Vrasja e gjyqtares/ Si e kujtojnë koleget Fildeze Hafizin: Mesazhi që kemi për dy fëmijët e saj

575
Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër ka hapur dyert jo si zakonisht për seancat gjyqësore, por për të bërë homazhe në nder të gjyqtares së ndjerë, Fildes Hafizi, e cila u vra nga ish-bashkëshorti i saj.

Gjyqtarë të Shkallës së Parë, asaj të Apelit, prokurorët, Dhoma e Avokatisë dhe Drejtoria Vendore e Policisë së Shkodrës bashkë me organizata të shoqërisë civile dhe autoritetet vendore të Shkodrës kanë bërë homazhe për gjyqtaren Fildes Hafizi.

Mes të pranishmëve ishte dhe kryetarja e Bashkisë Shkodër, Voltana Ademi dhe prefekti i qarkut, Paulin Radovani. Ceremonia është zhvilluar në një sallë gjyqi në katin e dytë të Gjykatës, ku gjyqtarja Hafizi kishte mbajtur seancat e drejtuara prej saj. Në tavolinë qëndronte një fotografi e së ndjerës Fildes Hafizi, një qiri, buqetë me lule, ku ishte shkruar “Përgjithmonë në zemrat tona” dhe libri i përshtypjeve.

Ai që mbajti fjalën e rastit ishte gjyqtari i Shkallës së Parë, Arbër Çela, në mungesë të kreut të kësaj Gjykate, Arben Zefi, për shkak të një gjendjeje jo të mirë shëndetësore gjatë këtyre ditëve.

Pas fjalës së gjyqtarit Çela, është mbajtur një minutë heshtje për gjyqtaren e vrarë, Fildes Hafizi, nga kolegët e saj.

Ndërsa më pas, foli dhe kryetarja e Gjykatës Administrative të Shkodrës, Valbona Durraj. Kjo e fundit, në fjalën e saj u shpreh se vrasja e Fildes Hafizit i ka tronditur të gjithëve. Kjo për Durrajn, si nënë, si grua, por edhe si pjesë e drejtësisë, përveçse një goditje e rëndë për shoqërinë, është një goditje edhe për vetë sistemin.

Gjyqtarja 38 vjeçe u vra nga ish-bashkëshorti i saj pas debateve të lindura mes tyre lidhur me dhënien fund të martesës. Ngjarje e ndodhur më 31 gusht në Tiranë, ku autor i saj ishte Fadil Kasemi, 53 vjeç.

Si e njohët Fildes Hafizin dhe cili është mesazhi juaj për këtë ngjarje të rëndë?
Fildesi ishte një nga koleget tona, edhe pse unë nuk jam pjesë e Gjykatës së Shkallës së Parë, por asaj Administrative. Ngjarja ishte tronditëse, jo vetëm për sektorin tonë, por na tronditi të gjithëve. Edhe unë jam tronditur si një femër. Dua të jap mesazhin që kushdo ka të drejtë ta jetojë jetën si të dojë. Fildesi, sapo kreu studimet e larta, realizoi ëndrrën e saj duke u emëruar si gjyqtare në Shkodër, por ëndrra e saj u pre në mes nga dora vrastare e ish-bashkëshortit të saj, i cili nuk e pranoi divorcin dhe shkoi edhe më tutje, duke vendosur për fatin e jetës së saj, duke prerë një jetë në mes dhe duke lënë pa përkrahje dy fëmijët, të cilët tashmë nuk kanë asnjërin prej prindërve pranë. Secili nga ne ka të drejtë të jetojë, dhe po ashtu edhe gratë që janë një forcë e fuqishme, nuk duhet të jenë më pjesa vulnerabël e shoqërisë dhe nuk duhet të rrezikohen nga mentaliteti i kujtdo qoftë, edhe bashkëshort apo ish-bashkëshort, por kanë të drejtë të marrin vendimet e veta, ashtu siç Fildesi mori vendimin e saj për divorcin. Ky është mesazhi: lërini gratë të jetojnë, lërini njerëzit të bëjnë jetën e tyre dhe të vendosin vetë për të ardhmen e tyre. Gratë janë krijesa më e rëndësishme e shoqërisë sepse i japin shoqërisë një gjë të rëndësishme, siç është fëmija. Fëmijët kanë nevojë për nënën e tyre edhe kur të jenë të rritur e, aq më tepër në rastin e Fildesit, kur fëmijët janë më të vegjël dhe u mungon përkujdesja dhe do ta kujtojnë me shumë mall. Ne kujtojmë Fildesin, vëmendja duhet të nisë që nga ne, pastaj edhe nga pjesa tjetër e shoqërisë.

Është shprehur ndonjëherë për problemin e saj?
E ndjera nuk kishte shumë kohë që kishte filluar në Gjykatën e Shkodrës, ndërsa unë nuk isha në të njëjtën gjykatë me të dhe për çështjet familjare nuk kishim asnjë informacion.

A është një goditje për të gjithë sistemin dhe shoqërinë?
Është një goditje e rëndë për të gjithë shoqërinë shqiptare, e cila duhet të kuptojë se emancipimi nis që në bazën e saj, që është familja, një emancipim që duhet të kuptohet nga të gjithë pjesëtarët e familjes, ku të gjithë pjesëtarët e familjes kanë të drejtë të marrin vendimet e tyre, edhe fëmijët, edhe gratë dhe gjithsecili. Pastaj është goditja tjetër që i vjen të gjithë sistemit nga vrasja e Fildes Hafizit, dhe normalisht nuk kemi fjalë për të thënë për këtë pjesë.
“Dy fëmijët e Fildesit kanë nevojë më shumë se kurrë për ne”
Gjyqtari i Shkallës së Parë, Arbër Çela, në fjalën në kujtim të koleges, veçoi pozitivitetin që karakterizonte Fildes Hafizin. Çela u shpreh se 38-vjeçarja punonte prej pesë muajsh si gjyqtare në Gjykatën e Shkodrës. Çela, duke kujtuar dy fëmijët që ka lënë pas Hafizi, bëri apel për ndihmesë, duke thënë se ata kanë më shumë nevojë se kurrë për përkrahje.

“Ju falënderojmë për pjesëmarrjen në këtë ceremoni, ku kujtojmë ndarjen nga jeta të koleges dhe shoqes sonë, Fildes Hafizi, e cila u nda nga jeta pak kohë më parë. E kemi pasur për një kohë fare të shkurtër në Gjykatën e Shkodrës. Ishte kohë e mjaftueshme për të njohur personin dhe shpirtin e saj me të mirat dhe pozitivitetin që e karakterizonte. Fildesi lë pas dy fëmijë, të cilët sot më shumë se kurrë kanë nevojë për ne. La pas, po ashtu, edhe kujtimin tonë për pozitivitetin e saj apo gjithë dashamirësinë karshi kolegëve dhe gjithë palëve që ka pasur kontakt”, u shpreh gjatë fjalës së tij Arbër Çela. Fildes Hafizi ka lënë pas dy fëmijë, vajzën 16 vjeçe dhe djalin 14 vjeç.
Sigal