Vlorë, sekuestrohen 900 kg kanabis; 6 të arrestuar

480
Policia e Vlorës ka sekuestruar 900 kg kanabis sativa në plazhin e Zvërnecit dhe ka arrestuar 6 persona në kuadër të operacionit “Forest”.
Lënda narkotike në tentativë për tu trafikuar u gjet 50 metra larg bregut të detit, e paketuar nëpër pako me peshë 15-30 kg secila, me mbështjellje natribani. 
Policia ka arrestuar në flagrancë shtetasit: Eduart Grabova, 39 vjeç, banues në fshatin Babicë e Madhe; Redjan Hasanaj, 28 vjeç, banues në Vlorë; Napolon Arshiaj, 27 vjeç, banues në fshatin Lepenicë; Ilir Qejvani, 24 vjeç, banues në Vlorë; Jani Bajramaj, 24 vjeç, banues në fshatin Lukovë dhe Eduart Abazi, 49 vjeç, banues në Vlorë. 
Grabova, Arshiaj, Hasanaj dhe Qejvani u arrestuan në momentin kur tentuan të ngarkonin lëndën narkotike në gomone, në vendin e quajtur “Hunda e plakut”, vend në të cilin kishin transportuar pakot me lëndë narkotike nëpërmjet dy automjeteve Benz me targë AA 252 DK dhe Toyota me targë AA 354 MK. Mjeti lundrues u largua menjëherë sapo ndjeu ndërhyrjen e forcave të policisë nga toka, por u bllokua nga Policia Kufitare dhe Guardia di Finanza pak minuta më vonë në Gjirin e Portonovës, Zvërnec. 
Mbi bazën e këtij operacioni, gjatë ndjekjes së vazhdueshme të bashkëpunëtorëve të kësaj lënde narkotike, policia ka bërë të mundur kapjen e pilotit të gomones dhe ndihmësit të tij (Bajramaj dhe Abazi), të cilët u arrestuan pas 8 orë ndjekjesh në pyllin e fshatit Pish Poro. 
Vijojnë hetimet për kapjen e personave të tjerë të implikuar dhe dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.
Sigal