Vrasja e efektivit të RENEA-s në Lazarat, kapet në SHBA një prej autorëve (Emri)

105
Më shumë se dy vjet nga vrasja e efektivit të RENEA-s Ibrahim Basha gjatë një operacioni të Policisë së Shtetit në Lazaratin e famshëm, është kapur një nga autorët e dyshuar.
Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana, në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës por edhe me Organizatën Ligjzbatuese FBI, ka arritur të lokalizojë dhe arrestojë në datë 20.12.2017 në SHBA, shtetasin në kërkim ndërkombetar Ruhan Hiraj, 20 vjeç, lindur në Gjirokastër.
Ndaj 20-vjeçarit Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, me vendimin nr. 495, datë 24.11.2015, ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest me burg” për veprën penale të “Vrasje e punonjësve të Policisë Shtetit” e kryer në bashkëpunim, “Vrasja e punonjësve të Policisë Shtetit e mbetur në tentativë”, “Prodhim dhe mbajtja e armëve luftarake” dhe “Prodhim, shitje e lëndëve narkotike”, parashikur nga nenet 79/b, 25, 79/b, 22, 25; 278/2 dhe 283 të K.Penal të R.Shqipërisë.
Përmbledhje faktesh
Në 24.06.2015, forcat speciale RENEA janë futur/kanë ndërhyrë në fshatin Lazarat, Gjirokastër pas një informacioni për të shtëna me armë nga persona të panjohur.
Gjatë ndërhyrjes i arratisuri bashkë me persona të tjerë ka vrarë me armë zjarri punonjësin e policisë Ibrahim Basha si dhe ka tentuar të vrasë 5 punonjës të tjerë policie.
ZQK Interpol Tirana, në bashkëpunim me Prokurorinë e Përgjithshme dhe Ministrinë e Drejtesisë, janë duke kryer të gjitha veprimet për ekstradimin sa më shpejtë të jete e mundur të shtetasit Ruhan HIRAJ drejt Shqiperisë.
NGJARJA
Një polic i forcave RENEA ka mbetur i vrarë dhe dy të tjerë janë plagosur nga të shtënat me armë më 24 qershor 2015.
Policia lokale, FNSH dhe RENEA kanë filluar një operacion për kapjen e personave që kishin qëlluar me armë mbrëmjen e 23 qershorit. Gjatë operacionit, në momentin që Policia kishte bllokuar makinën me autorët e dyshuar e të armatosur, është qëlluar mbi efektivat nga një banesë.
Për pasojë ka humbur jetën efektivi i forcave speciale RENEA, Ibrahim Basha, i cili u qëllua me plumb në kokë. Basha më herët kishte qenë efektiv i forcave Komando. Gjithashtu nga sulmi i personave të armatosur, mbetën të plagosur edhe 2 policë të RENEA-s, Jetmir Isaj dhe Perlat Hamitaj.