Vrasja e Fatmir Pulës, dorëzohet edhe personi i gjashtë

545
Dorëzohet pas negociatave me Policinë e Durrësit një nga bashkëpunëtorët e vrasjes së shtetasit Fatmir Pula. Elton Ceka, 26 vjeç, banues në Tiranë, është arrestuar pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Krujë, ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprat penale “Vjedhja me pasojë vdekje, kryer në bashkëpunim” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.
Zbardhja e ngjarjes
Burime nga policia thonë se 5 prej autorëve të krimit janë arrestuar më datë 20 janar 2016 dhe ndërkohë u bë shpallja në kërkim e shtetasit Elton Ceka. Konkretisht, u arrestuan shtetasit:
Admir Haka 32 vjeç, banues në fshatin Zezë, Krujë, i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje;
Herton Haka 18 vjeç, lindur në Zezë, Krujë;
Aleksandër Haka 28 vjeç, banues në fshatin Zezë, Krujë;
Hekuran Boci 23 vjeç, banues në fshatin Halil, Krujë;
Olti Metuku (Agron), banues në Kamzë, Tiranë.
Arrestimi i shtetasve të mësipërm u bë pasi, në bashkëpunim me shtetasin Elton Ceka, kishin vendosur grabitjen e shtetasit Fatmir Pula, ndërsa ky i fundit po kthehej nga lokali i tij që e kishte me qira në Kamzë, për në banesë, në fshatin Zezë, Krujë.
Mekanizmi i ngjarjes
Shtetasi, Olti Metuku e ka mbajtur nën vëzhgim viktimën në momentin që ai ka dalë nga lokali dhe ka lajmëruar autorët e tjerë.
Shtetasi, Herton Haka (vëllai i Admir Hakës), ka qenë i fshehur në kthesën që të çonte në banesën e viktimës, nga fshati Nikel për në Zezë, dhe ka njoftuar dy autorët e tjerë që makina ku ndodhej viktima po vinte në drejtim të tyre.
Dy shtetasit e armatosur Elton Ceka (me armë zjarri automatik) dhe Admir Haka (me pushkë), i kanë bllokuar rrugën viktimës me thasë me shkarpa. Fatmir Pula nga gjetur vdekjen e menjëhershme pas goditjes me 4 plumba nga Elton Ceka.
Shtetasi Aleksandër Hakaj i ka furnizuar me fishekë autorët, i ka strehuar natën e krimit, dhe njëkohësisht ka mbajtur edhe armët e krimit, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provave materiale:
– një armë zjarri automatik model 56 kalibër 7.62;
– një pushkë model 63;
– 4 copë fishekë luftarakë.
Lidhjet familjare të autorëve
Shtetasit Admir dhe Herton Haka janë vëllezër dhe njëkohësisht komshinj me viktimën. Shtetasi Aleksandër Haka është djali i xhaxhait të shtetasve të mësipërm.
Shtetasit Hekuran Boci dhe Olti Metuku janë kunetërit (burrat e motrave) të shtetasve Admir dhe Herton Hakës. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë për veprime të mëtejshme.
Sigal