Vlorë, dënohet me 1 vit e 8 muaj burg, ish-drejtori i Spitalit, Remzi Haxhiu

934
Ish-Drejtori i Spitalit Rajonal të Vlorës, Remzi Haxhiu është dënuar me 1 vit e 8 muaj burg dhe për dy vite i është hequr e drejta e ushtrimit të funksioneve publike. Gjykate Vlorës e shpalli atë fajtor për “shkelja e barazisë në tenderë dhe në ankande publike”. 
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, mbi bazën e kallëzimit penal të kryer nga ana e Drejtorisë së Kontrollit Spitalor Tiranë, ka regjistruar procedimin penal viti 2014, për veprën penale “shkelja e barazisë në tenderë dhe në ankande publike” të parashikuar nga neni 258 i K.Penal.
Nga hetimet e kryera lidhur me këtë procedim penal rezultuar se i pandehuri Remzi Haxhiu, në cilësinë e ish-Drejtorit të Spitalit Rajonal Vlorë, ka lidhur me shoqërinë “Omega Pharma Group” sh.p.k, dy kontrata me objekt furnizimin e Spitalit Rajonal Vlorë me medikamente mjekësore, në kundërshtim me rregullat e prokurimit të përcaktuara nga ligji dhe aktet nënligjore, duke krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për shoqërinë e mësipërme.
Më konkretisht; Spitali Rajonal Vlorë i përfaqësuar nga i pandehuri Remzi Haxhiu, ka lidhur me shoqërinë “Omega Pharma Group” sh.p.k, me përfaqësues ligjor shtetasin Nadir Causholli, kontratën me nr.1344 prot dt.29.04.2013 me objekt furnizimi me materiale mjekimi për vitin 2013. Në këtë kontratë palët kanë rënë dakort që shoqëria “Omega Pharma Group” sh.p.k të furnizojë me medikamente Spitalin Rajonal Vlorë, sipas një liste bashkëngjitur kësaj kontrate. Vlera totale e kontratës ka qënë në shumën 1.019.856 lekë. Nga verifikimet kryera në Spitalin Rajonal Vlorë nuk rezulton që lidhur me këtë kontratë të jetë zhvilluar ndonjë procedurë prokurimi nga ana e Spitalit Rajonal Vlorë.
Po kështu, Spitali Rajonal Vlorë i përfaqësuar nga ish-Drejtori Remzi Haxhiu, ka lidhur me “Omega Pharma Group” sh.p.k, me përfaqësues ligjor shtetasin Nadir Causholli, kontratën me nr.1345 prot dt.29.04.2013 me objekt furnizimi me materiale mjekimi për vitin 2013. Në këtë kontratë palët kanë rënë dakort që shoqëria “Omega Pharma Group” sh.p.k të furnizojë me medikamente Spitalin Rajonal Vlorë, sipas një liste bashkëngjitur kësaj kontrate. Vlera totale e kontratës ka qenë në shumën 7.918.978 lekë. Nga verifikimet e kryera në Spitalin Rajonal Vlorë nuk rezulton që lidhur me këtë kontratë të jetë zhvilluar ndonjë procedurë prokurimi nga ana e Spitalit Rajonal Vlorë.
Lidhur me rrethanat e mësipërme i pandehuri Remzi Haxhiu është akuzuar se ka kryer veprën penale “shkelja e barazisë në tendera dhe në ankande publike” të parashikuar nga neni 258 i K.Penal, të kryer dy herë, dhe çështja penale është dërguar për gjykim.
Në përfundim të gjykimit të kësaj çështje penale, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë me vendimin me nr.620, datë 16.11.2015, ka vendosur deklarimin fajtor të të pandehurit Remzi Haxhiu për të dy veprat penale që është akuzuar dhe dënimin e tij përfundimisht me 1 (një) vit e 8 (tetë) muaj burgim, duke zbritur më pas edhe 1/3 e masës së dënimit. Po kështu, Gjykata ka caktuar për këtë të pandehur edhe dënimin plotësues, heqjen e së drejtës për të ushtruar funksione publike për një afat prej 2 (dy) vjet.
Sigal