar disa orë me vonesë
për ngjarjen e ndodhur më datë 7 tetor në fshatin Kollagjesh të Shëngjergjit.
Në momentin që forcat e Komisariatit nr.4 kanë mbërritur aty, kanë konstatuar
ndërhyrje në vendngjarje, që nga të gjithë të dhënat e deritanishme kanë qenë
të qëllimshme, për të fshehur provat e ngjarjes.

Aty është gjetur një shishe e boshatisur, që kishte
qenë me raki, dhe disa bukëpeshku, që ishin përdorur nga viktima dhe miqtë e
tij për të fjetur. Është gjetur edhe pistoleta tip “TT” e përdorur nga viktima,
si dhe një gëzhojë.

Çdo provë tjetër, sipas grupit hetimor, ishte
dëmtuar, ndërsa të tjera edhe më të rëndësishme janë zhdukur. Ende nuk është
gjetur telefoni i 36-vjeçarit Besnik Pudja, për të cilin edhe familjarët gjatë
dëshmive që kanë dhënë për gazetën “Panorama”, shprehen se është zhdukur
qëllimisht.

Nga ana tjetër, burime nga Policia pohuan dje se
edhe 3 personat e arrestuar për këtë ngjarje, Alges Liçi, Dritan Buzo dhe Halit
Dusha, kanë fshehur telefonat që kanë pasur në përdorim para se të ndodhte
ngjarja.

Në momentin e arrestimit të tyre, u janë sekuestruar
celularët që mbanin në xhepa, por, sipas Policisë, i kishin vënë në përdorim
pas ngjarjes, duke përdorur edhe numra të rinj, në mënyrë që të fshihnin
komunikimet që kanë pasur më përpara.

Pavarësisht prishjes së disa provave, lëvizjes së
kufomës dhe disa manovrave të tjera që kanë pasur si qëllim fshehjen e
ngjarjes, është konstatuar se në kapanonin ku ndodhi krimi kanë qenë disa
persona të pranishëm.

Këto elemente, por edhe ekspertiza paraprake e
mjekëve ligjorë, kanë hedhur dyshime se Besnik Pudja mund të jetë vrarë. Por
sërish, Policia vijon ta quajë vetëvrasje, deri në plotësimin e të gjitha
elementeve të nevojshme që mund të ndryshojnë klasifikimin.