Vrasja e Çiçës në mes të lokalit, zbardhen të tjera fakte

391
Pistoleta dhe telefoni i Elton Çiços ende nuk janë gjetur në lokalin, ku ndodhi vrasja, të dielën e kaluar. Dy të arrestuarit në vendin e ngjarjes, mjeku dhe polici janë filmuar nga kamerat e sigurisë teksa fshehin armët dhe celularin e viktimës, për arsye që nuk dihen. Përse u arrestua Alban Trimi 4 ditë, pasi ndodhi vrasja? Burime të policisë thanë se efektivi i policisë duket qartësisht nga filmimet e kamerave te sigurisë, që bashkëpunon me mjekun Redjan Rraja për të fshehur pistoletën dhe celularin e Elton Çiços, pasi ky ishte rrezuar në tokë nga plumbat e vrasësit.

 Kamerat filmuan mjekun Redjan Rraja që vepron i pari. Ai merr pistoletën nga çanta e viktimës dhe së bashku me Alban Trimin dalin jashtë nga lokali në ndjekje të autorit. Madje në kamera duket edhe momenti kur Rraja mbush pistoletën. Pasi konstatuan se vrasësi ishte larguar nga lokali, të dy u kthyen në ambientet e brendshme. Aty ndodhej miku i tyre i plagosur rëndë me 3 plumba, 2 në kokë dhe një në trup. Rraja e lë armën mbi tavolinën ku pak çaste më parë ishte ulur me miqtë e tij. Së bashku me Trimin, lëvizin trupin e viktimës nga tavolina dhe e vendosin në dyshemenë e lokalit. Kjo lëvizje u bë për ti dhënë ndihmën e parë Çiços që ende ishte gjalle. Në këto momente është Alban Trimi që merr armën nga tavolina dhe telefonin e viktimës.
Sigal